Ndërlidhjet

SLS i do më shumë se dy ministri


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Partia Liberale Serbe që ka fituar 8 mandate në Kuvendin e Kosovës, ka rritur kërkesat si kusht për të hyrë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Kjo parti që në mandatin e kaluar udhëhoqi dy ministri, tani dëshiron të drejtojë 3-4 sosh. Deputeti i ardhshëm, Nenad Rashiq, thotë se Partia Liberale tashmë edhe i ka identifikuar ministritë, që do të dëshironte t’i drejtonte.
Mendoj se do të kemi më shumë se sa dy ministri, edhe pse nuk na është ofruar deri më tani asgjë konkrete...

“Mendoj se do të kemi më shumë se sa dy ministri, edhe pse nuk na është ofruar deri më tani asgjë konkrete. Kërkesa jonë do të jetë që të marrim ato ministri, përmes së cilave ndikojmë në përmirësimin e jetës së komunitetit serb si Ministrinë e Punës, apo të Kthimit, e cila edhe ka obligime ndaj komunitetit serb, meqë merret me kthimin e serbëve”.

“Krahas tyre, edhe Ministrinë e Bujqësisë që merret me zhvillimin në zonat rurale ku jeton shumica e serbëve, apo Ministrinë e Kulturës, që po ashtu ka rol të rëndësishëm në mbrojtjen e objekteve kulturore - krejt kjo në kuadër të mbrojtjes së serbëve. Domethënë, çka do që marrim nga këto ministri, do të jetë e lidhur drejtpërdrejt me jetën e serbëve”,
thotë Rashiq për Radion Evropa e Lirë.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila është në fazën e bërjes së ofertave për koalicionin qeverisës, ka thënë se i ka numrat për të formuar qeverinë, duke u bazuar kryesisht në votat e minoriteteve.

Partia Liberale Serbe, edhe pse nuk ka marrë ofertë zyrtare nga PDK-ja, nuk vë në mëdyshje hyrjen në qeveri.

“Unë kam thënë shpesh që serbët nuk kanë kohë që të rrinë në opozitë. Mendoj se komuniteti serb është në situatë të vështirë që duhet të reagojë menjëherë, e për të reaguar na duhen mekanizmat, të cilët do të ndikonin drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve serbë. Prandaj, hyrja në qeveri është një nga mënyrat për të pasur këtë mekanizma”, thekson Rashiq.

Partia tjetër serbe që është futur në Kuvend, Lista e Bashkuar Serbe e drejtuar nga Rada Trajkoviq, thotë se do të qëndrojë në opozitë.

Por, Trajkoviq nuk është e sigurt nëse do të mbeten në opozitë që të katër kandidatët që kanë fituar ulëse në Kuvend, meqë është përfolur se dy nga deputetët e Listës do të votojnë pro qeverisë.

“Nuk kam informacione nëse brenda Listës së Bashkuar dikush është blerë nga ana e zotit Thaçi”
, thotë Trajkoviq.
Krejt ajo që vjen nga zoti Hashim Thaçi, për mua është plotësisht irelevante dhe nuk do të pranoja as bisedime, as marrëveshje, e as ftesë, sepse mendoj se nuk kemi për çka të bisedojmë...

Megjithatë, Trajkoviq, për vete është e sigurt - thotë se nuk hyn në qeveri me Hashim Thaçin.

“Krejt ajo që vjen nga zoti Hashim Thaçi, për mua është plotësisht irelevante dhe nuk do të pranoja as bisedime, as marrëveshje, e as ftesë, sepse mendoj se nuk kemi për çka të bisedojmë, pasi që nuk është pjesë e projektit që unë do të pranoja, duke marrë parasysh miratimin e rezolutës në Këshillin e Evropës dhe në anën tjetër, zgjedhjet jolegjitime bartës kryesor i të cilave ishte ai’,
shprehet Trajkoviq.

Në këtë mandat janë 13 deputetë serbë që fituan në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Tetë nga Partia Liberale Serbe, katër nga Lista e Bashkuar Serbe dhe një nga SDSKIM.

Në mandatin e ardhshëm legjislativ, të gjitha minoritetet kanë siguruar 25 ulëse në Kuvend. Megjithatë, nuk është ende e sigurt, nëse të gjitha komunitetet pakicë do t’i bashkohen PDK-së në formimin e qeverisë së re, formula e së cilës mbetet ende enigmë.

Lexoni edhe këto:

Vende të rezervuara edhe në të ardhmen
Prioritetet e pakicës serbe
XS
SM
MD
LG