Ndërlidhjet

Abdixhiku: Qeveria e Kosovës shkeli ligjin


Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku
Kostoja kryesore është dëmtimi i relacionit të Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por jo vetëm, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Abdixhiku, sa mund të ndikojë në rrjedhën e zhvillimeve ekonomike në Kosovë, vonesa për krijimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e fundit parlamentare?

LUMIR ABDIXHIKU
Po le të themi se është një skenar mjaft i dëmshëm për ekonominë e Kosovës, meqenëse ne nuk kemi institucione dhe, si pasojë, ne kemi humbur një sërë alternativash për zhvillim ekonomik, sidomos kur kihet parasysh se institucionet publike, pra sektori publik është rritësi kryesor ekonomik në vend.

Mungesa e investimeve kapitale për këto institucione ka bërë që këto investime kapitale të shtyhen dhe një sërë vendimesh qeveritare të vonohen. Me theks të veçantë ka qenë skandali i pagave, të cilat janë premtuar, janë marrë në formë të vendimit, edhe në fund nuk janë dhënë dhe kanë shkaktuar një farë hutimi në masë të madhe te përfituesit e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendëm çështjen e pagave, do të thotë Qeveria e Kosovës në largim ka marrë vendimin për rritjen e pagave në disa sektorë, por Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka kundërshtuar një rritje të tillë. A mund të vlerësohet ky si konfrontim i institucioneve kosovare me këtë institucion monetar ndërkombëtar dhe cilat mund të jenë pasojat?

LUMIR ABDIXHIKU
Po, fillimisht, vendimi i qeverisë ka qenë i jashtëligjshëm, meqenëse është marrë prej një institucioni, i cili nuk ka bazë ligjore për të bërë një gjë të tillë. Sipas kornizës ligjore në Kosovë, institucioni i vetëm që e bën shpërndarjen buxhetore është Parlamenti i Republikës, e jo kryeministri. Prandaj, ka qenë një hap i pritur prej presionit ndërkombëtar që të bëhet një ndërhyrje sa më shpejt në Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që ky vendim të kthehet prapa dhe të mos shkelet ligji.

Megjithatë, ne prapë kemi krijuar një kosto, kostoja kryesore është dëmtimi i relacionit të Kosovës me institucionet ndërkombëtare financiare, me theks të veçantë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, meqenëse kemi shkelur një marrëveshje të nënshkruar më 2010, pas negociatave mjaft të mundimshme me të.
Qeveria jonë, ka vënë në rrezik rreth 450 milionë euro ndihma financiare. Pjesa më e madhe e këtyre ndihmave do të vinin nga FMN-ja, Banka Botërore dhe BE-ja.

Shkelja e kësaj marrëveshjeje ka qenë e befasishme jo vetëm për FMN-në, por edhe për edhe për Bankën Botërore dhe për Bashkimin Evropian. Përveç kësaj, ne kemi dërguar një sinjal mjaft negativ tek investitorët potencialë, pasi ata vazhdimisht e përcjellin situatën ekonomike dhe marrëdhëniet qeveri - institucionet tjera në Kosovë dhe, si të tillë, ata tash kanë marrë sinjale mjaft frikësuese se këtu në Kosovë u shkelkan marrëveshjet me institucione mjaft prestigjioze si FMN-ja.

Prandaj, është një shenjë jo e mirë në relacion me këto institucione dhe me këta investitorë dhe është një hap mjaft i dëmshëm për ekonominë e Kosovës. Kjo shkelje e marrëveshjes e njëanshme nga Qeveria jonë, ka vënë në rrezik rreth 450 milionë euro ndihma financiare, që është dashur të jepen në Kosovë për disa vite. Pjesa më e madhe e këtyre ndihmave do të kishte ardhur nga FMN-ja, Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian. Dhe, fati i këtyre ndihmave, tash varet tërësisht nga negociatat e reja që do të zhvillohen në muajt në vijim.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, qeveria në largim nuk i dha pagat me rritje siç kishte premtuar dhe kjo ka ngjalluar reagime ndër kategoritë që i prisnin ato paga. A mund të thuhet se Qeveria e Kosovës është futur mes dy zjarreve: Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe shërbyesve civilë në Kosovë?

