Ndërlidhjet

Bojkoti i institucioneve nga ana e opozitës maqedosane dhe asaj shqiptare vlerësohet në mënyra të ndryshme nga qarqet e analistëve në vend.

Sllobodan Çashule, njohës i zhvillimeve politike dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, thotë se Maqedonia ndodhet në gjendjen e tanishme politike si pasojë e, siç shprehet ai, politikanëve të papjekur. Fajin për këtë gjendje, Çashule ia hedh në veçanti opozitës.

“Ne kemi politikanë të papjekur, të cilët në një situatë të këtillë të ndërlikuar, si në planin rajonal, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, dëshirojnë të luajnë me krizën, duke menduar se me dhunë do të mund ndryshojnë vullnetin e qytetarëve të deklaruar në katër ciklet zgjedhore, në të cilat ata që dëshirojnë të shkaktojnë krizë, u mundën bindshëm”, shprehet Çashule.

Ndryshe nga ai mendon analisti politik, Albert Musliu. Sipas tij, zgjedhjet e parkohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme për dalje nga situata e krijuar.

Musliu thotë se kërkesat e opozitës për reforma në legjislacionin zgjedhor janë legjitime, pasi Maqedonia, sipas tij, që nga vitet ‘90, në vazhdimësi është përballur me probleme në zgjedhje. Refuzimi i kërkesave është pjesë e lojës apo kalkulimeve që bëjnë partitë, thotë Musliu.

A ka lojëra? Normalisht se ka lojëra. Gjëra të tilla ka edhe në radhën e pushtetit, pasi sikur të isha aq i sigurt në fitoren time, i bëj reformat, dal në zgjedhje dhe prap fitoj mandatin e popullit dhe vazhdoj të qeveris. Por, çështja është te percepcioni, pasi qeveria humbi, si të thuash, primatin te populli dhe tash imponon një lojë tjetër”.

“Mendoj se zgjidhja është e thjeshtë, nëse ka vullnet nga të dyja palët për zgjedhje. Kjo mund të behët pasi pushteti ka shumicën e nevojshme për t'i bërë reformat. Nëse i bën ato, mund edhe të organizojë zgjedhje. Në këtë rast, opozita nuk do të mund të gjente justifikim për të mos marrë pjesë në zgjedhje nëse bëhen reformat. Në një situatë të këtillë i gjithë procesi mbyllet”,
deklaron Musliu.

Por, Çashule thotë se qëndrimin e tij mbi rolin jokonstruktiv të opozitës e ndajnë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët veçmë i kanë bërë thirrje opozitës të rishqyrtojë qëndrimin e saj për bojkotin e institucioneve.

Çashule shpreh bindjen se me një porosi të tillë nesër në Shkup do të vijë edhe Tomas Kantrimen, zëvendësndihmësi i sekretares shtetërore të SHBA-ve, i angazhuar për Evropën.

“Fakt është se kemi politikanë joseriozë që udhëhiqen nga ambiciet e tyre të sëmura për të ardhur në pushtet, andaj duhet që të vijë dikush nga jashtë dhe t’u thotë: ndërgjegjësohuni”.

“Qëndrimi i opozitës për mua është brengosës, pasi ata po instalojnë sistemin e bllokimit të shtetit nga ana e partive që humbin zgjedhjet, që përmes bojkotit të institucioneve të diktojnë shumicën që ka fituar zgjedhjet, të punojë sipas programit të opozitës. Kjo fare nuk ka të bëjë me demokracinë dhe të gjithë të huajt që vijnë këtu e dënojnë një qasje të këtillë të partive”, thekson Çashule.

Në funskion të zgjidhjes së krizës politike ishte edhe takimi i para dy ditëve i thirrur nga presidenti Gjorgje Ivanov, por liderët e opozitës mbetën në qëndrimet e tyre se kriza mund të zgjidhet vetëm me shpalljen e zgjedhjeve të parakoshme. Por, papraprakisht ato kanë vendosur plotësimin e disa kushteve për mbajtjen e tyre, siç është garantimi i pavarësisë së mediumeve, ndryshimi i ligjeve zgjedhore dhe sigurimi i pavarësisë së plotë të pushtetit gjyqësor.
XS
SM
MD
LG