Ndërlidhjet

logo-print

DT: Zoti dhe arkeologjia në luftë


Meka, qyteti ku janë shkatërruar qendrat arkeologjike

Meka, qyteti ku janë shkatërruar qendrat arkeologjike

Daily Telegraph

Dejvid Kenedi, profesor i historisë së lashtësisë në Universitetin e Australisë Perëndimore, duke përdorur programin e Google Earth, ka mundur të vendosë në hartë 1977 qendra të mundshme arkeologjike, 1082 nga të cilat janë gurë varri në formë loti.

Rreth 2000 qendrat arkeologjike janë të vendosura në Arabinë Saudite, një vend “ku nuk mund të kesh qasje lehtësisht”, thotë profesori australian.

Më herët, përdorimi i imazheve satelitore është shfrytëzuar për zbulimin e disa qendrave arkeologjike të kohës romake në Britani apo disa vendbanime maja në Belizë.

Megjithatë, pak arkeologë kanë pasur qasje në Arabinë Saudite, vend që për një kohë të gjatë ka qenë armiqësor ndaj arkeologjisë. Klerikët e vijës së ashpër në këtë vend i tremben faktit se vëmendja e opinionit mund të fokusohet në qytetërimet që janë zhvilluar në këtë pjesë para ardhjes së islamit.

Në këtë frymë kemi parë shkatërrimin e 90 për qind të qendrave arkeologjike në qytetet e shenjta myslimane të Mekës dhe Medinës. Projekte në vlerë prej 13 miliardë dollarësh janë zhvilluar gjatë dhjetë viteve të fundit në këto dy qytete, projekte ku janë shkatërruar qendra arkeologjike për të ndërtuar hotele e parkingje, në mënyrë që të përballohen vizitorët gjatë haxhit.

Historia është rrënuar me buldozerë për një vend-parkimi, thotë Sami Angaui, ekspert i arkitekturës arabe.

Tetorin e kaluar klerikët përsëritën thirrjet për të shkatërruar vendbanime që i përkasin periudhës para-islame. Monarkia saudite në vitet e fundit duket se nuk i ka dëgjuar shumë klerikët. Në bashkëpunim me arkeologët francezë, po punohet në rrënojat e qytetit 2000-vjeçar të Maidan Salehit, ku janë kufijtë jugorë të qytetërimit Nabatean.

Princi saudit, Sulltan bin Salman, astronauti i parë saudit, ka luajtur një rol kyç në lehtësimin e kufizimeve në fushën e arkeologjisë. Muzeumet në Arabinë Saudite tani kanë filluar të ekspozojnë dëshmi nga antikiteti, përfshirë dhe skulptura në bronz të Herkulit dhe Apollonit. Skulpturat me modele femërore ende nuk lejohen në muzeume.

Kufizimet në fushën e arkeologjisë bëhen më të ashpra kur prekin drejtpërdrejt çështjet fetare. Ende është e ndaluar për publikun qasja në rrënojat e një kishe të lashtësisë të zbuluar në vitin 1986. (i.b)
XS
SM
MD
LG