LUMIR ABDIXHIKU
Fillimisht, qeveria i ka hapur telashe vetes pa nevojë, sepse jo vetëm që i ka prishur marrëdhëniet me FMN-në, të paktën për këtë fazë, por në të njëjtën kohë i ka rritur pritjet e qytetarëve për paga më të larta, me theks të veçantë shërbyesit publikë.

Qeveria, tash gjendet para një presioni - në njërën anë ka marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe ka marrëdhënie ndërkombëtare, kurse në anën tjetër ka relacionin me qytetarët e vet dhe me përfituesit e këtyre pagave, të cilët ndihen të tradhtuar. Kosova shumë shpejt mund të gjendet para një krize sociale, ku këto pakënaqësi do të ishin kanalizuar në protesta të caktuara.

Prandaj, menaxhimi i situatës do të jetë një sfidë e veçantë për Kosovën, kur kihet parasysh edhe presioni ndërkombëtar që po bëhet për kujdes në qëndrueshmërinë buxhetore. Të mos harrojmë se ne i kemi rritur shpenzimet përtej kapaciteteve financiare që i kemi.

Kemi premtuar që do ta shesim PTK-në për rreth 300 milionë euro për t’i mbuluar kostot e pagave dhe të autostradës dhe i kemi vënë një barrë buxhetore ATK-së dhe Doganave me një kosto margjinale prej 250 milionë euro. Pra, ATK-ja dhe Dogana duhet të mbledhin rreth 250 milionë euro më shumë tatime sesa vitin e kaluar.
Dëmi më i madh është nga shitja e aseteve aksionare për shkak të borxhit. Do të vijmë në një situatë kur duhet të shesim PTK-në me një çmim mjaft të ulët për t’i mbuluar kostot e krijuara.

Tash këtu qëndrojnë dy probleme: i pari është se ATK-ja nuk kapacitete të bëjë një gjë të tillë, meqenëse ka diku rreth 350 administratorë tatimorë me një pagë mesatare afërsisht 400 euro dhe nuk ka mekanizma mbledhës - ne nuk kemi polici financiare, nuk kemi gjykata të veçanta për evazion dhe joformalitet, prandaj është vështirë e pritshme që të mblidhen këto të hyra.

Problemi i dytë ka të bëjë me Doganat, të cilat objektiv kryesor kanë veriun e vendit. E, kur kihen parasysh problemet politike që janë në veri dhe ndikimi që ekziston edhe i bashkësisë ndërkombëtare edhe mungesa e sovranitetit të Kosovës në këtë vend, është shumë pak e pritshme se Doganat do të mund të realizojnë një objektiv të tillë çfarë i është dhënë prej Qeverisë.

Dëmi më i madh në Kosovë është nga shitja e aseteve aksionare për shkak të borxhit. Ne tash do të vijmë në një situatë kur duhet të shesim PTK-në me një çmim mjaft të ulët, në një kohë mjaft të rëndë ekonomike globale dhe ta japim atë për t’i mbuluar kostot e krijuara, them kushtimisht, pa nevojë në këtë kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni shtegdaljen nga ky problem aktual?

LUMIR ABDIXHIKU
Janë dhënë disa alternativa, pra alternativa e parë do të ishte një super-efikasitet i mekanizmave mbledhës, të cilin unë nuk e besoj personalisht, sepse nuk ka kapacitete. Alternativa e dytë është shitja e aseteve nacionale për t’i mbuluar këto borxhe, e cila prapë nuk është ekonomikisht e favorshme, meqenëse është burim njëvjeçar. Në vitin 2012 ne më nuk i kemi ato dhe prapë duhet t'i gjenerojmë këto të hyra derisa shpenzimet janë bërë.

Dhe, alternativa e tretë është prapë një skenar jo i favorshëm për ekonominë e Kosovës - rritja e tatimeve dhe taksave të caktuara, me theks të veçantë TVSH-së. Rritja e TVSH-së është goditja më e rëndë që i bëhet ekonomisë së Kosovës, meqenëse ajo do të prekte çdo produkt bazik në vend – do të prekte produktet që në masë të madhe presin të gjitha shtresat dhe të gjitha familjet në Kosovë.

