Ndërlidhjet

logo-print

S'ka fonde për sigurime shëndetësore


Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Ligji për sigurime shëndetësore nuk është miratuar ende në Kuvendin e Kosovës. Mimoza Ahmeti, ish-deputete, thotë se në mosmiratimin e tij ndikojnë një mori faktorësh.

“Problemet i kemi më të vjetra se vetë shteti. Të gjithëve na intereson që sa më shpejt t’i kemi sigurimet shëndetësore, por janë një mori faktorësh që ndikojnë në moszbatimin e këtij ligji, si: mungesa e çmimeve të shërbimeve shëndetësore publike, ajo e sistemit informativ në shëndetësi... Të dyja këto pastaj ndikojnë që të mungojë fondi i sigurimeve shëndetësore”, thotë Ahmeti.

Në anën tjetër, Ferid Agani, njohës i kësaj çështjeje si dhe deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës, thotë se zbatimi i sistemit të sigurimeve shëndetësore në Kosovë paraqet një domosdoshmëri të kohës, e që duhet të ndodhë në sistemin shëndetësor.

Arsyeja pse deri më tani nuk është gjetur zgjidhje adekuate, sipas zotit Agani, qëndron në faktin se gjithmonë çështjes së financimit të këtij projekti u janë qasur në mënyrë fragmentare. Siç thotë ai, asnjëherë nuk është folur për një çështje gjithëpërfshirëse.

“Të implementohet parimi që sigurimet shëndetësore të shfrytëzohen në dy mënyra, nëpërmjet shfrytëzimit të kartelës shëndetësore ose duke paguar çmimin ekonomik dhe duke siguruar sistemin e prodhimit të këtyre kartelave, që do të fitoheshin në tri baza. Pa këtë lloj të zgjidhjes nuk do të ketë ndryshim, ashtu siç nuk ka që nga viti 2004”, thotë Agani.

Ndërkaq, Blerim Syla, kryetar i sindikatës së shëndetësisë, thotë se kjo sindikatë i ka dhënë kohë qeverisë së Kosovës 6 muaj për aprovimin e ligjit, nga dita e dorëzimit në parlament. Por, sipas zotit Syla, kjo nuk ka ndodhur. Ai shpreson se me formimin e qeverisë së re, zyrtarët institucionalë do të merren më seriozisht me këtë çështje.

Këto konkludime nga ana e qeverisë, se a është i aplikueshëm apo jo, besoj se janë më shumë hipotetike, sesa pragmatike, duke marrë parasysh edhe Ligjin e punës, për të cilin është bërë një bujë e madhe dhe ja, nuk po ndikon shumë keq në Kosovë. Besoj se edhe Ligji për sigurime do të jetë në rrugën e vet të mbarë”, thekson Blerim Syla.

Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë se
financimi i qëndrueshëm paraqet një parakusht të domosdoshëm për funksionalizimin e mirëfilltë të sistemit shëndetësor të një vendi.

Zoti Syla përmend edhe faktin e regjistrimit të popullsisë që do ta ndihmojë mjaft këtë çështje, sepse me të dhënat statistikore do të jetë një pasqyrë më e qartë e numrit të popullatës në Kosovë.

Nevojitet një vullnet politik që të vihet shëndetësia si prioritet nacional dhe në agjendën e saj t’i ketë edhe sigurimet shëndetësore. Të ketë një vizion të qartë se si do të rregullohet ky projekt. Këtë vit është planifikuar edhe regjistrimi i popullsisë dhe të dhënat që do të dalin, paraqesin edhe një element pozitiv”, thotë Syla.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se qysh në vitin 2004, Ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Arsim Çavderbasha, zyrtar në këtë ministri, thotë se ky institucion ka bërë përpjekje që të përgatisë një ligj sa më pragmatik dhe të aplikueshëm.

Ministria e Shëndetësisë e ka kryer detyrën e vet në momentin që e ka dorëzuar ligjin në Qeverinë e Kosovës. Tani pritet që ai të kalojë në Parlament, por nuk ka afat kohor përfundimtar”, thekson Çavderbasha.

Sipas zyrtarëve në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, për një vit, shpenzimet e fondit për sigurime shëndetësore arrijnë shumën prej 296 milionë eurosh. Një gjë e tillë thuhet se e rëndon shumë buxhetin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG