Ndërlidhjet

PDK: Ftesë vetëm AKR-së


Foto arkivi
Foto arkivi
Partia Demokratike e Kosovës thotë se do t’i dërgojë ftesë për të lidhur koalicion vetëm njërës parti shqiptare në Kuvend - Aleancës Kosova e Re. Qëndrimi vjen një ditë pasi që AAK-ja tha se pa LDK-në nuk do të hyjë në bashkëqeverisje. Në anën tjetër, AKR-ja thotë se kërkesës së saj për postin e presidentit, PDK-ja nuk i ka dhënë ende përgjigje të qartë.


Partia Demokratike e Kosovës konfirmon ofertën e saj për koalicion qeverisës me Aleancën Kosova e Re të Behxhet Pacollit.

Strukturat udhëheqëse të PDK-së dhe kandidati i saj për kryeministër, Hashim Thaçi, pritet të nisin negociatat me AKR-në, e cila në zgjedhjet e fundit konkurroi si Koalicioni për Kosovën e Re, pasi që në përbërje kishte edhe subjekte tjera politike dhe fitoi 8 mandate në Parlament.

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, thotë se organet vendimmarrëse të partisë do të marrin vendime në lidhje me koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Stavileci konfirmon se AKR-së do t’i dorëzohet oferta, por jo edhe subjekteve tjera, që i kanë shprehur hapur qëndrimet në lidhje me qeverinë e re.

“Do t’i bëjmë ftesë Aleancës Kosova e Re. Ndërsa, për subjektet e tjera mbetet gjithçka në duart e kryesisë si organ drejtues për të marrë vendimin meritor. Megjithatë, gjasat janë shumë të vogla për partitë që kanë shprehur qëndrimet e tyre gjatë ditëve të fundit dhe të tjerat, që nga fillimi janë pozicionuar se do të jenë parti opozitare”.

“Që nga fillimi dhe tash, nëse bëhet ndonjë aritmetikë, shihet se PDK-ja i ka numrat për ta pasur shumicën në parlament”,
thotë Stavileci.

Në anën tjetër, nënkryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë se kjo parti ende nuk ka marrë ofertë zyrtare nga PDK-ja, ndërkohë që konfirmon një takim të shkurtër mes kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të AKR-së, Behxhet Pacolli.

Por, nga ky takim, Kusari-Lila thotë se nuk ka rrjedhur ndonjë ofertë konkrete. AKR-ja ka thënë se do të hyjë në koalicion, po qe se PDK-ja rezervon për të postin e presidentit.

Kusari-Lila thotë se kandidimi eventual i Pacollit për president nuk ka marrë përgjigje të qartë nga PDK-ja.
|
”Deri më tash, nuk ka pasur as mohim e as pohim lidhur me këtë kandidim. Presim që kjo të bëhet në takimet zyrtare. Besoj se nëse ka gatishmëri dhe vullnet, çdo gjë është konform Kushtetutës së Kosovës dhe do të finalizohet me sukses”.

“Nëse jo, Koalicioni për Kosovën e Re disa herë e ka thënë se nuk e ka problem dhe do të qëndrojë komod edhe si opozitë parlamentare”,
shprehet Kusari-Lila.

Fakti që tri subjektet më të mëdha politike në Parlament, LDK-ja, Vetëvendosje dhe AAK-ja, tashmë janë deklaruar se nuk do të lidhin koalicion me PDK-në dhe Hashim Thaçin, sipas Blerand Stavilecit, nuk paraqet ndonjë shqetësim, pasi që PDK-ja, thotë ai, i ka numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë.

Stavileci nuk e përjashton as mundësinë që disa deputetë nga partitë e deklaruara tashmë se do të mbeten në opozitë, të lidhin marrëveshje me PDK-në dhe me këtë të sigurohet një qëndrueshmëri e qeverisë në Parlament.

Pas formalizimit dhe zyrtarizimit të bisedave, pra me këto subjekte që duan të jenë pjesë e koalicionit, të formohen institucionet e reja, të krijohet mazhoranca dhe pastaj natyrisht që gjërat do të evoluojnë dhe ne do të bisedojmë edhe me deputetët tjerë, të cilët edhe më parë kanë shprehur interesimin për të qenë pjesë e institucioneve të reja”, thekson Stavileci.

Një ditë më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës refuzoi propozimin e AAK-së, që formula e ardhshme qeverisëse të ndërtohet nga treshja PDK, LDK dhe AAK.

AAK-ja tha se një formulë e tillë qeverisëse do të kontribuonte në stabilizimin e shtetit të Kosovës. Por, sipas zyrtarëve të saj, në rast se nuk përkrahet ky propozim, AAK-ja përfundimisht mbetet në opozitë dhe nuk preferon qeverisje vetëm me PDK-në dhe Hashim Thaçin.

Në bazë të disponimit të partive tjera politike, PDK-ja dhe kandidati i saj për kryeministër, Hashim Thaçi, tani kanë në dispozicion për bisedime vetëm pakicat dhe Koalicionin për Kosovën e Re të Behxhet Pacollit.
XS
SM
MD
LG