Ndërlidhjet

AAK përkrah koalicionin PDK-LDK-AAK


Këshilli Drejtues dhe Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një mbledhje të përbashkët, vlerësuan se gjendja në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë si në aspektin ekonomik, politik, institucional dhe shtetëror.

Në komunikatën e kësaj partie thuhet se "mungesa e liderit Ramush Haradinaj është ndierë në tërë skenën politike dhe si pasojë e kësaj gjendja në Kosovë është rënduar edhe më shumë".

"Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për qartësi politike, veprime të mençura institucionale, në mënyrë që të ndryshohet për të mirë kahu që ka marrë vendi për shkak të procesit të lënduar zgjedhor dhe qeverisjes së keqe në tre vjetët e kaluar", vijon komunikata.

AAK vlerëson se duhet pranuar rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat janë certifikaur nga KQZ më 7 shkurt, përkundër, siç thuhet në komunikatë, vërejtjeve të shumta për procesin zgjedhor, i cili është karakterizuar me parregullsi.

Si rrugëdalje nga rrethanat aktuale, AAK sheh krijimin e koalicionit të gjerë midis PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

"Në një përbërje të tillë, AAK-ja do të jepte kontributin e vet për të stabilizuar shtetin e Kosovës, për të tejkaluar ngërçin politik, për të përmirësuar kornizën ligjore zgjedhore dhe për të vendosur sundimin e ligjit në prioritet të pashmangshëm", thuhet në komunikatë.

"Në rast të mosmbështetjes së këtij propozimi nga subjektet tjera politike, Këshilli Drejtues dhe Kryesia e AAK-së vendosin që AAK-ja përfundimisht të qëndrojë në opozitë parlamentare", përfundon komunikata e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG