Ndërlidhjet

logo-print
Është radha e Donald Ramsfelldit. Politikani që e nisi politikën si kongresist dhe që ngjiti shkallët e karrierës deri në postin e shefit të Pentagonit, duke pasur një rol kyç në Amerikën e pas 11 shtatorit dhe luftërat në Lindjen e Mesme, publikoi kujtimet nën titulin “E njohura dhe e panjohura”.

Ashtu si interesimi i madh për librin edhe titulli nuk është befasi. Ai e ka zanafillën në një deklaratë tashmë të famshme të Ramsfelldit që daton në shkurt të vitit 2002.

Ka gjëra të ditura, ashtu siç ka të tjera që jemi të ndërgjegjshëm se i dimë. Gjithashtu, ka të panjohura të ditura për ne. Me këtë dua të them se e dimë se ka të panjohura për ne. Por, nuk duhet të harrojmë se ka dhe të panjohura, për të cilat nuk jemi të ndërgjegjshëm. Ato që nuk i dimë nuk i dimë”, thotë Ramsfeld.

Duke pasur parasysh natyrën luftarake të Ramsfelldit, nuk është befasi për askënd fakti se ai nuk ka hequr dorë nga qëndrimet e tij më kundërthënëse.

Ai nuk tërhiqet aspak sa i përket luftës në Irak. Ndonëse e pranon se arsyeja kryesore, armët e shkatërrimit në masë, nuk u gjetën në Irak, sipas tij, largimi i Sadam Huseinit e bën legjitime ndërhyrjen e vitit 2003.

Libri “E njohura dhe e panjohura” nga Donald Ramsfelld

“Heqja qafe e regjimit brutal të Sadam Huseinit ka krijuar një botë më të sigurt e më të qëndrueshme”
, shkruan Ramsfelld.

Qëndrimin ai e përsëriti edhe gjatë paraqitjeve të fundit në mediat amerikane.

“Ajo çfarë dini sot, mund t’ju ndihmojë të ndryshoni të konceptuarit e së nesërmes, por nuk të ndihmon me të shkuarën. Në atë kohë kishim besim të konsiderueshëm se Sadam Huseini i kishte këto armë”,
thotë Ramsfelld.

Arratia e Bin Ladenit nga Tora Bora në dhjetor të vitit 2001, një tjetër nga dështimet që i faturohen Ramsfelldit, nuk pranohet nga ish-shefi i Pentagonit. Sipas tij, ai asnjëherë nuk ka marrë informacione të besueshme nga shërbimet sekrete se Bin Ladeni gjendej në Tora Bora. Ramsfelld thotë se faji mbetet në shpatullat e ish shefit të CIA-s, Xhorxh Tenet, dhe gjeneralit Tomi Frenks.

Ramsfelldi nuk ngurron të fajësojë shtypin “e papërgjegjshëm” perëndimor për teprimet e mëdha në raportimin mbi vjedhjet dhe bastisjet në Irakun e pas Sadamit.

Në 850 faqet e librit me kujtime të Ramsfelldit, ka shumëçka për të lexuar. Karriera e tij nisi në vitin 1962 si anëtar i Kongresit nga shteti i Illinoisit dhe vazhdoi me shumë poste përfshirë dhe shefin e mbrojtjes në administratën e presidentit Ford. Përveç posteve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë Ramsfelldi pati një përvojë disa vjeçare dhe në sektorin privat.

Një nga elementet e reja që sjell libri është dhe fakti se shefi i Pentagonit ka ofruar dy herë dorëheqjen në vitin 2004 pas bërjes publike të skandalit në burgun Abu Graib në Irak.

“Veprime të papranueshme janë bërë mbi qeniet njerëzore derisa Shtetet e Bashkuara ishin në drejtim. Si shef i Departamentit të mbrojtjes, me 3 milionë njerëz nën komandë, e kam ndier për detyrë të marr përgjegjësinë institucionale për dështimin. Ka qenë presidenti Bush ai që nuk e ka pranuar dorëheqjen e Ramsfelldit, pasi, sipas këtij të fundit, largimi i tij nuk do të linte në harresë skandalin e Abu Graibit. ‘Më vjen keq që nuk u largova në atë kohë’”,
shkruan rreth shtatë vite më pas Ramsfelldi.

Për të pasionuarit me dramat politike në Uashington libri ofron mjaft. Ramsfelldi tregon dhe për përplasjet personale duke kritikuar jo pak Kondoleza Rajsin dhe Kolin Pauellin.

Në mandatin e parë të Bushit, Rajs ishte këshilltare e sigurisë kombëtare, detyrë të cilën nuk e ka kryer si duhet, sipas Ramsfelldit. Ai thotë se Rajs e kishte keqkuptuar natyrën e punës, takimet ishin të organizuara keq, agjenda ndryshonte shpesh në momentin e fundit dhe shënimet nga takimet ishin të një cilësie të dobët.

Më i ashpër Ramsfelldi është me ish-Sekretarin e Shtetit, Kolin Pauell, e në veçanti deklaratat e tij të mëvonshme rreth paraqitjes në Këshillin e Sigurimit lidhur me Irakun.

Vite më pas Pauelli tha se e kishin keqorientuar dhe keqinformuar përpara atij takimi ku ai mbrojti pushtimin e Irakut.

“Pauelli nuk ishte keqorientuar nga askush dhe as gënjeu rreth armëve të shkatërrimit në masë të Sadamit. Presidenti nuk gënjeu. Zëvendëspresidenti nuk gënjeu. Ashtu siç nuk gënjeu as Rajs dhe as unë vetë. E vërteta, shumë më pak dramatike, është se ne ishim gabim”
, shkruan Ramsfelld në kujtimet e veta.

Qëndrim të njëjtë Ramsfelld kishte përsëritur dhe në intervistat e ditëve të fundit.

“Ideja se Kolin Pauell po gënjente apo ishte mashtruar, është e pakuptimtë. Ai besonte në ato që thoshte. Ushtria jonë besonte, gjithashtu”,
kishte thënë Ramsfelld.(i.b)
XS
SM
MD
LG