Ndërlidhjet

Thaçi: I kemi numrat për Qeverinë


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se tashmë ka numrin e nevojshëm për të formuar koalicionin qeverisës, por nuk i ka përmendur partitë që mund t’i bashkohen këtij koalicioni.

Thaçi ka premtuar se para trevjetorit të pavarësisë do të konsolidohen institucionet e reja të Kosovës. Ai ka shprehur besimin për ndërtimin e një qeverie shumë-përfshirëse dhe shumë-etnike.

“Partia Demokratike e Kosovës, konfirmoj tani, më ka siguruar numrin e mjaftueshëm për formimin e Qeverisë së Kosovës”,
ka thënë Thaçi, gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje me Komisionin Evropian për programin e asistencës (IPA), në vlerë prej 63.9 milionë eurosh.

Kryeministri në dorëheqje, në lidhje me formulën e ardhshme qeverisëse, ka theksuar se nga java e ardhshme priten takimet zyrtare për formimin e koalicionit.

“Në institucione do të ketë njerëz edhe nga shoqëria civile. PDK-ja nuk synon tri pozicionet udhëheqëse të institucioneve të vendit. Takimet janë duke ndodhur, ndërsa nga e hëna pres që të kem edhe takime zyrtare - takim këto të spektrit politik kosovar për shtet-ndërtim, por edhe të partnerëve të mundshme për koalicionin e ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës”,
ka theksuar Thaçi.

Partia Demokratike e Kosovës, si fituese e zgjedhjeve, ka thënë se do të formojë një qeveri shumëpërfshirëse. Por, ajo ka shprehur bindjen se në opozitë do të rrinë dy partitë më të mëdha pas PDK-së, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Në anën tjetër, emrat e Alencës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleancës për Kosovë të Re, janë lakuar si partnere të mundshme në koalicionin e ardhshëm. Përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk ka pasur asnjë ofertë deri më tani për një koalicion me PDK-në.

Sidoqoftë, nënkryetari Ahmeti Isufi ka shprehur mendimin se Kosova aktualisht ka nevojë për një qeveri gjithëpërfshirëse, e cila do të mundësonte që sa më parë të organizoheshin zgjedhjet e reja.

“Ne ende nuk kemi marrë ftesë, por po ashtu edhe partitë tjera, për arsye se ende nuk është bërë certifikimi i rezultateve përfundimtare, prandaj do të shikojmë pozicionin tonë. Në këtë moment mendoj se më mirë do të ishte një qeveri gjithëpërfshirëse, e cila do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja, sepse këto zgjedhje kanë dalë me manipulime, të cilat kanë shqetësuar edhe opinionin e Kosovës”, është shprehur Isufi.

Ndërsa, sa i takon asaj që PDK-ja tashmë i ka siguruar deputetët për të krijuar qeverinë, Isufi ka thënë:

“Bazuar në numra dhe jo në kualitet të qeverisjes së vendit, zoti Thaçi ka bërë që të mos kryejë mandatin, sepse të dy partitë më të mëdha politike në vend, kanë pasur koalicione dhe kanë pasur mundësi që ta çojnë vendin drejt zhvillimit më të mirë. Megjithatë, kur bazohet në numra atëherë gjithmonë lë që të ketë dobësi brenda qeverisjes dhe pikërisht kjo nuk lejon mundësinë që vendi të qeveriset ashtu siç duhet. Ne konsiderojmë se nuk duhet të bazohet në numër, por duhet të bazohet në kualitetet, të cilat duhet t’i kenë partitë politike
”.

Duke folur për bisedimet e mundshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kryeministri Thaçi ka deklaruar se Prishtina zyrtare është në krye të përgjegjësive shtetërore. Sipas tij, për mundësinë e fillimit të bisedimeve janë në kontakte të vazhdueshme edhe me faktorët ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG