Ndërlidhjet

Institucionet, agjenda, pastaj dialogu...


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Bisedimet me Serbinë mund të nisin pas konsolidimit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe pas përcaktimit të agjendës dhe strukturës së dialogut, thotë zëvendësministrja në largim e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku. Përveç paralajmërimeve, ajo thotë se Brukseli zyrtar si bartës i këtij procesi, nuk ka dërguar kurrfarë agjende apo kërkesë zyrtare për nisjen e ndonjë lloji të bisedimeve Kosovë – Serbi.


Dialogu i shumëpërfolur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit jo vetëm që duhet të presë formimin e Qeverisë së re në Prishtinë, por edhe duhet të strukturohet dhe të ketë një agjendë para se të mund të llogaritet se do të nisë, thonë zyrtarët e qeverisë në largim.

Ky dialog që është miratuar në parim nga liderët e të dyja vendeve dhe ka marrë mbështetjen ndërkombëtare edhe përmes një Rezolutë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vjeshtën e vitit të kaluar, është menduar të nisë si një lloj bashkëpunimi dhe të relaksojë raportet e ngrira ndërmjet Serbisë dhe shtetit më të ri, Kosovës.

Zëvendësministrja në largim e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, sqaron fillimisht se nuk ka asnjë kërkesë zyrtare nga Brukseli për ndonjë takim apo datë kur do të nisnin këto bisedime. Ndërkaq, paraprakisht ajo thotë se duhet të sqarohet agjenda sikurse që Kosovës i duhen edhe qeveria dhe institucionet e reja.

“Kosova është e përgatitur për dialog, mirëpo në dialog dhe bisedime me Serbinë mund të hyhet vetëm pas konsolidimit të institucioneve të Republikës dhe pas përcaktimit të agjendës dhe strukturës së dialogut. Ndërkohë, në këtë fazë nga Brukseli nuk ka ardhur asnjë kërkesë për bisedime”, thotë Çitaku.

Përderisa Kosova pret fillimisht konstituimin e institucioneve të saj, Serbia, sipas njërit nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Ranxhel Nojkiq, është e gatshme kurdoherë që të nisë dialogun.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të presë formimin e Qeverisë, të strukturohet dhe të ketë agjendë thonë zyrtarë në Prishtinë.

“Sa i përket Beogradit jam i sigurt se ai është i gatshëm dhe në gjendje të bisedojë për çdo çështje”,
shprehet Nojkiq.

Kurse Prishtina, sipas Nojkiqit, nuk e ka vetëm problemin e institucioneve të reja, por edhe probleme tjera që ndërlidhen me raportin e Dik Martit dhe Rezolutën e miratuar nga Këshilli i Evropës, me të cilën kërkohen hetime në lidhje me dyshimet për trafikim organesh nga ana e disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, që tani kanë pozita udhëheqëse edhe në institucionet e Kosovës.

Në analiza të ndryshme, dialogu me Serbinë, edhe pse i përfolur si teknik, është parë edhe si një lloj kërcënimi për tërësinë territoriale të Kosovës, marrë parasysh gjendjen në veri.

Duke u nisur nga gjendja faktike në veri, ku Qeveria e Kosovës nuk e ka nën kontroll atë pjesë, e cila vazhdon të mbizotërohet nga struktura e pushtetit paralel që mbështetjen e kanë në Beograd, analistët kanë tërhequr vërejtjen se veriu edhe mund të imponohet si temë e veçantë e bisedimeve.

Mirëpo, komuniteti ndërkombëtar vazhdon të deklarohet në mbështetje të tërësisë territoriale të Kosovës.

Në prag të takimit të radhës së Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar për Kosovën, zëdhënësi i ICO-së, Endi Mekgafi, thotë përmes një deklarate më shkrim se Grupi Mbikëqyrës Ndërkombëtar është i qartë kur është fjala për mbështetjen për integritetin territorial të Kosovës.

“Në veri të Mitrovicës ne po bashkëpunojmë nga afër me Qeverinë në procesin e decentralizimit”
, deklaron Mekgafi, duke rikujtuar përpjekjet atje për formimin e komunës së re të Mitrovicës veriore dhe vendosjes së shërbimeve për qytetarët e veriut.

Mekgafi thotë se ICO-ja do ta mbështesë Qeverinë e Kosovës në përpjekjet për integrimin e veriut, duke e parë atë si një çështje të brendshme.

Sidoqoftë, mbetet të shihet edhe pozicioni i Qeverisë së ardhshme të Kosovës në raport me bisedimet me Serbinë, të cilat për një pjesë të diplomacisë evropiane për një kohë të gjatë shihen në top-agjendën e angazhimeve të para që priten nga Prishtina zyrtare pas konstituimit të institucioneve të reja.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG