Ndërlidhjet

logo-print
Klubi për Politikë të Jashtme vlerësoi se për shkak të imazhit të dëmtuar të Kosovës në botë, pas raportit të Dik Martit, vendi rrezikon ta forcojë mosinteresimin e investitorëve të huaj për ekonominë kosovare. Kjo organizatë i bëri thirrje qeverisë së ardhshme që ta ndryshojë qasjen e saj karshi investitorëve të huaj dhe mekanizmave financiarë ndërkombëtarë.


Kosova duhet të ketë një qeveri kompetente dhe të besueshme, e cila do të jetë në gjendje ta rregullojë imazhin e dëmtuar kohëve të fundit në botë, i cili ka ndikuar në uljen e mëtejme të interesit për investime të huaja në vend, theksuan përfaqësues të Klubit për Politikë të Jashtme.

Në raportin e fundit “Ose qeveri të korruptuar, ose investime të huaja”, kjo organizatë joqeveritare vlerësoi se institucioneve përgjegjëse në Kosovë u ka munguar një strategji për nxitjen e investitorëve të huaj në dhjetë vitet e fundit dhe se pas publikimit të raportit të Dik Martt është thelluar më tej, siç thuhet, kriza ekonomike e vendit.

Drejtori ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, Yll Hoxha, theksoi rëndësinë që ekzekutivi kosovar ta ndryshojë qasjen dhe sjelljen karshi investitorëve të huaj.
Me një imazh të tillë, Kosova rrezikon procesin e saj shtetformues dhe brenda këtij rrezikimi, gjithsesi se konteston dimensionin e saj
politik...

“Me një imazh të tillë, Kosova rrezikon procesin e saj shtetformues dhe brenda këtij rrezikimi, gjithsesi se konteston dimensionin e saj politik - pra, tërheqjen e investimeve të huaja, të cilat janë të domosdoshme për një ekonomi siç është ajo e Kosovës”, u shpreh Hoxha.

Ai paralajmëroi se, për shkak të hapave që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë deri më tani në fushën e ekonomisë, qeveria e ardhshme do të detyrohet t’i shfrytëzojë asetet e saj vendore për kompensime buxhetore të deficitit buxhetor të krijuar për shkak të investimeve kapitale, siç është autostrada Vërmicë-Merdar, por edhe për shkak të zgjerimit të mëtejmë të buxhetit.

Hoxha tha se Qeveria e Kosovës duhet ta trajtojë me kujdes edhe shfrytëzimin e këtyre aseteve vendore dhe të marrë hapa adekuatë lidhur me privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, koncesionimin e resurseve energjetike dhe lidhur me privatizimin apo koncesionimin e resurseve turistike në Brezovicë.

Për të zgjuar interesin e investitorëve gjatë këtyre proceseve, sipas ekspertit për ekonomi, Berat Rukiqi, investitorëve eventualë duhet t’u ofrohet përshpejtimi i procedurave burokratike për investime.
Qasja duhet të jetë kësisoj: qasje transparente, vendimmarrje e shpejtë - të mos krijohen procedura të tjera shtesë...


“Qasja duhet të jetë kësisoj: qasje transparente, vendimmarrje e shpejtë - të mos krijohen procedura të tjera shtesë, të cilat e pengojnë procesin dhe, në të njëjtën kohë, kjo të trajtohet në kuadër të prioriteteve të qeverisjes për këtë vit”,
tha Rukiqi.

Në radhën e prioriteteve të qeverisë së ardhshme, sipas përfaqësuesve të Qeverisë në dorëheqje të Kosovës, pritet të jetë dhe ngritja e pagave të punëtorëve.

Një ngritje e tillë dështoi së fundi pas mosmarrëveshjeve ndërmjet ekzekutivit në dorëheqje dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Drejtori ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, Hoxha, foli për pasojat që mund t’i ketë në aspektin ekonomik acarimi i mëtejmë i raporteve ndërmjet Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë financiarë.

“Me kokëfortësinë e njëjtë, me vendimin e njëjtë për këtë bymim të buxhetit jashtë kapaciteteve, Kosova rrezikon marrëdhëniet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, me Bankën Botërore, me Komisionin Evropian që nënkupton humbje bukur të madhe të fondeve të mundshme, të cilat vijnë si donacion me buxhetin e Kosovës”,
theksoi Hoxha.

Lexoni edhe këto:

Investimet e huaja dhe ndërtimi i imazhit
Si të rikthehen investitorët?
XS
SM
MD
LG