Ndërlidhjet

KE: Më shumë punë në sundimin e ligjit


Footografi ilustruese

Footografi ilustruese

Komisioni Evropian ka kërkuar nga Kosova që të bëjë më shumë punë në fushën e sundimit të ligjit. Zyrtarët evropianë i kanë bërë këto komente gjatë takimit të Nën-komitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, në kuadër të dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit, që po mbahet në Prishtinë. Zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje kanë vlerësuar se Kosova gjatë viti 2010 ka shënuar rezultate në drejtim të përmbushjes së obligimeve për liberalizimin e vizave.


Komisioni Evropian ka kërkuar sërish nga institucionet e Kosovës që të përkushtohen në forcimin e sundimit të ligjit, nëse dëshirojnë që të shkurtojnë rrugën në procesin e liberalizimit të vizave.

Në takimin e dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit të Nën-komitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, drejtori i përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Lukas Holub, ka theksuar se takimi duhet t'i përcaktojë detyrat konkrete të institucioneve të Kosovës në lëmin e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, me theks të veçantë në sundimin e ligjit.
Ne duam që të keni një përkushtim më të madh në këtë drejtim, duke marrë parasysh që është e rëndësishme, që Kosova të arrijë procesin e liberalizimit të vizave.

“Në vitin 2010 SPD ka ndihmuar që të bëhet një mobilizim i reformës në fushat kryesore të sundimit të ligjit. Shpresojmë se do të arrihet përparim i mëtejmë këtë vit nga autoritetet e Kosovës. Ne duam që të keni një përkushtim më të madh në këtë drejtim, duke marrë parasysh që është e rëndësishme, që Kosova të arrijë procesin e liberalizimit të vizave
”, ka thënë Holub.

Ai ka shtuar se Raporti i Progresit i 2011-ës do të marrë parasysh arritjen në fushën e riatdhesimit, luftën ndaj krimit të organizuar dhe funksionimin e Gjyqësorit.

Në Raportin e Progresit të vitit të kaluar, Kosova është kritikuar sa i përket fushës së sundimit të ligjit.

Megjithatë, ministri në dorëheqje i Integrimeve, Besim Beqaj, ka thënë se institucionet e Kosovës, janë duke shënuar progres në drejtim të përmbushjes së obligimeve që kërkohen për procesin e liberalizimit të vizave.

Beqaj ka theksuar se Kosova dhe Komisioni Evropian, do të diskutojnë dhe pajtohen mbi masat kryesore që do të ndërmerren dhe të cilat do të çojnë drejt fillimit zyrtar të dialogut për liberalizimin e vizave.
Në kuadër të punëve të brendshme, është shënuar progres, sidomos në procesin e ripranimit dhe riintegrimit...


Siç jeni të informuar, gjatë vitit të kaluar është shënuar progres i konsiderueshëm në fushat, të cilat mbulon ky Nën-komitet. Kështu, në kuadër të punëve të brendshme, është shënuar progres, sidomos në procesin e ripranimit dhe riintegrimit, përmes kompletimit të kornizës ligjore, asaj të politikave dhe forcimit të institucioneve, si në nivelin qendror, ashtu edhe atë lokal”, ka theksuar Beqaj.

Në këtë takim janë diskutuaur edhe çështjet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, sforcimin e kapaciteteve për riintegrim dhe vazhdimin e përmirësimit të sigurisë së regjistrave dhe dokumentacionit civil.

Beqaj ka thënë se sa i takon luftimit të korrupsionit, gjatë vitit të kaluar është kompletuar korniza ligjore përmes miratimit të Ligjit për financimin e partive politike.

“Për më tepër, është përmirësuar edhe korniza institucionale përmes themelimit të Task-Forcës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Drejtorisë për luftimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit brenda Policisë së Kosovës. Gjithashtu, është përmirësuar bashkëpunimi ndërinstitucional”,
ka deklaruar Beqaj.

Gjatë tri ditëve të ardhshme do të diskutohet për rekomandimet dhe prioritetet për vitin në vijim në fushat më të rëndësishme të sundimit të ligjit.

Zbatimi i konkluzioneve të dala nga takimi dhe veprimeve pasuese do të jenë me rëndësi kyçe në përcaktimin e hapave të mëtejmë të Kosovës në procesin e Stabilizim-Asociimit, thanë zyrtarët e Ministrisë së Integrimeve.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG