Ndërlidhjet

Egjipt: 'Dita e Largimit'





Protestuesit në Egjipt që kërkojnë largimin e presidentit Hosni Mubarak bënë thirrje për protesta në mbarë vendin në ditën që e quajtën "E Premtja e Largimit".

Kryeministri i ri Ahmed Shafik tha se ministri i brendshëm nuk do të duhej t'i pengojë marshimet e sotme paqësore pas faljes të së premtes.

Por, Departamenti amerikan i Shtetit tha se pret konfrontime.

Mubarak tha dje se ai dëshiron që të largohet, por druan se dorëheqja e tij mund të sjellë kaos në Egjipt.

Komentet e tij në televizionin amerikan u bënë në kohën kur Senati i Shteteve të Bashkuara njëzërit e miratoi rezolutën, ku i bën thirrje Mubarakut që të formojë një qeveri kalimtare, e cila do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve deri në fund të vitit.

Shtëpia e Bardhë tha se është duke i diskutuar me egjiptianët "mënyrat e ndryshme" për të shkuar drejt tranzicionit paqësor.

E përditshmja "Nju Jork Tajms" raportoi se zyrtarët amerikanë janë duke zhvilluar bisedime me zyrtarët egjiptianë që Mubaraku të largohet menjëherë.

Ndërkohë, në rrugët e Kairos, mbështetësit dhe kundërshtarët e Mubarakut u përleshën përsëri të enjten, ndërsa u raportua se edhe gazetarët kanë qenë në shënjestër të sulmeve të ithtarëve të Mubarakut.

Dy gazetarë, njëri nga Greqia, dhe tjetri nga Suedia, janë plagosur me thikë.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se 24 reporterë janë arrestuar në 24 orët e fundit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs i denoncoi raportet për "sulmet sistematike" të gazetarëve.

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton gjithashtu lëshoi kritika të rrepta.

"Është përgjegjësi e qartë e qeverisë së Egjiptit, përfshirë ushtrinë, që t'i mbrojë ata që janë të kërcënuar, dhe të kërkojë llogari nga përgjegjësit për këto sulme. Qeveria e Egjiptit duhet të demonstrojë gatishmërinë e saj për t'u siguruar gazetarëve mundësinë që t'i raportojnë për ngjarjet popullit të Egjiptit dhe botës", tha Klinton.

Mediat e huaja u vunë në shënjestër pas nënpresidenti Omar Sulejman i fajësoi të huajt për nxitje të protestave.

Në një përpjekje për t'i ulur tensionet, Sulejman tha se Vëllazëria Myslimane është ftuar që të marrë pjesë në dialogun kombëtar me të gjitha partitë.

Hapi i tij pasoi kërkim faljen që Shafik e bëri për dhunën e së mërkurës, që la 10 të vdekur.

Kreu i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillai, tha se deri 300 njerëz mund të kenë vdekur në trazirat.(v.p.)


* * * * *

SHBA-të dhe BE-ja kërkojnë tranzicion të menjëhershëm politik në Egjipt. Shqetësim paraqet dhe dhuna ndaj gazetarëve.

Lutemi që dhuna në Egjipt të marrë fund dhe të drejtat e aspiratat e popullit egjiptian të realizohen, në mënyrë që ditë më të mira të vijnë për Egjiptin dhe gjithë botën”, tha presidenti amerikan, Barak Obama. Komentet e Obamës erdhën pas shtimit të dhunës gjatë 24 orëve të fundit në Egjipt.

Gjatë gjithë ditës së enjte, mbështetësit dhe kundërshtarët e presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, sulmuan njëri-tjetrin me gurë në qendër të Kajros. Incidentet ndodhën me gjithë përpjekjet e ushtrisë për t'i mbajtur të ndara të dyja grupimet. Protestuesit fajësojnë mbështetësit e presidentit dhe policët me uniformë se kanë qëlluar me armë gjatë natës së shkuar.

Së paku pesë persona u raportuan të vrarë gjatë përleshjeve që nisën të mërkurën, pas nëntë ditësh protestash paqësore. Kryeministri egjiptian kërkoi falje për dhunën dhe premtoi hetime për të gjetur përgjegjësit. Prokuroria ka ngrirë pasurinë e ish ministrit të brendshëm dhe tre drejtuesve të lartë të partisë së Mubarakut. Zëvendëspresidenti i Egjiptit ka deklaruar se Gamal Mubarak, i biri i presidentit aktual, nuk do garojë në zgjedhjet e ardhshme. Kjo ka qenë një ndër kërkesat e protestuesve.

Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja thanë të enjten se tranzicioni i pushtetit duhet të nisë tani.

Rusia tërhoqi vërejtjen rreth ndërhyrjeve nga jashtë në Egjipt, duke theksuar se forcat politike në vend duhet të gjejnë rrugën për t'i dhënë fund trazirave të dhunshme.

"Nuk e konsiderojmë të dobishme të imponojmë zgjidhje nga jashtë, apo të vendosim ultimatume",
thuhet në një deklaratë të shefit të diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.

Dhuna ndaj gazetarëve ka qenë një tjetër shqetësim. Departamenti i Shtetit dënoi atë që e cilësoi si fushatë për të trembur gazetarët që po mbulojnë ngjarjet në Egjipt.

"Ka një fushatë të organizuar për t’i frikësuar gazetarët ndërkombëtarë në Kajro dhe për të ndërhyrë në raportimet e tyre. Ne i dënojmë veprimet e tilla",
tha Filip Kroullei, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Reagime pati edhe nga udhëheqës dhe aktivistë të të drejtave të njeriut në Francë, Spanjë, Gjermani e Itali. Reagimet erdhën pasi turmat pro-qeveritare sulmuan gazetarët dhe kameramanët e huaj, derisa të tjerë janë ndaluar nga forcat e rendit.

Në planin ekonomik, të enjten u bënë publikimet e para të dëmit. Kostoja e bllokimit pesë ditor të internetit nga Qeveria, i ka kushtuar Egjiptit 90 milionë dollarë.

OECD-ja raporton se shërbimet telefonike dhe të internetit do të përbëjnë 3-4% të bruto prodhimit të brendshëm të Egjiptit. Kostoja në afat të gjatë do të jetë më e lartë nëse llogaritet dhe dëmi i shkaktuar në tërheqjen e kompanive të huaja. (i.b.)
XS
SM
MD
LG