Ndërlidhjet

Çfarë po ndodh me pasurinë jashtë Kosovës?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Autoritetet përgjegjëse në Kosovë thonë se Republika e Serbisë po bën përpjekje për shitjen e disa aseteve të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden në territorin e saj. Ky veprim, sipas tyre, është i paligjshëm, përderisa zyrtarë në Qeverinë e Serbisë thonë se Kosova nuk ka pasuri në këtë vend dhe se shitja e tyre është valide.


Agjencia Kosovare e Privatizimit kohëve të fundit ka kuptuar se disa nga ish-Republikat e Jugosllavisë, me theks të veçantë ajo e Serbisë dhe e Malit të Zi, kanë bërë dhe po bëjnë përpjekje për shitjen e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës dhe pasurive të saj, të cilat gjenden qoftë në territorin e Kosovës, apo edhe jashtë saj, thotë Arta Gosalci, zëdhënëse në këtë agjenci.

Agjencia tërheq vërejtjen se këto ndërmarrje dhe pasuritë e tyre janë dhe i takojnë vetëm Republikës së Kosovës dhe se Agjencia Kosovare e Privatizimit është e autorizuar të administrojë me ndërmarrjet shoqërore, si brenda ashtu edhe jashtë territorit të Kosovës.

“Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, e posaçërisht të qytetarëve, të cilët kanë interesim për të marrë pjesë në privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore të vendit tonë, apo të aseteve të tyre, dëshirojmë të sqarojmë se Agjencia është i vetmi institucion kompetent për privatizimin e tyre”
, deklaron Gosalci.

Sipas disa të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ekzistojnë rreth 155 asete të 55 ndërmarrjeve shoqërore që gjenden jashtë territorit të Kosovës, në Bosnjë, Serbi, Mal të Zi dhe Kroaci.

Kompleksi metalurgjik “Trepça”, Korporata Energjetike e Kosovës, “Agro-Kosova”, Eximkos”-i dhe një numër i madh i subjekteve të atëhershme ekonomike, kanë qenë të shtrira jashtë territorit të Kosovës, sidomos në Serbi dhe Mal të Zi. Të gjitha këto, sipas zyrtarëve të AKP-së rrezikohen të privatizohen nga këto shtete.

Gjiganti “Trepça” ka pasur një fabrikë në Vojvodinë, Banka e Kosovës, e njohur me emrin “Bankos”, po ashtu ka pasur filialet në Beograd dhe në Ulqin.

Në anën tjetër, Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thotë se asgjë nuk i takon Kosovës. Kosova si etnitet politik, sipas tij, nuk ka ekzistuar, prandaj nuk ka mundur të ketë pronë, përveç asaj që quhet pronë komunale. Krahina, siç thotë ai, si e tillë, asnjëherë nuk ka pasur pronë të veten.

“Prandaj, edhe nëse ka ndonjë shitje, ato janë absolutisht të vlefshme, sepse Republika e Serbisë, kjo vlen edhe për shtetet tjera, gjegjësisht shtetet që janë krijuar nga republikat e ish-Jugosllavisë, kanë plotësisht të drejtë që ta bëjnë këtë në territorin e vet”
, shprehet Ivanoviq.

Ndërkaq, Kryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi, Velimir Mijuskoviq, nuk ka shumë njohuri për shitjen e këtyre ndërmarrjeve nga shteti i tij. Ai thotë se është i njoftuar për një pushimore, në të cilën janë të vendosur refugjatë nga Kosova.

Sa e di unë, ekziston një pasuri e Kosovës në Beçiq, aty janë disa refugjatë nga Kosova dhe Komisariati ynë për refugjat po kërkon mundësi që të gjejë vend tjetër për këta refugjatë. Për tjera ndërmarrje nuk kam njohuri”, thotë Mijuskoviq.

Në Mal të Zi, përveç “Bankosit”, Kosova ka pasur edhe pushimoret e saj për punëtorët kosovarë në Ulqin, Kamenovë dhe pushimoren e fëmijëve në Beçiq, Industrinë e Mishit me ngrirje të Fushë-Kosovës, asetet e së cilës gjenden në qytete të ndryshme të Malit të Zi.

Po, sipas zyrtarëve të AKP-së, një rast tashmë është në gjykatat e Malit të Zi, ku janë duke u zhvilluar konteste ligjore për ndërmarrje shoqërore “Rekreaturs” nga Prishtina.

Për këtë, Arta Gosalci nga Agjencia Kosovare e Privatizimit thotë se tendenca për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore të vendit tonë, nga shtetet fqinje nuk gëzojnë kurrfarë mbështetje nga legjislacioni i vendit, e as nga ai ndërkombëtar.

Transaksionet e tilla, janë plotësisht të papranueshme dhe konsiderohen inekzistente si për Agjencinë, ashtu edhe për institucionet e tjera të vendit tonë dhe, si të tilla, nuk kanë kurrfarë vlere juridike”, pohon Gosalci.

Ndërkaq, njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë thonë se shitja e ndërmarrjeve kosovare nga autoritetet serbe, është e papranueshme.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se ky institucion është i njoftuar me shitjen e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore nga Serbia dhe Mali i Zi dhe që ky problem, sipas tij, duhet të zgjidhet me bisedime pragmatike mes këtyre shteteve.

Në rend të parë duhet një dialog trepalësh, ku duhet të jenë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, duhet të jenë përfaqësues të AKP-së dhe tek atëherë të përgatitet një platformë për dialogim me palën malazeze. Ai dialog të mos ketë ngjyrë politike, por të jetë pragmatik me fakte dhe dëshmi se këto janë të Kosovës dhe u takojnë institucioneve dhe realitetit kosovar”, thotë Gërxhaliu.

Kurse, Ali Jakupi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se nëse Serbia vazhdon t’i shesë asetet kosovare, atëherë kjo çështje duhet të negociohet në bisedimet eventuale që pritet të mbahen ndërmjet këtyre dy shteteve.

Gjatë bisedave që i bëjnë përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë, këtë çështje duhet ta evidentojnë në një prej bisedave të mundshme, sepse ashtu siç kërkojnë të tjerët që të kenë të drejtën e pronave të tyre në Kosovë, edhe Kosova e ka të njëjtën të drejtë”, vlerëson Jakupi.

Vitin e kaluar, Agjencia Kosovare e Privatizimit pati shpallur në tender privatizimin e një objekti që gjendet në Serbi, por interesimi i blerësve kishte munguar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG