Ndërlidhjet

Presidenti Topi refuzon komisionin parlamentar



Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, nuk ka pranuar për herë të dytë të dëshmojë para Komisionit Hetimor Parlamentar të ngritur për të hetuar ngjarjet e 21 janarit. Komisioni është ngritur me iniciativën e PD-së dhe përbëhet vetëm nga anëtarë të shumicës qeveritare.

Këshilltari juridik i presidentit Topi, Spiro Peçi, në një konferencë për shtyp, tha se nëse nuk është keqdashje politike, atëherë argumentimi për thirrjen e presidentit në ratin më të mirë është "miopi ligjore".

"Dua të theksoj se askush, nuk mund të verë në dyshim apo të komentojë, faktin që Presidenti është institucion dhe jo titullar institucioni. Është pikërisht kjo arsyeja, midis të tjerave, që Kushtetuta e Republikës, e ka vendosur Presidentin si institucion, duke i caktuar direkt kompetencat, të drejtat dhe detyrimet", theksoi Peçi.

Dje nuk ka pranuar të dëshmojë para Komisionit edhe kryeprokurorja e Shqipërisë, Ina Rama. Opozita e akuzon shumicën se po mundohet që përmes hetimit parlamentar të godasë institucionet e pavarura si prokurorinë, presidencën dhe shërbimin informativ.
XS
SM
MD
LG