Ndërlidhjet

WSJ: Thirrja e Kameronit për zgjim


Dejvid Kameron

Dejvid Kameron

"Wall Street Journal"


“Multikulturalizmi ka dështuar”, tha kryeministri britanik, Dejvid Kameron, fundjavën e kaluar në Mynih të Gjermanisë. Fjalë të këtilla janë dëgjuar edhe më herët. Në tetor të vitit të kaluar, kancelarja gjermane, Angela Merkel, e pati thënë të njëjtën gjë.

Përfundimisht, duket se liderët e Evropës e kanë kuptuar atë që të tjerët e kishin theksuar shumë kohë më parë: multikulturalizmi ishte politika më e dëmshme dhe përçarëse, e zhviluar nga qeveritë perëndimore prej Luftës së Dytë Botërore.

Multikulturalizmi është thellësisht dije e keqkuptuar. Ky ishte njëri nga shkaqet e suksesit të saj politik.

Njerëzit ishin të udhëhequr për të besuar se “multikulturalizmi” nënkupton multikulturalizëm ose plularizëm. Nuk është kështu. Megjithatë, për vite, çdokush që e kishte kritikuar multikulturalizmin, menjëherë ishte cilësuar si “racist”.

Por, karakteri i vërtetë dhe efektet e politikës nuk mund të fshihen gjithnjë. Multikulturalizmi i sponsorizuar nga shteti, i ka trajtuar vendet e Evropës sikur hotelierë.

Ishte vlerësuar se shteti nuk do të duhej të “impononte” rregulla dhe vlera për të ardhurit e rinj. Por, përkundrazi, duhej përshtatur ndaj kërkesave të imigrantëve.

Politika që rezultoi ishte se shtetet i vlerësonin dhe i gjykonin njerëzit nga kriteri se cilit komunitet ata i përkisnin.

Kjo në Britani, për shembull, nënkupton se nëse ju jeni vajzë e bardhë angleze, e lindur në familje angleze dhe familja e juaj vendos që t’ju martojë kundër dëshirës suaj, me një njeri të vjetër e të krisur, shteti do të intervenonte.

Por, nëse ju e keni fatin e keq, që të jeni e lindur në një familje me origjinë aziatike, edhe nëse ju ndodh e njëjta gjë, atëherë shteti do t’ju shikojë në një mënyrë tjetër.

Në vitin 1984, drejtori i një shkolle britanike, Rej Honiford, në mënyrë të kulturuar sugjeroi në një artikull në “Salisbury Review”, se mund të jetë ide e mirë nëse studentët në shkollën e tij të themeluar nga shteti, do të ishin të aftë të flisnin anglisht dhe që të mos zhduken për muaj të tërë në Pakistan, në atë kohë.

Rezultati ishte një varg i akuzave për “racizëm”, që plotësisht i injoruan argumentet e tij dhe e përshpejtuan fundin e karrierës së tij.

Modeli i multikulturalizmit ndoshta do të kishte zgjatur shumë më tepër, po të mos ishte islami radikal.

Sulmet terroriste dhe komplotet në mbarë Britaninë dhe Evropën, shpeshherë nga ekstremistët e rritur në ato vende, mundësuan një pikë të kthesës, që shumë pak njerëz të ndjeshëm mund ta injorojnë. Tash shtrohet pyetja se çka mund të bëhet.

Në fjalimin e tij në Mynih, zoti Kameron me të drejtë u fokusua në problemin e ekstremistëve islamikë, të rritur në vendet e lindjes. Ai i theksoi disa hapa preliminarë, ndër ta edhe atë që grupet, vlerat e të cilëve janë në kundërshtim me ato të shtetit, nuk do të mund të ndihmohen me parat e taksapaguesve.

Kjo është një shenjë se sa thellë jemi zhytur, kur ndalja e fondeve për kundërshtarët e shoqërisë do të paraqiste një përmirësim.

Kjo është politika e parë, por jo e fundit. Fakt është se Britania, Gjermania, Holanda dhe shumë vende të tjera evropiane e kanë ushqyer më tepër se një gjeneratë të shtetasve, që duket se nuk ndjejnë lojalitet ndaj vendit të tyre dhe të cilët, përkundrazi, shpeshherë duket se e nënçmojnë atë.

Komunitetet myslimane, në të cilat u fokusua zoti Kameron, nuk do ta reformojnë vetveten. Pra, Qeveria britanike do të duhej t’i shkatërrojë dhe dënojë organizatat terroriste, përfshirë edhe disa organizata “humanitare”.

Ka grupe që janë të ndaluara në Shtetet e Bashkuara, por ato mund dhe ende operojnë me status bamirës në Britani. Klerikët dhe individët e tjerë, që vijnë nga jashtë për të predikuar urrejtje dhe ndarje, duhet të dëbohen.

A do të arrijë zoti Kameron ta bëjë ndonjërën prej këtyre gjërave? Ka arsye për të qenë skeptikë. Pas sulmeve me bomba në metro dhe autobusë në Londër, në vitin 2005, sulme që u bënë nga myslimanët e lindur në Britani, ish-kryeministri Toni Bler, pati thënë se “rregullat e lojës po ndryshojnë”. Por, ato mbeten të njëjta.

Është e mundshme që zoti Kameron të tregojë më tepër guxim politik. Nëse po, atëherë ai padyshim do të kritikohej ashpër nga mbrojtësit e multikulturalizmit.

Por, ai po ashtu do të bëhej lider i rëndësishëm. Nëse ai këtë nuk e bën, atëherë gjeneratat e ardhshme, në këtë pikë, do ta ndërlidhin atë me kryeministrin e kaluar. (f.b.)

XS
SM
MD
LG