Ndërlidhjet

logo-print

Ivanov fton liderët në takim


Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Gjendja e krijuar politike në Maqedoni pas largimit të opozitës nga Kuvendi ka detyruar presidentin Gjorgje Ivanov që t’i thërrasë liderët e partive politike në një takim të ri, për të diskutuar mundësitë për dalje nga gjendja e tendosur politike.

Njoftimi i Ivanovit pasoi pas një prononcimi të ambasadorit të Bashkimit Evropian, Ervan Fuere, i cili rekomandoi mbajtjen e takimit.

Duke komentuar bojkotimin e opozitës, presidenti Ivanov në komunikatën e publikuar tha se “çdo parti ka të drejtën që të sjellë vendime, por edhe përgjegjësinë për veprimet e saj”. Megjithatë, Ivanov tha se është mirë të diskutohet për arritjen e ndonjë zgjidhjeje të mundshme.

Partitë politike thonë se janë duke shqyrtuar thirrjen e presidentit, por nuk besojnë në rezultatet nga një takim i tillë, duke marrë parasysh takimin e para 10 ditëve që përfundoi pa ndonjë rezultat konkret.

Ndërkohë, duke komentuar bojkotin e opozitës dhe kërkesat për zgjedhje të parakohshme, ambasadori i Hungarisë, Ferenc Kekeshi, vendi i të cilit kryeson me BE-në, tha se kjo është e drejtë e partive politike, por rikujtoi se Maqedonia ka ende shumë punë për të bërë.

“Është e drejtë e partive politike të vendosin nëse do të kenë zgjedhje përpara kohës së parashikuar sipas Kushtetutës. Sipas gjykimit tim, Maqedonia ka ende shumë gjëra për të përmbushur, por nëse qeveria dhe partitë politike mendojnë se kjo është koha e duhur, atëherë është problem i tyre”.

“Ne jemi përqëndruar në atë se çfarë të bëjmë. Para së gjithash, ne shpresojmë se me përfundimin e dialogut politik, ka më shumë shanse, sesa të shkohet në zgjedhje të parakohshme”,
deklaroi ambasadori Franc Kekshi.

Ndërkaq, ambasasdroja e Holandës, Simone Filipini, tha se dialogu mes partive politike është më se i domosdoshëm dhe ai, sipas saj, duhet të zhvillohet në kuadër të institucioneve.

“Gjëja më e rëndësishme është rikthimi i dialogut politik mes partive të opozitës dhe pozitës në Maqedoni, për të parë që Kuvendi funksionon sërish. Gjithashtu, të marrin në konsideratë shqetësimin e shumë njerëzve mbi legjitimitetin e masave të ndërmarra javët e fundit”.

“Unë nuk kam ndonjë mjet në dorë se si të ndërtohet dialogu politik, por mendoj se në parim është gjithmonë te sinqeriteti i përpjekjeve dhe vullneti i mirë nga të dyja palët”,
tha ambasadorja Filipini.

Edhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë ambasadorin e SHBA-ve, Filip Riker, kanë bërë thirrje për vendosjen e dialogut të mirëfilltë, por edhe respektimin e procedurave ligjore në rastin me afaristin Velija Ramkovski, që çoi në përshkallëzimin e tensioneve.

Para më se një muaji, Ramkovski dhe shumë drejtues të tjerë të firmave të tij janë burgosur për malverzime financiare. Por, nga opozita thonë se arrestimet janë bërë për të heshtur katër mediumet që janë në pronësi të Ramkovskit, e që njihen si kritikuese të punës së qeverisë.
XS
SM
MD
LG