Ndërlidhjet

Sejdiu: Beogradit t’i përcaktohen vijat e kuqe


Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Faktori ndërkombëtar ta përcaktojë shumë qartë se cilat janë vijat e kuqe (për Serbinë), thotë Fatmir Sejdiu, ish-president i Kosovës, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sejdiu, që nga koha kur ju dhatë dorëheqje nga posti i presidentit, Kosova ka kaluar në disa procese dhe sfida, të cilat ende nuk kanë marrë fund. Si i shihni ju zhvillimet e fundit politike në vend?

FATMIR SEJDIU
Unë them se janë zhvillime, të cilat, deshëm s’deshëm, kanë krijuar një barrë të re të veçantë për Kosovën, posaçërisht duke pasur parasysh stërzgjatjen e procesit zgjedhor në vend dhe moskonstituimin e institucioneve të vendit.

Besoj se duhet një investim i veçantë dhe do të thosha një qasje mbështetëse edhe e faktorit ndërkombëtar që të ndihmohet për aq sa do të jetë e mundshme, që institucionet e vendit ta përfundojnë sa më shpejt këtë cikël, në mënyrë që ato të formohen dhe të japin përgjigjen e tyre, ose të angazhohen për procese të reja.

Dhe, e dyta, janë ato që lidhen me një varg temash që i përkasin Kosovës, posaçërisht kjo pjesa e akuzave që u bëhen institucioneve, përkatësisht njerëzve të caktuar me raportin e senatorit zviceran, që ka të bëjë me gjoja trafikimin e organeve dhe çështje të tjera.

Unë asnjëherë dhe as tash nuk mund të them se cila është e vërteta – e vërteta duhet të jetë ajo që do të dëshmojnë vetë njerëzit dhe mendoj se është më së miri gatishmëria që është shprehur edhe nga ana e institucioneve të vendit edhe të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, për të dhënë përgjigjen e tyre në një diçka që unë do ta quaja, thjesht, absurd të kohës, dhe një qasje që, deshëm apo s’deshëm, ka krijuar shqetësime dhe pasoja për vendin.

Unë mendoj se do të jetë tepër e nevojshme që sa më shpejt, për aq sa do të ketë mundësi të hetimeve, të dilet me të vërtetën. Besoj se e vërteta do të jetë thjesht në atë se nuk mund të fajësohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe njerëzit e saj në kuptimin negativ çfarë po tentohet.

Pavarësisht nga ky fakt, unë them se, megjithatë, është e nevojshme që për çdo gjë të shpalosen argumentet dhe të jepet e vërteta siç duhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni përpjekjet aktuale për formimin e institucioneve? Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetar nderi i së cilës jeni, ka hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Si e gjykoni ju këtë vendim?

FATMIR SEJDIU
Po unë nuk ndalem tash në analizë të asaj se cila është qasja apo gravitimi i subjekteve politike. Rezultatet zgjedhore japin një pasqyrë që asnjë subjekt vetëm nuk mund t’i ndërtojë institucionet apo nuk mund të ndërtojë qeverinë e re. Dhe, për këtë arsye, është e nevojshme që të bëhen marrëveshje për koalicione për ndërtimin e ekzekutivit.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka shprehur këtë qëndrim dhe unë e respektoj - unë nuk kam ndonjë qasje tjetër nga ajo që marrin organet e partisë. Unë jam kryetar nderi natyrisht, por nuk jam në pjesën e konsulencave të përditshme çfarë atje ndodhin.

Ajo që unë dua të them është se LDK-ja duhet të ketë dhe besoj se ka një qëndrim unik rreth kësaj.

Unë dua të paralajmëroj apo të them një qëndrim timin se kam dëgjuar aty-këtu zëra se mund të ketë fraksione apo qëndrime divergjente në kuadër të strukturës së deputetëve të LDK-së, jo grupi i Sejdiut, jo kështu – unë nuk merrem me këto çështje dhe unë besoj se LDK do të dalë me përgjigje si formacion.

Cilido që të jetë vendimi final, edhe një herë përsëris, do të jetë në dorë të organeve udhëheqëse të partisë që ta bëjnë, por ajo që ata do të zgjedhin, do të jetë opozitë - është qëndrim po ashtu normal në kuptimin se si opozitë ata mund të japin mendimin e tyre, apo mund të jenë kontribuues drejtpërdrejt në vend.

Se cilat parti do të jenë pjesë e pozitës, është çështje e debateve që janë duke u zhvilluar. Ajo që unë do të dëshiroja është që të krijohen institucione stabile të vendit; se sa do të jetë e qëndrueshme pjesa e marrëveshjeve, le të shikohet nga vetë ana e subjekteve politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat kanë qenë përplasjet, them kushtimisht, më të mëdha midis dy partive, LDK-së dhe PDK-së, gjatë koalicionit qeverisës?

FATMIR SEJDIU
Po unë them se ka qenë një periudhë tepër e rëndësishme për vendin. Është ndërtuar një koalicion për interesa të Kosovës dhe unë gjithmonë gjykoj se ka qenë një vendim i drejtë – flas edhe në kuptimin e rrugës që ka kapërcyer ky koalicion, e sidomos në periudhat më të ndjeshme. Ka qenë fjala për bërjen e pavarësisë së vendit apo thjesht përfundimi i ciklit të bisedave.

