Ndërlidhjet

Egjipt: Bisedimet pushtet - opozitë



Grupet opozitare në Egjipt thanë se propozimet e qeverisë mbi rrugët për t'i dhënë fund krizës politike nuk janë të mjaftueshme.

Grupi "Vëllazëria Myslimane", që zyrtarisht vazhdon të mbetet i jashtligjshëm, dhe formacione të tjera opozitare morrën pjesë në bisedimet e së dielës me qeverinë, pas 13 ditë protestash që synojnë largimin e presidentit Mubarak.

Qeveria ka propozuar ndryshime kushtetuese, të cilat opozita i cilësoi vetëm si një hap i parë.

"Vëllazëria Myslimane" tha se deklaratat e pas takimit "kishin qëllime pozitive, por nuk përfshnin ndonjë ndryshim thelbësor".

Zëvendëspresidenti i Egjiptit, Omar Suleiman, është takuar me grupet kryesore opozitare, duke përfshirë edhe Vëllazërinë Myslimane, që është e ndaluar, në një përpjekje për t’i dhënë fund krizës së rëndë politike në vend.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe parti të tjera më të vogla, ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të tjerë të opozitës, siç është Mohamed ElBaradei.

Vëllazëria Myslimane, grupi me ndikimin më të madh opozitar në Egjipt, para fillimit të bisedimeve ka thënë se do të mbështesë kërkesën kryesore të protestuesve, që presidenti Hosni Mubarak të japë dorëheqje.

Këto bisedime janë të parat që mbahen viteve të fundit ndërmjet qeverisë së Egjiptit dhe vëllazërisë fundamentaliste.

Hosni Mubarak ka premtuar reforma dhe zgjedhje në vjeshtë, ndërsa udhëheqja e partisë së tij dje ka dhënë dorëheqje.

Por, Mubaraku 82-vjeçar, që ka udhëhequr Egjiptin me grusht të fortë gjatë tri dekadave të fundit, insiston se do të mbetet në post deri në fund të mandatit, përkatësisht deri në fund të shtatorit, kur, sipas tij, do të bëhet bartja paqësore e pushtetit.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, sot ka ofruar mbështetje për bisedimet ndërmjet Suleimanit dhe forcave opozitare. Por, në komentet që supozohet se u janë drejtuar grupeve islamike, ajo ka folur kundër grupeve që do të provonin të merrnin mbi vete procesin dhe të çonin përpara agjenda të veta specifike.

Por, çfarë mendojnë për Vëllazërinë Myslimane ekspertët? Elizabet Arrot është shefe e byrosë së Zërit të Amerikës në Kajro dhe në këtë temë thotë:

“Mendoj se shumë njerëz kur dëgjojnë për Vëllazërinë Myslimane në Egjipt, mendojnë për Hamasin ose Al Kaidën, që i kanë rrënjët këtu në Kajro. Anëtarët e saj në masë të konsiderueshme kanë ushtruar dhunë, por ky grupacion në përgjithësi është shndërruar më tepër në një lëvizje shoqërore”, thotë Elizabet Arrot.

Ndonëse synon krijimin e një shteti islamik në Egjipt, Vëllazëria Myslimane gjithashtu ka thënë se nuk do t’i detyrojë femrat të mbulohen, ndërsa së voni ka ftuar për krijimin e një shteti demokratik.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, Vëllazëria Myslimane ka fituar 20 për qind të ulëseve në Parlament.

Në zgjedhjet e vitit të kaluar, që u cilësuan të manipuluara nga Partia Demokratike Kombëtare në pushtet, Vëllazëria Myslimane nuk arriti të fitojë asnjë ulëse në Parlament.

Elizabet Arrot thotë se Vëllazëria Myslimane gëzon respekt të gjerë në Egjipt.

Ka një mbështetje për të, kryesisht për faktin që ka arritur të plotësojë vakumin në shumë shërbime, që qeveria nuk ka qenë në gjendje t’i ofrojë. Udhëheq shkolla dhe spitale. Egjipti është vend shumë religjioz. Duke qenë përfaqësues – ndonëse të ndaluar – të islamit në Egjipt, atyre kjo u ka siguruar respekt të konsiderueshëm”, thotë Elizabet Arrot.

Vendimi i presidentit të Egjiptit për të hapur bisedime me Vëllazërinë Myslimane sugjeron se ky grupacion bashkë me forcat tjera opozitare, mund të bëhet forca kryesore politike në periudhën pas Mubarakut. (m.k.)

XS
SM
MD
LG