Përveç kësaj, do ta rëndonte ambientin biznesor, pasi që në njërën anë po rrisim tatimet, pra po e bëjmë ekonominë e vendit më pak atraktive ndaj investitorëve të jashtëm pothuajse dy herë të kushtueshme sesa vendet e rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo që Qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet nga vendimi që ka marrë, edhe pse ajo ka thënë se do ta realizojë?

LUMIR ABDIXHIKU
Unë them se qëndrim i mençur do të ishte analizimi i potencialeve ekonomike të vendit, edhe ndoshta prolongimi i këtij vendimi, të paktën për 6-mujorin e parë, për të parë se si po performon ATK-ja dhe Doganat. Në qoftë se në 6-mujorin e parë të hyrat e mbledhura janë më të mëdha sesa shpenzimet, ne mund t’i rrisim pagat në 6-mujorin e dytë, kur edhe bëhet rishikimi i buxhetit.

Them që është shumë esenciale që vendin tonë të mos e vëmë në rrezik, sepse krizat potenciale financiare mund të na bien një skenar të njëjtë si të Greqisë dhe Irlandës, ku më pas duhet t’i kthejmë të gjitha vendimet prapa, kur tashmë i kemi shitur të gjitha asetet nacionale, i kemi rritur të gjitha tatimet, e kemi rënduar ambientin dhe mund të vijmë deri te një kolaps financiar i tërësishëm.

Përveç kësaj, me spekulimin e rritjes së pagave, ne i kemi rritur çmimet. Tash ne kemi një situatë ekonomike, në të cilën ka rënë fuqia blerëse dhe ky mund të jetë një fitil i çdo trazire sociale. Them ka rënë fuqia blerëse e kosovarëve meqë rritja e pagave i ka rritur pritjet e bizneseve për para më të mëdha në treg.

Kur ka pritje më të larta të bizneseve se do të ketë më shumë para në treg, ata i rrisin çmimet. Me një fjalë, për të gjithë ata që janë në sektorin publik do të ketë rritje të pagave, por njëkohësisht do të ketë edhe rritje të çmimeve duke e mbajtur fuqinë blerëse konstante.
Viti 2011 është mjaft pesimist për kosovarët, për shkak të vazhdimësisë së politikave ekonomike të gabuara.

Por, për të gjithë të tjerët që nuk janë të punësuar në sektorin publik, pra për të papunët dhe të punësuarit në sektorë privatë, do të ketë rritje çmimesh, ndërkaq pagat do të mbesin të pandryshueshme dhe, normalisht, kjo e ul fuqinë blerëse në Kosovë. E, ulja e fuqisë blerëse në Kosovë bashkë me inflacionin e vazhdueshëm që ka ekzistuar nëpër vite, diku në vitet e fundit rreth 20 për qind, është potencial serioz i krizave dhe protestave për shkak të pakënaqësive sociale.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të jenë zhvillimet e pritshme ekonomike gjatë këtij viti në Kosovë, por edhe problemet?

LUMIR ABDIXHIKU
Kosova po hyn në një vit mjaft të vështirë - shumë më të vështirë sesa vitet e kaluara, meqenëse imazhi ekonomik i Kosovës tek investitorët e huaj nuk është i favorshëm. Ne dimë shumë mirë se çfarë perceptimi kanë këta investitorë për vendin tonë. Kemi një vend, i cili prapë vazhdon të mos jetë i aftë të luftojë joformalitetin; një vend i cili rangohet lart sa i përket korrupsionit dhe fenomeneve korruptive; është një vend, i cili ka barriera të shumta për bizneset dhe, në anën tjetër, sektori publik që ka qenë gjeneruesi kryesor i ekonomisë, është inekzistent.

Prandaj, them se viti 2011 është një vit mjaft pesimist për kosovarët, gjithmonë për shkak të një vazhdimësie të politikave ekonomike të gabuara në vend. Unë kam thënë gjithmonë se në Kosovë asnjëherë nuk është bërë analiza makroekonomike, nuk janë bërë asnjëherë politika ekonomike.

Krejt çka na ka brengosur, ka qenë buxheti dhe numrat. Derisa të vijë ajo ditë që ne vërtet mendojmë dhe bëjmë politika ekonomike, ne do të kemi situatë të rënduar si kjo e tashmja dhe si ajo që na pret.
XS
SM
MD
LG