Ndërlidhjet

Halil Matoshi përgjigjet në pyetjet tuaja


Të nderuar lexues, mysafiri ynë i radhës në rubrikën "Intervista online" është publicisti Halil Matoshi.

Ju mund të shtroni pyetje nga më të ndryshmet për të mësuar më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij dhe përgjigjet do t’i merrni nga vetë ai, pasi të jetë mbyllur forumi.


Halil MATOSHI është i lindur më 24 tetor 1961, në Kamenicë/Kosovë; i shkolluar në Kamenicë dhe Prishtinë (të mesmen në gazetari) dhe i diplomuar në Filozofi-Sociologji në Universitetin e Prishtinës. Gazetar me profesion. Ka shkruar tek gazeta e studentëve “Bota e re” (1984-1986), “Zëri i rinisë” – gazetar, dhe pastaj redaktor e kryeredaktor kur kjo e përjavshme ndërroi emër në “Zëri” deri më 2004. Kryeredaktor i revistës për kulturë dhe art “Sheshi” (1997-2004), redaktor dhe kryeredaktor në të përditshmen “Lajm” (2004-2006); redaktor e kolumnist në gazetën “Express” (2006-2009) dhe aktualisht redaktor e kolumnist në “Koha Ditore”.

Matoshi është shkrimtar dhe poet. Ka botuar pesë libra letrarë: “Frymë varresh në dallgore” (Poezi, “Bota e re” 1988); “Udhëtim nëpër ëndërr të keqe” (poezi, “Zëri”, 1994); “Lajmësi memec” (tregime, “Zëri”, 1996); “Hija e Krishtit” (poezi, “Sheshi”, 2002) dhe “Udhëtim nëpër zgjëndërr të keqe”, (ditar/ese, “Zëri” 2004.)

Matoshi ka qenë bashkëthemelues dhe drejtues i organizatës “Parlamenti rinor” 1990, pastaj kryetar i Partisë Parlamentare, 1992. I burgosur nga regjimi jugosllav për "veprimtari kundërkushtetuese" (1990) dhe i liruar nga Gjykata e Apelit në Prishtinë. Matoshi është arrestuar më 21 maj 1999 në shtëpinë e tij gjatë bombardimeve të NATO-s mbi trupat serbe të sigurisë dhe është akuzuar për terrorizëm nga neni 121 i kodit penal të Serbisë. Është liruar pas rreth një viti me ndërhyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

Në zgjedhjet nacionale të vitit 2007 i ishte bashkuar listës së Partisë Reformiste ORA, e cila nuk e kaloi pragun elektoral prej 5%.

Në shkrime dhe debate, Matoshi angazhohet për opsionin qytetar të politikës kosovare, për de-etnizimin e shtetit dhe për instalimin e një demokracie liberale në vend. Tri herë ka qenë i shpallur “Gazetar i Vitit” (1989, 2000 dhe 2004) në Kosovë, nga asociacione e shoqata gazetarësh.
XS
SM
MD
LG