Por, natyrisht, edhe shpallja e pavarësisë, si dhe vendime të tjera tepër të rëndësishme që kanë të bëjnë me shtetndërtimin e Kosovës, duke përfunduar formimin e organeve më të rëndësishme të vendit, organeve vitale, pastaj ndërtimin e një strukture apo të një korpusi legjislativ tepër të nevojshëm bashkë me Kushtetutën e vendit.

Natyrisht se ka pasur edhe çështje, të cilat kanë qenë pjesë jo e harmonisë mes partnerëve të koalicionit. Unë do të thosha se këto kanë reflektuar në periudhën e fundit dhe ajo që ka ndodhur posaçërisht me qasjen që ka pasur PDK-ja në këtë rast, apo vetë Qeveria në përgatitjen e procesit të privatizimit të Postë-Telekomit, pa e pasur një koherencë të konsultave të nevojshme dhe me partnerin kryesor në koalicion. Mendoj se ka qenë një qëndrim jo i drejtë.

LDK-ja ka shprehur qëndrimin e saj refuzues, jo për privatizimin natyrisht se nuk ka qenë dhe s’është as sot, as nesër, që të mos privatizohet apo të mos transformohet ekonomia e Kosovës, por mënyra se si është zgjedhur në shpejtësi dhe pa pasur argumente të bollshme për të dhënë sqarime, mendoj se ka qenë një veprim joracional që ka derivuar edhe deri në tërheqje nga koalicioni.

Edhe vetë dorëheqja ime ka qenë një moment që, deshëm s’deshëm, ka ndikuar drejtpërdrejt. Unë them se ka qenë një moment që ka pasuar pas një vendimi që ka marrë Gjykata Kushtetuese, që mendoj se ka qenë një vendim i ngutshëm dhe i paanalizuar mirë në shumë argumente. Unë them se kjo ka ndodhur në një moment po ashtu të ndjeshëm për Kosovën.

Por, paralelisht them se Gjykata Kushtetuese nuk e ka parë të rrugës asnjëherë që t’i dëgjojë argumentet që unë kam prezantuar përmes përfaqësuesve të mi. Në anën tjetër, në të njëjtën kohë, unë them se ka qenë një marrëveshje e plotë, absolutisht e plotë edhe me rastin e hartimit të Kushtetutës së Kosovës, sepse është ditur se ajo normë kushtetuese që ka të bëjë me ushtrimin apo mosushtrimin e funksionit, ka këtë interpretim dhe s’ka interpretim tjetër.

Do të thotë, unë kam qenë fiktivisht edhe kryetari i një partie tjetër dhe nuk e kam ushtruar atë funksion.

Prandaj, me ose pa dashje, them se këto kanë ndikuar që të krijohet një situatë e re. LDK ka shprehur qëndrimin e saj të pakënaqësisë dhe natyrisht kanë ndodhur këto zhvillime të mëvonshme, të cilat kanë derivuar deri në momentin e tërheqjes nga koalicioni.

RADIO EVROPA E LIRË
Sidoqoftë, sfidat përballë institucioneve të reja nuk do të jenë të pakta. Një prej tyre ka të bëjë edhe me bisedimet mbi, siç thuhet, çështjet teknike me Beogradin. Si i shihni ju këto bisedime?

FATMIR SEJDIU
Edhe atëherë, edhe sot, edhe nesër do të them gjithmonë se Kosova duhet të ketë vetëm një qëndrim që e kam shprehur - se mund të bisedohet për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me nevojën apo me ndjenjën e relaksimit të marrëdhënieve me Republikën e Serbisë - pse jo, është edhe në interes të qytetarëve të të dyja vendeve sovrane - por gjithmonë në bazë të barabartë dhe asnjëherë jashtë këtij pozicioni.

Dhe, e dyta, Kosova mund të bisedojë gjithmonë për aq sa është e nevojshme në zbatimin e propozimit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari, por jo jashtë.

Unë e di se deri në këtë kohë zakonisht është folur se është e garantuar dhe nuk do të bisedohet asnjëherë për statusin politik të Kosovës, pra pavarësia e panegocueshme, integriteti territorial i panegocueshëm. E di që ka pasur tendenca herë-herë që të bisedohet për statuse të veçanta të veriut të Kosovës apo të tri komunave në veri.

Unë mendoj se Kosova duhet ta mbajë këtë pozicion, natyrisht që të angazhohet për integrimin aktiv të qytetarëve edhe të tri komunave të veriut, por asnjëherë të ketë ndonjë ndjenjë që të rinegocohet pozicioni i këtyre tri komunave apo pozicioni i veriut të Kosovës.

Ne jemi mësuar thjesht në ciklin e rëndë të bisedimeve që kemi pasur me Serbinë para periudhës së pavarësimit të vendit, që të ketë stërzgjatje dhe të ketë një qasje destruktive dhe joracionale nga ana e tyre. Të shohim se çfarë do të sjellë koha. Unë mendoj se është e nevojshme që edhe pjesa e faktorit ndërkombëtar të përcaktojë shumë qartë se cilat janë vijat e kuqe, të cilat nuk mund të kapërcehen.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG