Ndërlidhjet

logo-print

Egjipt: Ushtarët ndërhyjnë për t’i ndarë grupet rivale


Një numër i ushtarëve të Egjiptit, sot në Kajro, kanë ndërhyrë për t’i ndarë mbështetësit dhe kundërshtarët e presidentit Hosni Mubarak, pas përleshjeve ndërmjet grupeve rivale, nga të cilat mbeten disa njerëz të vrarë.

Gjatë natës ka pasur të shtëna në sheshin Tahrir në Kajro, ndërsa protestuesit kundër Mubarakut i kanë fajësuar mbështetësit e presidentit dhe policinë me rroba civile, për sulme ndaj tyre.

Raportohet se së paku pesë vetë janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur, prej fillimit të përleshjeve në sheshin Tahrir në Kajro.

Kryeministri Ahmed Shafiq sot ka kërkuar falje për dhunën dhe i ka ftuar liderët opozitarë për bisedime, por personalitetet udhëheqëse opozitare, Mohamed ElBaradei, dhe ata nga Vëllazëria Myslimane, i kanë thënë agjencisë Rojters, se ata e kanë refuzuar ftesën, duke theksuar se së pari Mubaraku duhet të largohet nga presidenca.

Mubaraku ka thënë se do të largohej vetëm pasi t’i përfundoj mandati në muajin shtator të këtij viti.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar fillimin e menjëhershëm të tranzicionit të autoritetit.

Pesë shtete të Bashkimit Evropian, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja, në një deklaratë të përbashkët sot, poashtu, kanë bërë thirrje për tranzicion të “shpejtë dhe të rregullt”, për t’i përfunduar trazirat e dhunshme.
XS
SM
MD
LG