Ndërlidhjet

AAK: Jo Qeverisë Thaçi “2”


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Partia Demokratike e Kosovës si fituese e zgjedhjeve parlamentare, njofton se ende nuk ka bërë asnjë ofertë zyrtare për koalicionin e ardhshëm qeverisës. Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përsërit se nuk do të lidhë koalicion me PDK-në, nëse kryeministër i ardhshëm do të ishte Hashim Thaçi. Ndërsa, Koalicioni për Kosovën e Re pret fillimisht ofertën e partisë fituese para se të japë një qëndrim zyrtar.


Nuk ka koalicion qeverisës me Partinë Demokratike nëse për postin e kryeministrit nominohet Hashim Thaçi, është pozicioni zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Qëndrimi i AAK-së pason certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me çka edhe zyrtarisht PDK-ja si partia fituese mund t’i nisë negociatat me partitë tjera për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Aktualisht, PDK-ja dhe kandidati i saj për kryeministër, Hashim Thaçi, përveç minoriteteve, kanë në dispozicion edhe dy parti politike shqiptare për bisedime. Ato janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Koalicioni për Kosovën e Re.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë deklaruar se nuk do të lidhin koalicion me PDK-në.

Por, PDK-ja duket se do ta ketë të pamundur koalicionin me AAK-në. Avni Arifi nga kryesia e AAK-së thotë se kjo parti politike nuk do të hyjë në asnjë variant në koalicionin e ardhshëm qeverisës nëse në krye të Qeverisë mendohet të jetë Hashim Thaçi.
...nuk hyjmë në Qeveri me Hashim Thaçin kryeministër.


”Pozicioni i AAK-së është definitiv dhe është po ai që ka qenë edhe para tri vitesh, para dy vitesh, para një viti dhe është edhe tash se nuk hyjmë në Qeveri me Hashim Thaçin kryeministër. Është në interes jo vetëm të AAK-së, por edhe të Kosovës që Hashim Thaçi të mos jetë kryeministër i vendit”,
deklaron Arifi.

Më i rezervuar në qëndrime shprehet subjekti tjetër, Koalicioni për Kosovën e Re. Ibrahim Makolli, deputet nga ky Koalicion, thotë se pozicioni në lidhje me marrëveshjen e mundshme me PDK-në, do të dihet pas ofertës.

“Pas ofertës ose ftesës për biseda me partinë fituese, natyrisht ne do t’i përgjigjemi asaj ftese dhe do ta shohim ofertën e tyre dhe pastaj varësisht saj, do të marrim një qëndrim të qartë”,
thotë Makolli.

Ibrahim Makolli

Në analiza dhe shkrime të ndryshme ishte paraparë si mundësi që PDK-ja t’i ftojë në koalicion, si AAK-në, ashtu edhe Koalicionin për Kosovën e Re. Edhe një formulë e tillë, sipas Makollit, do të ishte një objekt diskutimi e shqyrtimi, pasi që të jetë elaboruar nga partia fituese.

Tash për tash nuk mund të thuhet diçka me saktësi të tillë. Natyrisht, do të shihet se cila mund të jetë hapësira në njërin apo variantin tjetër dhe varësisht kësaj hapësire të veprimit, do të jetë edhe përgjigja e jonë”, thekson Makolli.

Në anën tjetër, AAK-ja mendon se do të përfshihej në negociata për qeverinë e re vetëm nëse PDK-ja heq nga kandidimi liderin e saj Hashim Thaçin. Një qeveri pa Hashim Thaçin, sipas Avni Arifit, mund edhe të negociohet.

“Të bisedojmë. Së pari duhet të kemi tjetër kryeministër, pastaj të shohim ofertën dhe detajet tjera të ofertës”,
thekson Arifi.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate me shkrim njofton ende nuk i ka bërë ndonjë ofertë zyrtare asnjë subjekti politik.

“Të gjitha informatat e plasuara në opinion për përbërjen e Qeverisë së ardhshme, e aq më shumë për ndarjen e resorëve qeveritarë apo të pozicioneve të tjera institucionale, duke përfshirë edhe përfoljen e zyrtarëve të caktuar, qoftë nga Partia Demokratike e Kosovës apo nga parti të tjera, janë të paqëndrueshme dhe në nivel të spekulimeve”, thuhet në komunikatë.

Duke i cilësuar si spekulime e thashetheme njoftimet për arritjen e marrëveshjeve për qeverinë e re, PDK-ja zotohet se për bisedimet dhe ofertat e saj, mediat dhe opinioni do të njoftohen sapo të ketë veprime zyrtare në drejtim të formimit të qeverisë së re.
XS
SM
MD
LG