Ndërlidhjet

Politika dhe korrupsioni pengojnë ligjet


Foto ilustruese

Foto ilustruese

Për të shkurtuar rrugën e liberalizimit të vizave, Kosovës i është kërkuar që të forcojë sundimin e ligjit. EULEX-i, që ka për mision sundimin e ligjit, thotë të ketë identifikuar shumë sfida në këtë fushë. Por, mbetet dilema se si të tejkalohen sfidat, sidomos në veri, ku as Prishtina e as ndërkombëtarët nuk shtrijnë kontrollin e tyre.


Synimet e Kosovës për të liberalizuar vizat e më pas edhe për t’u integruar në Bashkimin Evropian kërkojnë kapërcimin e shumë sfidave, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.

Zyrtarë të Komisionit Evropian, që po zhvillojnë takime me autoritetet kosovare në kuadër të Nën-komitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri, në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit, kanë kërkuar që të ketë forcim të sundimit të ligjit.

Misioni evropian për sundimin e ligjit thotë se ndikimet politike dhe korrupsioni përbëjnë faktorët kryesorë që pengojnë zbatueshmërinë e duhur të ligjeve.

Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it, numëron disa sfida që ka sundimi i ligjit në Kosovë, e për të cilat, sipas tij, EULEX-i i këshillon institucionet e Kosovës që t’i tejkalojnë.

“Një nga problemet kryesore që është parë, është interferenca në sistemin e gjyqësorit, veçanërisht ndikimet politike apo edhe ndikimet nga grupet e ndryshme të interesit. Edhe korrupsioni është një problem tjetër tepër i madh në Kosovë, jo vetëm në sistemin gjyqësor, por edhe në shumicën e dikastereve në institucionet e Kosovës”, thotë Krasnqi.

Por, autoritetet në Prishtinë shprehin bindjen e tyre se bashkëpunimi me misionin e EULEX-it do të rezultojë me forcimin dhe respektimin më të madh të ligjeve në Kosovë.

Zëvendësministri në largim i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, konsideron se fuqizimi i ligjeve nuk është pengesë vetëm në Kosovë. Sipas tij, probleme të tilla kanë të gjitha vendet në tranizicon.

Ne, për një periudhë të shkurtër kohore dyvjeçare, kemi aprovuar shumë ligje në Kuvend. Aprovimi i ligjeve do kohë, do një komodizim të strukturave... Besoj se të gjithë janë të interesuar për zbatimin e ligjit. Por, normalisht që çelësi është fillimisht te politika, përkrahja politike e zbatimit të ligjit”, thotë Xhelili.

Xhelili pjesërisht pajohet kur thuhet se korrupsioni dhe politika po ndikojnë në forcimin e ligjeve në Kosovë.

Qeveria do të marrë obligim për të zbatuar ligjin dhe është e vetmja rrugë e jona si Kosovë për të shkuar në drejtim të zbatimit të ligjeve aktuale, që Kuvendi i ka aprovuar, dhe ligjeve që janë në vijim dhe do të aprovohen”.

“Një mori faktorësh duhet të ndërmerren për t’u zbatuar ligji, duke filluar nga funksionimi i mirëfilltë i gjykatave, prokurorive, policisë, por edhe organeve hetimore”,
thekson Xhelili.

Zyrtarët e qeverisë në dorëheqje deklarojnë se me bashkërendimin e punëve ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, suksesi dhe shtrirja e sundimit të rendit dhe ligjit në mbarë territorin e Kosovës, do të jetë punë e kryer.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG