Ndërlidhjet

Maqedonia mbetet në krizë


Takimi i krerëve të partive politike

Takimi i krerëve të partive politike

Takimi i krerëve të partive politike në Maqedoni nën ombrellën e presidentit të shtetit, nuk ka arritur ta zhbllokojë krizën e krijuar politike.

Partitë politike opozitare edhe më tej theksojnë se veprimin e tyre politik do ta ushtrojnë jashtë institucionit ligjvënës, meqë kërkesat e tyre nuk kanë gjetur mirëkuptim nga kreu i Qeverisë, Nikolla Gruevski.

"Po qe se kthehemi në Parlament në rrethana të këtilla, me ç’rast është më se evidente se pushteti ka arritur t’i partizojë të gjitha segmentet e shoqërisë, prezenca jonë në Parlament nuk do të legjitimojë për fat të keq politikën e regjimit totalitar të pushtetit"
, thekson deputetja e LSDM-së, Vesna Bendeska.

LSDM-ja kërkon nga Qeveria të garantojë lirinë e mediave, ndarjen në mënyrë proporcionale të fondeve për fushata mediatike, ndryshimet në kodin zgjedhor, pastrimin e listave zgjedhore dhe ndryshime kushtetuese për largimin e ministrit të Drejtësisë nga Këshilli Gjyqësor.

Por, për partinë maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE, bojkoti i punës së Parlamentit nga ana e partive opozitare, është i paarsyeshëm, sepse parakushtet që vendos opozita për t’u kthyer në Parlament, tregojnë qartë se nuk dëshiron zgjedhje të parakohshme.

"Kërkesat e opozitës thjesht janë të parealizueshme, sepse opozita ka parashtruar kërkesa jolegjitime, për të cilat vendos Gjykata dhe jo Kuvendi apo Qeveria. Me këtë dëshmon qartë se ajo, në realitet, nuk është e interesuar për zgjedhje të parakohshme ashtu siç deklarohet”
, thekson Zoran Petreski, deputet i VMRO DPMNE-së.

Ndërkohë, partia shqiptare në opozitë, Demokracia e Re, si kusht për kthimin e saj në Parlament ka apostrofuar ndryshimin e Ligjit për regjistrim, me ç`rast kërkohet që regjistrimi të mbahet në muajin korrik, si dhe ndërprerjen e menjëhershme të ndërtimit të kishës në Kalanë e Shkupit.

"Kërkojmë që urgjentisht të ndërpritet realizimi i Enciklopedisë në terren përmes projektit Shkupi 2014, me atë që urgjentisht të largohet nga Kalaja e kryeqendrës kisha e Pasko Kuzmanit, njëherësh theksojmë se Kushtetuta e Maqedonisë nuk guxon të ndryshohet pa inkorporimin e parimit të Badinterit në zgjedhjen e gjykatësve, si dhe shpërndarjen e buxhetit", deklaron Imer Selmani nga Demokracia e Re

Por, BDI-ja, pjesë e koalicionit qeveritar, thekson se opozita shqiptare manipulon me kërkesat, të cilat janë objektiv i realizimit të po kësaj partie.

"Opozita shqiptare ka disa kërkesa, të cilat realisht janë kërkesa të BDI-së, gjë që e potencoi dhe kryeministri Gruevski, kur tha se ndryshimet kushtetuese janë të kushtëzuara nga kërkesat e BDI-së që kanë të bëjnë me zgjedhjen e gjykatësve po me parimin e Badinterit, si dhe vendimmarrja në këtë institucion të bëhet sipas parimit të shumicës së dyfishtë", shprehet koordinatori i Grupit Parlamentar të BDI-së, Tahir Hani.

Ndryshe, PDSH-ja, e cila ka bojkotuar takimin e liderëve nën organizimin e presidentit të shtetit, kapërcimin e krizës politike e sheh përmes implementimit të marrëveshjes politike të ofruar nga kjo parti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG