Ndërlidhjet

logo-print

Bisedime për t’i dhënë fund krizës

  • RFE /RL

Protestat në sheshin Tahrir, 4 shkurt 2011.

Protestat në sheshin Tahrir, 4 shkurt 2011.

Zëvendëspresidenti i Egjiptit, Omar Suleiman, pritet të takojë një grup të personaliteteve të vendit për të diskutuar kalimin e pushtetit nga presidenti Hosni Mubarak drejt një autoriteti të përkohshëm.

Mubarak ka deklaruar për mediat amerikane se është i lodhur nga drejtimi i vendit, por i trembet kaosit nëse tërhiqet.

Ai ka theksuar se nuk do të kërkojë rizgjedhjen në shtator, kur edhe i mbaron mandati.

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka përsëritur thirrjen që tranzicioni politik në Egjipt të fillojë menjëherë.

“E ardhmja e Egjiptit do të përcaktohet nga populli i këtij vendi. Është gjithashtu e qartë se ekziston nevoja që procesi i tranzicionit të fillojë tani. Kjo periudhë tranzicioni duhet të nisë një proces të bazuar mbi respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe që çon në zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ka thënë Obama.

Edhe shefja e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton, tha se blloku 27-anëtarësh dëshiron të ketë afate të caktuara kohore për ndryshimet politike në Egjipt.

Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, pritet të udhëtojë të dielën për në Kajro për bisedime me presidentin Mubarak në emër të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, protestat kanë vazhduar edhe gjatë natës në sheshin Tahrir.

Të premten në Kajro janë ndaluar nga policia dy gazetarë të Radios Evropa e Lirë. Ende nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tyre të saktë.


* * * * * * * * * *

Masa e protestuesve në sheshin Tahrir në Kajro vazhdon ta kërkojë dorëheqjen e Mubarakut, në ditën e 11-të të protestave masive.

Gjatë natës, mijëra protestues kundër presidentit Mubarak e kanë injoruar ndalesën për kampe në sheshin Tahrir në Kajro. Kjo ndodhi me gjithë përleshjet e vazhdueshme ditën e enjte, me mbështetësit e zotit Mubarak, që synonin t’i largonin protestuesit nga sheshi në qendër të Kajros.

Nga përleshjet raportohet se u vranë tetë vetë. Protestuesit kanë akuzuar forcat pro-Mubarak, se kanë përdorur armë zjarri kundër tyre, por qeveria i ka hedhur poshtë këto akuza.

Shefja e Kombeve të Bashkuara për të drejta të njeriut, Navi Pillaj, tha se në trazirat në mbarë Egjiptin deri tash, ndoshta janë vrarë 300 vetë.

Ministri i Mbrojtjes i Egjiptit, Mohamed Tantavi, e ka vizituar sheshin Tahrir dhe ka biseduar me masën e tubuar.

Ai tha se kërkesa e tyre kryesore është pranuar me faktin që Mubaraku ka pranuar që të mos garojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në muajin shtator.

Kajro
Ushtria e ka përforcuar praninë e saj përreth sheshit gjatë disa ditëve të kaluara dhe synon ta mbajë distancën ndërmjet protestuesve anti-Mubarak dhe mbështetësve të tij.

Protestuesit, në masë të madhe, konsiderojnë se armata ka mbetur neutrale në këtë krizë deri tash, ndërsa policia shihet si mbështetëse aktive e Mubarakut.

Kryeministri i ri i Egjiptit, Ahmet Shafiq, tha se ministria e brendshme nuk duhet t’i pengojë protestat paqësore.

Zoti Shafik, që është nominuar nga Mubaraku në fillim të javës, theksoi se ai është i gatshëm të takohet me përfaqësues të protestuesve për t’i dëgjuar kërkesat e tyre.

Shumë nga protestuesit kanë dërguar shumë mesazhe nëpërmjet disa ndërmjetësuesve, duke i përshkruar kërkesat e tyre. Unë do t’i pranoj disa prej protestuesve të rinj për të biseduar. Është një lloj i dialogut ndërmjet nesh dhe shpresoj se do të jetë dobiprurës për arritjen e kompromisit ndërmjet palëve”, tha kryeministri Shafik.

