Ndërlidhjet

logo-print

Albin Kurti përgjigjet në pyetjet tuaja


Albin Kurti

Albin Kurti

Të nderuar lexues, mysafiri ynë i radhës në rubrikën "Intervista online" është lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ju mund të shtroni pyetje nga më të ndryshmet për të mësuar më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij dhe përgjigjet do t’i merrni nga vetë ai, pasi të jetë mbyllur forumi.



Kush është Albin Kurti?
Albin Kurti ka lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë. Babai i tij është inxhinier i makinerisë në pension, ndërsa nëna e tij inxhiniere e ndërtimtarisë dhe ligjëruese. Ai i ka dy vëllezër.

Në rezistencë kundër Millosheviqit
Në gusht të vitit 1997, Albini u kyç në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, si anëtar i kryesisë e më vonë si zyrtar për marrëdhënie ndërkombëtare. Kurti ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit Organizativ të protestave paqësore dhe të padhunshme studentore për lirimin e objekteve universitare, të uzurpuara me dhunë nga regjimi i Millosheviqit. Ai ishte njëri ndër udhëheqësit e protestës studentore më 1 tetor 1997, e cila u shtyp brutalisht nga policia e Millosheviqit.

Kur filloi lufta në Kosovë, në gusht të vitit 1998, Albini filloi punën në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të UÇK-së, Adem Demaçi, ku shërbeu si sekretar i zyrës. Gjatë bombardimeve të NATO-s, ai qëndroi në Prishtinë deri më 27 prill 1999, kur policia serbe e arrestoi. Më 10 qershor, me tërheqjen e forcave serbe në Serbi, ai së bashku me të burgosurit tjerë shqiptarë u transferua në burgjet serbe.

Më 13 mars 2000, në Nish, Albini u dënua me 15 vjet burg të rëndë. Gjatë gjykimit ai refuzoi të njihte legjitimitetin e gjykatës duke thënë: "Ky gjyq nuk ka asgjë të përbashkët me të vërtetën dhe drejtësinë. Ky gjyq i shërben politikës ditore të regjimit të Millosheviqit, që e ka mbajtur Kosovën nën okupim". Kur u dënua, ai tha: "Nuk është me rëndësi nëse më dënoni dhe sa më dënoni. Çdo gjë që kam bërë, e kam bërë vullnetarisht dhe me dinjitet, jam krenar për këtë dhe po të më jepej rasti, do të veproja sërish njësoj”. Si rezultat i presionit ndërkombëtar, Albini u lirua më 7 dhjetor 2001.

Në rezistencë kundër UNMIK-ut
Më 23 prill 2003, Albini diplomoi në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës dhe vazhdoi të jetë aktivist i të drejtave të njeriut dhe atyre civile.

Ai punoi si aktivist në Rrjetin e Aksionit për Kosovën (KAN) (www.kan-ks.org), të formuar në vitin 1997, që u ringjall në konferencën "Drejtimet e reja", të mbajtur në Prishtinë nga 8-13 korrik 2003. KAN ishte lëvizje e aktivistëve të rinj, që për mision kishin ndryshimet shoqërore dhe krijimin e qytetarisë aktive. Aktivitetet përqendroheshin në këto fusha kryesore: çështjet e të drejtave të njeriut dhe drejtësia sociale, arsimi, kultura dhe arti. KAN përbehej edhe prej shumë anëtarëve ndërkombëtarë.

Më 12 qershor 2005, në muret që rrethonin ndërtesën e UNMIK-ut, aktivistët shkruan parullën "JO NEGOCIATA, VETËVENDOSJE", që solli në transformimin e KAN-it në Lëvizjen VETËVENDOSJE! (www.vetevendosje.org). Shkrimi i parullave vazhdoi gati në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Kosovës dhe pastaj lëvizja filloi me përdorimin e metodave tjera të padhunshme, sikurse janë aksionet simbolike, bllokadat dhe së fundi edhe demonstratat masive. Vetëvendosja pohon se Shërbimi Policor i Kosovës, në bashkëpunim me policinë ndërkombëtare, arrestoi, burgosi dhe dënoi qindra aktivistë, ndër ta edhe Albinin (gjithsej 16 herë).

Më 10 shkurt 2007, në qendër të Prishtinës u mbajt një demonstratë me mijëra pjesëmarrës kundër Planit të Ahtisarit dhe për referendum. Me atë rast u vranë Arben Xheladini dhe Mon Balaj, si dhe u plagosën 80 të tjerë.

Albini u mbajt në burg për pesë muaj dhe pesë të tjerë në arrest shtëpiak. Ai sërish nuk e pranoi gjyqin që e quajti gjyq të UNMIK-ut. Procesi kundër Albinit u suspendua, por nuk ka përfunduar. Oda e Avokatëve të Kosovës nuk iu përgjigj thirrjes së gjyqit për ta mbrojtur Albinin. Paradoksalisht, Albini u lirua sepse s’kishte kush ta mbronte.

Në rezistencë edhe pas pavarësisë
VETËVENDOSJE thotë se meqë pavarësia e Kosovës nuk u arrit nëpërmjet vetëvendosjes, ajo mbeti pa sovranitet. VETËVENDOSJE dhe Albini vazhduan me tubime, aksione simbolike dhe protesta e demonstrata, duke theksuar se Kosova më parë se për njohje të mëtutjeshme të pavarësisë, ka nevojë për integritet territorial, sovranitet dhe zhvillim ekonomik. VETËVENDOSJE pohon se qëndrimi kundër ICO-së dhe EULEX-it konsiston te kundërshtimi i fuqive ekzekutive dhe imunitetit ndaj ligjit që kanë këto në Kosovë dhe nuk është kundërshtim i bashkësisë ndërkombëtare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG