Ndërlidhjet

Egjipti kritikon thirrjet për ndryshime


Kajro

Kajro

Protestuesit antiqeveritarë në Egjipt vazhdojnë t’i bëjnë trysni regjimit të presidentit Hosni Mubarak duke i zgjeruar demonstratat e tyre në Kajro, me shpresë që të premten t’i përhapin në tërë vendin.

I ballafaquar me protestat masive, që hynë në ditën e 17-të, Mubarak refuzon të largohet menjëherë, duke thënë se nuk do të garojë në zgjedhje.

Mijëra egjiptianë tjerë iu bashkuan të enjten valës së protestave në disa qytete të vendit, pavarësisht kërcënimeve të zymta nga reagimi i Qeverisë.

Demonstruesit tash mbajnë dy kampe protestuese në Kajro, në sheshin Tahrir, ku ndodhen për 17 ditë me radhë, si dhe para ndërtesës së Parlamentit.

Nënpresidenti Omar Sulejman kërcënoi tërthorazi se do ta dërgojë ushtrinë të rimarrë kontrollin, duke thënë se nëse vazhdojnë protestat dhe dështojnë bisedimet me liderët e opozitës për ta zgjidhur krizën, mund të ketë grusht-shtet ushtarak, i cili do të sillte shumë pasoja joracionale.

Në përgjigje ndaj fjalëve të tij, protestuesit të enjten e përforcuan bllokadën e Parlamentit dhe kampin e tendave në sheshin Tahrir. Ata u bënë thirrje që demonstrata e nesërme më 11 shkurt të jetë më e madhja, me shpresë se do t’i nxjerrin në rrugë njerëzit pas faljes së të premtes.

Protestuesit kanë marrë hov edhe nga sindikatat, të cilat kanë protestuar në mbarë vendin kundër korrupsionit dhe varfërisë. Deri tash protestat e punëtorëve kanë mbetur kryesisht jopolitike, ndërsa udhëheqësit e sindikatave janë përmbajtur nga thirrjet për largimin e Mubarakut.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Ahmed Abul Geit, i kritikoi thirrjet e nënpresidentit amerikan, Xho Bajden, që regjimi në Kajro menjëherë ta heqë gjendjen e jashtëzakonshme shumëvjeçare, e cila u jep kompetenca të mëdha forcave të sigurisë.

Geit i tha televizionit amerikan PBS, se Uashingtoni po përpiqet t’ia imponojë vullnetin e tij Egjiptit dhe se ka nevojë më mirë ta kuptojë ndjeshmërinë e krizës egjiptiane.

“Tash, derisa po flasim, ne kemi 17 mijë të burgosur që plaçkitin në rrugë jashtë burgjeve që janë shkatërruar. Si mund të flitet për të hequr Ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme? Më jepni kohë ta marr kontrollin, ta stabilizoj vendin dhe shtetin, dhe pastaj do t’i shohim gjërat”,
tha Geit.

Fqinjët e Egjiptit, gjithashtu, i bëjnë trysni Uashingtonit që të mos heqë dorë nga mbështetja e Mubarakut, apo të mos mbështesin lëvizjen demokratike, në mënyrë që ajo ta destabilizojë Lindjen e Mesme, duke u dhënë fuqi radikalëve islamistë.

Mbreti i Saudisë, Abdullah, i cili të mërkurën foli me telefon me presidentin Barak Obama, raportohet të ketë thënë se do ta mbështesë regjimin e Mubarakut nëse Uashingtoni e tërheq përkrahjen e tij.

Këto raporte i pasuan sinjalet tjera se Uashingtoni po e rrit trysninë ndaj Egjiptit që t’i përshpejtojë ndryshimet politike.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, tha se Uashingtoni po pret hapa "realë dhe konkretë" për ta transferuar pushtetin nga 82-vjeçari Hosni Mubarak, mesazh që Obama e ka përforcuar në bisedë telefonike me Mbretin Abdullah.

Ai tha se Obama e theksoi nevojën për "hapa të menjëhershëm drejt tranzicionit të rregullt, i cili do të ishte kuptimplotë, i qëndrueshëm, legjitim dhe i përgjegjshëm".

Aleksandr Vershbou, ndihmëssekretar i Mbrojtjes, i tha të mërkurën një tubimi në Izrael se Uashingtoni do të vazhdojë ta mbështesë marrëveshjen e Egjiptit dhe Izraelit të arritur në Kemp Dejvid, me politikë, e cila synon të “luftojë dhunën dhe ekstremizmin” në mbarë Lindjen e Mesme.

“Një ushtri e fortë e Egjiptit, e përkrahur nga Shtetet e Bashkuara, mund të jetë një forcë e moderuar që do të vazhdojë të mbështesë marrëveshjen e paqes ndërmjet Izraelit dhe Egjiptit”,
theksoi Vershbou.

Ndërkohë, Ben Rouds, zëvendëskëshilltar për Siguri kombëtare, tha se Shtetet e Bashkuara nuk e përcaktojnë epilogun e zhvillimeve në Egjipt, por qëndrojnë prapa parimeve dhe procesit që duhet të çojë në reforma. Rouds tha se Egjipti ka bërë shumë, por duhet të bëjë më tepër.

Përballë shqetësimeve të shtuara te vendet tjera arabe se zhvillimet mund të shtrihen në rajon dhe t’i trazojnë autokratët e tyre, Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton, tha se mënyra më e mirë që vendet arabe ta mbrojnë veten është që të fillojnë t’i adresojnë shqetësimet e qytetarëve të tyre.
XS
SM
MD
LG