Por, përkundër thirrjeve të këtilla për dialog, nuk ka paralajmërime se qeveria dhe partitë opozitare mund të gjejnë tema të përbashkëta për bisedime.

Opozita, që përfshin personalitetin liberal, Mohamed ElBaradei, dhe lëvizjen Vëllazëria Myslimane, i ka refuzuar bisedimet, derisa Mubaraku të mos tërhiqet.

Ata thonë se dëshirojnë demokraci e jo zëvendësimin e Mubarakut me një lider tjetër nga ushtria, që e ka dominuar Egjiptin prej se u përmbys monarkia në vitin 1952.

Por, Mubaraku ka përsëritur se ai nuk do të tërhiqet menjëherë.

Në një intervistë me gazetaren Kristiane Amanpur, për rrjetin televiziv amerikan ABC, ai tha se “është i lodhur” dhe se “pas 62 vjetësh në shërbim publik”, ai “dëshiron të shkojë”.



Por, Mubarak në këtë intervistë ka theksuar se “nëse jep dorëheqje, do të ketë kaos” dhe shtoi se “frikësohet që Vëllazëria Myslimane do të vijë” në pushtet.

Kjo deklaratë u bë në kohën e raporteve se zyrtarët amerikanë po diskutojnë për skenarë të ndryshëm me Kajron, përfshirë edhe sekenarin, sipas të cilit, Mubaraku menjëherë do të jepte dorëheqje.

Gazeta Nju Jork Tajms ka cituar zyrtarët amerikanë dhe diplomatët arabë, që kanë thënë privatisht, se Uashingtoni po e diskuton planin për Mubarakun për ta kaluar autoritetin te qeveria e tranzicionit, që do të kryesohej nga zëvendëspresidenti Omar Suleiman, me mbështetjen e ushtrisë së Egjiptit.

Omar Suleiman, ish-shef i shërbimeve të inteligjencës, ka kërkuar nga demonstruesit që ta përfundojnë protestën dhe të kthehen në shtëpi, pasi ndaj kërkesave të tyre Mubaraku ka dhënë përgjigje, duke nominuar qeverinë e re dhe duke premtuar reforma.

Ai po ashtu ka thënë se protestat ishin nxitur nga ato që ai i quajti “interesa” të jashtme.

“Ne do të shohim në këtë dhunë faktin se ky ishte komplot”, tha Suleiman, duke shtuar se dhuna ka mundur të nxitet nga disa “me agjenda të jashtme, Vëllazëria Myslimane, nga parti të caktuara ose biznesmenë”.

Kajro
Akuzat e tij për përzierje të jashtme u bënë dersia shumë media thonë se ishin sulmuar nga policia e Egjiptit.

Komiteti për mbrojtjen e gazetarëve tha se 24 reporterë janë arrestuar gjatë 24 orëve.

Raportimet për goditje kundër mediave janë kritikuar ashpër nga Uashingtoni.

Në këtë aspekt, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Filip Krouli, tha:

“Ne e mbështesim lirinë e shtypit dhe ky ishte mesazhi ynë për Qeverinë e Egjiptit”.

“Prandaj, çfarëdo përpjekjeje për ndërhyrje në këtë të drejtë dhe liri fundamentale, për ne është shqetësim i madh”,
tha Filip Krouli.

Nga ana tjetër, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, tha se shqetësimi kryesor është që të ulet niveli i dhunës në rrugë, në mënyrë që të mund të fillojë dialogu.

“Ajo që duket se po ndodh, është se zëvendëspresidenti Suleiman po lëviz drejt një lloji të dialogut kombëtar. Ne kemi kërkuar vazhdimin e mbështetjes për popullin në rrugë, që ata të jenë të sigurt dhe që të jemi të sigurt se dhuna nuk do të shpërthejë prapë”, tha Kethrin Eshton.

Ajo tha se “i takon popullit të Egjiptit dhe qeverisë së Egjiptit të lëvizin së bashku përpara”. (f.b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG