Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës konstituohet më 24 shkurt


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Gjatë një takimi që ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, zhvilloi me përfaqësuesit e partive politike, u vendos që Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, të konstituohet më 24 shkurt. Në këtë seancë do të zgjidhen dhe kryetari dhe kryesia e re e Kuvendit. Ndërkohë, në Prishtinë po vazhdojnë edhe negociatat për formimin e qeverisë së re.


Kuvendi i Kosovës me përbërjen e re do të konstituohet më 24 shkurt. Kështu u vendos të enjten në një takim që ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, zhvilloi me të gjitha partitë që kanë siguruar ulëse në përbërjen e legjislaturës së re.

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, tha se në këtë seancë konstituive do të bëhet betimi i deputetëve të zgjedhur, si dhe më pas do të zgjidhen edhe organet drejtuese, kryesia dhe kryetari i Kuvendit.

Krasniqi theksoi se do të dëshironte që Kosova t’i kishte të konstituuara institucionet e reja para përvjetorit të tretë të pavarësisë, por për shkak të vonesave të procesit zgjedhor, ai tha se kjo ishte e pamundur.

Sidoqoftë, Krasniqi u shpreh i bindur se pas Kuvendit, edhe Qeveria do të formohet brenda afatit ligjor, edhe atë gjatë këtij muaji.

Dëshirojmë që konstituimin e këtyre institucioneve ta bëjmë brenda afatit kushtetues dhe është e rëndësishme që shkurti, unë besoj shumë, do ta përmbyllë këtë çështje, sepse pas seancës konstituive, menjëherë të nesërmen mund të mbahet seanca tjetër ose pas pak ditësh dhe kështu do të kemi edhe konstituimin e këtyre institucioneve”, u shpreh Krasniqi.

Një çështje tjetër që është hapur për debat këto ditë është edhe posti i ardhshëm i presidentit të Kosovës. Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, tha se çështja nëse ai apo një kandidat nga Aleanca Kosova e Re do të jenë kandidatë për president, varet nga vendimet e organeve të partisë së cilës i takon.

Jakup Krasniqi

“Janë procedurat që duhet zhvilluar në partinë politike, së cilës i përkas dhe unë i respektoj ato. Jam një drejtues i lartë i atij subjekti politik dhe unë jam i obliguar t’i respektoj procedurat që i ka partia politike – PDK”, theksoi Krasniqi.

Ndërkohë, kreu i PDK-së dhe kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, po i vazhdon konsultimet me Aleancën Kosova e Re dhe me partitë nga radhët e pakicave për formimin e qeverisë së ardhshme.

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, thotë se këto janë negociata dhe mund të diskutohet për çdo post, por jo edhe për postin e kryeministrit, i cili, sipas tij, i takon PDK-së si fituese e zgjedhjeve, dhe kandidati i vetëm për këtë pozitë është Hashim Thaçi.


“Ne mbetemi akoma te qëndrimi ynë se i vetmi post i sigurt dhe i padiskutueshëm në këto biseda do të jetë posti i kryeministrit, ndërsa për postet e tjera ne do të bisedojmë dhe do t’i vlerësojmë të gjitha opsionet dhe alternativat”,
deklaroi Stavileci.

Pas deklarimit publik të LDK-së, Vetëvendosjes dhe AAK-së se do të mbeten në opozitë, ngaqë nuk duan të lidhin koalicion me PDK-në dhe Hashim Thaçin, tani PDK-ja i ka zyrtarizuar negociatat për qeverinë dhe postin e presidentit të ardhshëm të Kosovës me Aleancën Kosova e Re, të Behxhet Pacollit dhe partitë e komuniteteve pakicë, duke besuar se ndërkohë edhe disa deputetë të partive opozitare do t’i bashkohen koalicionit të ardhshëm qeverisës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG