Ndërlidhjet

LDK nuk e pranon propozimin e AAK-së


Lidhja Demokratike e Kosovës refuzoi propozimin e AAK-së, që formula e ardhshme qeverisëse të ndërtohet nga treshja PDK, LDK dhe AAK.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, tha se LDK-ja mbetet te pozicioni i mëhershëm se nuk lidh koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit, pasi që këtë parti politike e sheh si përgjegjëse për manipulimet dhe parregullsitë gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

“Nuk është propozim i ri i AAK-së, edhe pse ata sot e kanë shndërruar në propozim zyrtar. Qëndrimi i LDK-së dihet. LDK nuk hyn në koalicion me PDK-në dhe se ne nuk e kemi kushtëzuar asnjëherë hyrjen në qeveri me një parti të tretë”
, tha Shala.

Gjatë ditës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mori një vendim, sipas të cilit, kjo parti politike do të përfshihej në qeverinë e ardhshme, vetëm nëse ajo do të formohej nga treshja PDK-LDK dhe AAK.

Një formulë e tillë qeverisëse do të kontribuonte në stabilizimin e shtetit të Kosovës, do të tejkalonte ngërçin politik dhe do të përmirësonte kornizën ligjore zgjedhore, tha anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri.

Por, në rast se nuk përkrahet ky propozim, Tahiri tha se AAK-ja, përfundimisht mbetet në opozitë dhe nuk preferon qeverisje vetëm me PDK-në dhe Hashim Thaçin.

“Në rast të mosmbështetjes së këtij propozimi nga subjektet tjera politike, Këshilli Drejtues dhe Kryesia e AAK-së vendosin të martën, më 8 shkurt 2011, që AAK-ja përfundimisht të qëndrojë në opozitë parlamentare”,
deklaroi Besnik Tahiri.

Duke e refuzuar formulën qeverisëse PDK-LDK dhe AAK, Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike theksoi se si zgjidhje mund të jetë arritja e një marrëveshjeje politike për formimin e një qeverie të përkohshme gjithëpërfshirëse, e cila do të kishte mandatin e qartë - përgatitjen e vendit për një proces të ri zgjedhor.

“Zgjidhja që ofrojmë ne në këtë situatë delikate është që të kemi një marrëveshje politike që të krijohet një qeveri e përkohshme, e cila do të përgatiste zgjedhje të rregullta e të ndershme dhe kjo qeveri do të kishte mandatet e përcaktuara me data”,
theksoi Kujtim Shala.

Ndërkaq, sipas Besnik Tahirit të AAK-së, formula qeverisëse e ndërtuar nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja do ta stabilizonte vendin dhe do ta drejtonte atë në proceset e rëndësishme, si në aspektet e zhvillimit të brendshme ekonomik, ashtu edhe në politikën ndërkombëtare, me theks të veçantë në bisedimet e ardhshme me Serbinë.

“Ne e dimë se kemi probleme shumë të mëdha. Ne e kemi sot Kosovën pa buxhet të miratuar, kemi probleme të mëdha edhe me obligimet që kemi hyrë si shtet për shërbyesit civil dhe mbi të gjitha mbi supet tona kemi raporte të këqija për Kosovën, të cilat na rëndojnë në imazhin ndërkombëtar. E, në anën tjetër, kemi edhe kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare për bisedime me Serbinë”,
u shpreh Tahiri.

Formula e AAK-së nuk u komentua nga PDK-ja, si fituese e zgjedhjeve, e cila tani edhe zyrtarisht është futur në fazën e ofertave për formimin e qeverisë së re.

Por, në bazë të disponimit të partive tjera politike, PDK-ja dhe kandidati i saj për kryeministër, Hashim Thaçi, tani kanë në dispozicion për bisedime vetëm pakicat dhe Koalicionin për Kosovën e Re të Behxhet Pacollit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG