Ndërlidhjet

QKU: Problemet me kuadrin profesional


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Klinika Gjinekologjike Obstetrike e Kosovës përballet me probleme të natyrave të ndryshme, por frekuenca e shumtë e pacienteve është njëra nga ato që e rëndon më së shumti, thonë zytarët shëndetësorë.

Shefqet Lulaj, drejtor i Klinikës Gjinekologjike, thotë se vetëm 28 për qind e pacienteve janë nga Prishtina, derisa të gjitha të tjerat vijnë nga komunat e tjera të Kosovës.

Sikur të kryheshin punët në lindoret e klinikave tjera, ne do të kishim kohë të merreshim me pacientet që kanë nevojë, për shkak të komplikimeve, dhe sigurisht se sukseset do t’i kishim më të mira”, thotë Lulaj.

Ndërkaq, pacientët ankohen si për kushtet, ashtu edhe për sjelljet jo të mira të mjekëve dhe infermiereve. Salije Gashi shprehet:

“Kemi qenë 3 deri në 4 veta në një shtrat, ka qenë katastrofë... u bërtisnin pacienteve në mënyra shumë të këqija”.

Në anën tjetër, zoti Lulaj thotë se Ministria e Shëndetësisë duhet të merret më seriozisht me këtë çështje, në mënyrë që të koordinojë punësimin e mjekëve, duke mos i koncentruar të gjithë specialistët në Qendrën Klinike.

“Mendoj se Ministria e Shëndetësisë duhet të koordinojë punësimin e mjekëve specialistë, sepse lindoret duhet të kenë kuadër të mjaftueshëm. Ato tani kanë mbetur pa specialistë të gjinekologjisë, pasi të gjithë janë koncentruar në QKUK”, shprehet Lulaj.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se në konkurset e fundit që ka shpallur kjo ministri, i ka kushtuar prioritet shpërndarjes së profesionistëve të ardhshëm në të gjitha spitalet rajonale.

Sipas tij, në të ardhmen nuk do të ketë akumulim të profesionistëve në Prishtinë, e pjesët tjera të mbeten të pambuluara.

Ministria ka bërë një distribuim të gjinekologëve në territorin e Kosovës. Por, për të gjithë obstetrit dhe gjinekologët, Qendra Klinike Universitare mbetet vendi më i preferuar për të punuar. Përveç rasteve që referohen të shkojnë në QKUK, ka edhe një numër të madh të pacienteve që vendosin vetë të vijnë në këtë klinikë, duke qenë të bindura se shërbimi terciar është më i avancuar”, thotë Hoti.

Vështirësi të tjera për Klinikën Gjinekologjike thuhet të ketë paraqitur edhe mungesa e materialit shpenzues dhe e medikamenteve, si dhe ngrohja në nivel jo të duhur.
XS
SM
MD
LG