Ndërlidhjet

Me kë i arriti numrat PDK-ja?


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, tha se partia që ai drejton, tashmë i ka numrat e duhur për të formuar qeverinë.

Por, emrat e partive që kanë vendosur të hyjnë në koalicion vazhdojnë të jenë enigmë.
Dy subjektet që janë deklaruar për opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk janë lëkundur nga qëndrimi.

Ndërsa, dy partitë tjera shqiptare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, thonë se ende nuk ka ndonjë marrëveshje, madje as parimore për koalicion.

Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, insiston se AAK-ja nuk hyn në koalicion qeverisës, nëse në krye të qeverisë do të jetë Hashim Thaçi.
Është e qartë se qeverisja e ardhshme duhet të ketë duar të pastra, por në të njëjtën kohë duhet të ketë kokë të pastër, nëse duam që Kosova të ecë përpara.

“Nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e AAK-së. Ne në të gjitha vlerësimet që i kemi bërë, kemi parë që gjatë këtyre tre vjetëve, Kosova është dëmtuar, sepse ka pasur udhëheqje të keqe, që do të thotë shef të qeverisë që e ka dëmtuar vendin".

"Dhe, si të tillë, ne nuk mund ta shohim veten të përfshirë në një qeverisje me zotin Thaçi. Është e qartë se qeverisja e ardhshme duhet të ketë duar të pastra, por në të njëjtën kohë duhet të ketë kokë të pastër, nëse duam që Kosova të ecë përpara”,
thotë për Radion Evropa e Lirë, Burim Ramadani.

Por, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, ka bërë të qartë se nuk do t’ua lëshojë subjekteve tjera, e as ndonjë anëtari të partisë së tij, postin e kryeministrit.

Ai madje ka thënë se postet kryesore, si kryeministri e presidenti, do t’i takojnë PDK-së. Ndërkohë, Aleanca Kosova e Re këmbëngul se nëse PDK-ja e do atë në koalicion, atëherë duhet t’ia rezervojë postin e presidentit. Nënkryetarja Mimoza Kusari-Lila shpjegon:

“AKR-ja i ka prezantuar kushtet e veta. Në mesin e tyre është hapësira e veprimit për t'i bërë ndryshimet e domosdoshme, për të funksionalizuar jetën institucionale në Kosovë".

"Në mesin e këtyre kushteve është pozita e presidentit, jo për të sistemuar një person, por për t'i bërë ndryshimet e duhura për të pasur një stabilitet institucional”,
thotë Kusari-Lila.

Gjashtëdhjetë e një vota të Kuvendit 120-anëtarësh duhen për të miratuar qeverinë e re. Edhe nëse arrin marrëveshje me minoritetet, që kanë 25 ulëse në Kuvend, PDK-së, e cila ka 34 deputetë, do t’i duhet gjithsesi edhe një partner shqiptar për të arritur numrat e duhur.

Burim Ramadani, nga AAK-ja, dyshon se PDK-ja i ka siguruar tashmë 61 votat.

“Këto janë spekulime, njëjtë sikur me rritjen e pagave. Përndryshe, nëse i ka bërë numrat, ne veç mund t’i urojmë, por ata numra nuk e përfshijnë AAK-në”, thotë Ramadani.

Mimoza Kusari-Lila
Në anën tjetër, Mimoza Kusari-Lila thotë se asnjë sinjal në AKR nuk është marrë për koalicionin e ardhshëm qeverisës. Sidoqoftë, ajo thotë se do të jetë kreu i AKR-së, Bexhet Pacolli, ai që do ta thotë fjalën përfundimtare.

”Zyrtarisht i emëruar për të vazhduar negociatat është presidenti i AKR-së, zoti Behxhet Pacolli, i cili aktualisht nuk gjendet në Kosovë".

"Pa qenë ai këtu dhe pa pasur bisedime të drejta dhe të hapura, ku do të prezantoheshin edhe marrëveshjet eventuale, nuk mund të themi se ka diçka të finalizuar. Asgjë nuk ka të finalizuar në lidhje me partinë më të madhe në pushtet”,
thekson Kusari-Lila.

Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, ka premtuar se qeveria e re do të formohet para 17 shkurtit, që shënon përvjetorin e tretë të pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG