Ndërlidhjet

logo-print

Egjipt: Me gjithë koncesionet, protestat vazhdojnë

  • RFE /RL

Në Egjipt edhe sot, ditën e 14-të kanë vazhduar protestat kundër presidentit Hosni Mubarak, me gjithë ofertën për koncesione të qeverisë.


Protestat në kryeqytetin e Egjiptit vazhduan, pasi mijëra demonstrues, gjatë natës, kishin qëndruar në kampin e ngritur në sheshin qendror Tahrir në Kajro.

Disa nga demonstruesit e mbyllën qasjen në një ndërtesë administrative, duke shkaktuar frustrim te banorët, që përpiqeshin për nxjerrjen e pasaportave dhe certifikatave të lindjes.

Disa protestues të tjerë ishin ulur në rrugën e tankeve të ushtrisë, që e rrethojnë sheshin, duke e parandaluar ushtrinë nga largimi, në mënyrë që aktivistët të mos mbesin të pambrojtur nga banditët proqeveritarë.

Numri i protestuesve është zvogëluar, prej se e kishte arritur nivelin e lartë prej qindra mijëra njerëzve, javën e kaluar, që kërkonin largimin e presidentit Hosni Mubarak, i cili në pushtet në Egjipt është 30 vjetwt e fundit.

Por, me gjithë rënien e numrit të protestuesve, atmosfera mbetet në nivel, ndërsa ata kanë refuzuar një numër të koncesioneve nga negociatorët e qeverisë.

Protestuesit, po ashtu, kanë thënë se ata nuk do të tërhiqen derisa Mubaraku të largohet nga posti i presidentit.

Ky protestues po "pushon" në zinxhirët e tankut...

Aleati kryesor i Mubarakut dhe pasardhësi potencial, zëvendëspresidenti Omar Sulejman, të dielën është përpjekur t’i zbusë protestuesit duke i ftuar disa grupe opozitare, përfshirë edhe Vëllazërinë Myslimane, që në Egjipt është e ndaluar me ligj, për të marrë pjesë në bisedimet për reformat demokratike.

Një zëdhënës i qeverisë tha se palët janë pajtuar ta formojnë një komitet, i cili do t’i propozojw një varg të reformave kushtetuese dhe legjislative.

Negociatorët, po ashtu, janë pajtuar pwr hapjen e një zyre për ankesa lidhur me trajtimin e të burgosurve politikë dhe për t’i zbutur kufizimet e mediave.

Por, ish-shefi i shërbimit të Inteligjencës në Egjipt, Omar Sulejman, ka dështuar të thotë se ai do të pajtohej ta marrë postin e presidentit në vend të Mubarakut 82-vjeçar.

Largimi i presidentit është kërkesa kryesore e opozitës, për të ndihmuar në hapjen e rrugës për tranzicion politik.

Liderët perëndimorë duket se kanë treguar pak mbështetje për Mubarakun, qysh se filluan protestat, ndërsa disa i kanë bërë thirrje të hapur atij, që të paraqesë dorëheqje.

Uashingtoni, që i jep Egjiptit ndihmë në shumë prej 1.5 miliardë dollarë në vit dhe që për një kohë të gjatë e ka konsideruar Mubarakun si aleat kryesor për strategjinë amerikane në Lindjen e Mesme, ka dhënë shenja se Mubaraku do të duhej të tërhiqej, kur i kalon mandati në muajin shtator, por jo më herët.

Në një intervistë për rrjetin televiziv Fox News në Shtetet e Bashkuara, presidenti Barak Obama tha se Egjipti ka ndryshuar përgjithmonë, si rezultat i protestave masive, që kishin shpërthyer para dy javësh.

“Egjipti nuk do të kthehet prapa ku ishte. Populli i Egjiptit dëshiron liri, ata dëshirojnë zgjedhje të lira dhe korrekte, ata dëshirojnë qeveri përfaqësuese, ata dëshirojnë qeveri përgjegjëse”,
tha Barak Obama.

Disa vëzhgues perëndimorë, janë të shqetësuar se grupet opozitare nuk do të kenë kohë të mjaftueshme për përgatitje për zgjedhje, nëse Mubaraku tërhiqet së shpejti. (f.b.)
XS
SM
MD
LG