Ndërlidhjet

ElBaradei: Egjipti mund të shpërthejë


Kajro, 10 shkurt
Kajro, 10 shkurt

Armata e Egjiptit e ka mbështetur planin e presidentit Hosni Mubarak për bartje të pushtetit.

Në deklaratën në televizionin shtetëror, Këshilli i Lartë i ushtrisë tha se e mbështet kalimin e një pjese të kompetencave nga Mubaraku te nënpresidenti Omar Sulejman.

Ushtria gjithashtu premtoi zgjedhje të lira e të drejta këtë vit, por nuk caktoi një datë, dhe premtoi se do t'i vëzhgojë mashtrimet zgjedhore.

Armata paralajmëroi kundër çdo kërcënimi të sigurisë kombëtare dhe bëri thirrje për kthimin e jetës normale në vend.

Ushtria premtoi që ta heqë gjendjen e jashtëzakonshme sapo të përfundojë situata aktuale.

Protestuesit në Egjipt kanë premtuar të dalin sot në numër më të madh, pasi presidenti Hosni Mubarak refuzoi të largohet menjëherë.

Protestuesit u zotuan për marsh masovik drejt pallatit presidencial një ditë pasi Mubaraku ofroi ndryshime kushtetuese, dhe ia kaloi një pjesë të kompetencave nënpresidentit Omar Sulejman.

82 vjeçari Mubarak tha se do të tërhiqet vetëm kur t'i përfundojë mandati në shtator.

Më vonë, Sulejman i ftoi protestuesit të shkojnë në shtëpi, dhe u kërkoi egjiptianëve të bashkohen dhe të shohin drejt së ardhmes.

Protestuesit në sheshin Tahrir të Kairos reaguan me zemërim ndaj fjalimit të Mubarakut.

Në Uashington, presidenti Barak Obama tha se qeveria e Egjiptit ende nuk ka përcaktuar një rrugë të besueshme, konkrete dhe paekuivoke drejt demokracisë.

Mohamed ElBaradei, fitues i Çmimit Nobel për Paqe dhe ish diplomat në OKB, parashikoi se "Egjipti do të shpërthejë", dhe tha se armata "duhet ta shpëtojë vendin tash".(v.p)


Mubaraku nuk largohet


Presidenti egjiptian Hosni Mubarak do të qëndrojë në detyrë deri në shtator, kohë kur do të mbahen zgjedhjet presidenciale.

Vetëm pas zgjedhjeve ai do të transferojë pushtetin tek “kushdo që do të zgjidhet përmes zgjedhjeve të lira dhe transparente”. Kjo u bë e ditur gjatë fjalimit televiziv që Mubarak mbajti mbrëmjen e së enjtes.

Mubaraku theksoi se “do të injorojë diktatin nga jashtë”.

Raportohet se protestuesit në sheshin Tahrir vazhdojnë të protestojnë më të zemëruar pas fjalimit të Mubarakut, pasi sonte ata prisnin largimin e tij.(i.b)


Pritjet për dorëheqje

Armata e Egjiptit ka shpallur se po ndërmerr “masa të domosdoshme për ta mbrojtur vendin dhe për t’i mbështetur kërkesat legjitime të popullit”, lëvizje kjo që vëzhguesit e shohin si sinjal se tash ushtria e mbanë kontrollin ndaj shtetit.

Kumtesa, që u lexua në televizionin shtetëror, ishte titulluar “Komunikata numër 1”, që mund të sugjerojë se një grusht-shtet ushtarak është në zhvillim e sipër.

Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë kanë paralajmëruar se presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, është në largim e sipër.

Pamjet në televizionin shtetëror nga mbledhja ku shihej ministri i Mbrojtjes, Husein Tantaui, duke kryesuar Këshillin Suprem Ushtarak, ndërsa disa ushtarakë të tjerë të lartë ishin ulur rreth tavolinës së rrumbullakët.

Lajmi për lëvizjen e armatës u bë derisa BBC raportoi se kryeministri Ahmed Shafiq tha se Mubaraku mund të tërhiqet dhe se situata do të qartësohet së shpejti.

Televizioni shtetëror, po ashtu shpalli se Mubaraku të enjten në mbrëmje do të mbajë një fjalim, nga pallati i tij në Kajro.

Lideri i Partisë Nacional Demokratike të Mubarakut, Hossam Bedraui, tha se ai dëshiron që presidenti 82-vjeçar t’u thotë egjiptianëve se ai do të bëjë gjë të drejtë për Egjiptin dhe se do ta kalojë autoritetin e tij te zëvendëspresidenti Omar Suleiman.

“Do të dëshiroja që presidenti Mubarak t’i thotë popullit se ai e ka përmbushur premtimin e tij”, tha zoti Badraui.

Zëvendëspresidenti Omar Suleiman e ka menaxhuar regjimin e krizës prej se ishte emëruar në këtë post, pak kohë pas 25 janarit, kur filluan protestat.

Në sheshin Tahrir në Kajro, ku mijëra demonstrues kanë ngritur kampe gjatë këtyre ditëve, njerëzit i shikonin lajmet në ekranet televizive dhe reagonin me zhurmë dhe brohoritje.

Disa minuta para leximit të kumtesës së ushtrisë, shefi i shtatmadhorisë, Sami Anan, ishte përshëndetur me miratim, derisa ai u duk në shesh dhe premtoi mbrojtjen e sigurisë së popullit.

Ushtaraku Hassan al-Roueni, i tha turmës se çdo gjë që ajo do të kërkojë “do të realizohet”.

Protestuesit e ngritën këtë ushtarak në duart e tyre dhe e bartnin atë nëpër shesh duke brohoritur “Ushtria dhe populli – një dorë”.

Disa në turmë i ngrinin duart në shenjë të shkronjës V, që është shenjë e fitores, duke thënë se “populli e dëshiron përfundimin e regjimit” dhe duke e falënderuar Zotin.

Por, protestuesit, po ashtu, kishin brohoritur “civil e jo ushtri”, sinjal ky që tregonte se ata nuk dëshironin pushtet ushtarak. Në sheshin Tahrir, janë mbledhur edhe më tepër njerëz pas kumtesës së ushtrisë.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Barak Obama, po e ndiqte situatën për së afërti.

Drejtori i agjencisë CIA, Leon Paneta, tha se Inteligjenca amerikane ka indikuar se Mubaraku është në largim e sipër. Ai u tha anëtarëve të Kongresit se “me gjasë të madhe” ai do të largohet sonte.

Në këtë kuadër zotit Paneta theksoi:

“Unë kam informacione të ngjashme, se ka gjasa të mëdha se Mubaraku do të mund të largohej këtë mbrëmje”.


Zhvillimet dramatike u bënë në ditën e 17 të protestave masive kundër Mubarakut dhe presidencës së tij 30-vjeçare dhe kundër korrupsionit, varfërisë dhe shtypjes.

Ajo që nisi si revoltë e të rinjve, së shpejti u shndërrua në demonstrata në mbarë vendin, në të cilat morën pjesë egjiptianët e të gjitha moshave dhe gjendjes sociale.(f.b.)
XS
SM
MD
LG