Ndërlidhjet

logo-print

Kantrimen beson në zgjidhjen e çështjes së emrit


Nikola Gruevski dhe Tomas Kantrimen

Nikola Gruevski dhe Tomas Kantrimen

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen, pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, deklaroi se ka ardhur në Shkup për të diskutuar lidhur me shqetësimet e sinqerta që kanë të bëjnë me zhvillimet politike, sundimin e së drejtës dhe lirisë së mediave në vend.

“Është e vështirë të qëndrosh në Maqedoni dhe të mos bisedohet për çështjen e emrit. Sinqerisht besojmë se kjo çështje do të zgjidhet shpejt. Jemi të inkurajuar nga takimet e drejtpërdrejta mes kryeministrave Gruevski dhe Papandreu. Megjithatë, SHBA-të nuk janë pjesë e zgjidhjes së kontestit që zhvillohet nën patronatin e OKB-së", deklaroi zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për Evropë, Kantrimen.

Kantrimen në Shkup erdhi një ditë pas vizitës zyrtare që realizoi në Tiranë, me ç’rast konstatoi se Shqipëria dhe Maqedonia nuk ballafaqohen me probleme të njëjta.

Diplomati amerikan njëherësh ka demantuar informatat e plasuara në media se në Maqedoni ka ardhur për shkak të problemeve aktuale politike, si dhe për t’i tërhequr vërejtjen kryeministrit Gruevski.

“Ne nuk qortojmë kryeministra. Kjo nuk është detyra jonë. Me Gruevskin e harmonizuam agjendën për qëndrimin e tij gjatë javës së ardhshme në SHBA”
, tha Kantrimen, pas takimit me Gruevskin.

Ndërkohë, i pyetur nëse administrata amerikane mbështet zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni, zyrtari i lartë amerikan shtoi se nuk ka komente mbi këtë çështje. Ai tha se kjo është çështje e brendshme, me të cilën udhëheqja politike në Maqedoni duhet të ballafaqohet me përgjegjësi.

Tomas Kantrimen, pas takimit me Gruevskin, realizoi takime edhe me liderin e opozitës maqedonase, LSDM-së, Branko Cërvenkovski, si dhe me kreun e partisë shqiptare në pushtet, BDI-së, Ali Ahmeti, takim pas të cilit ky i fundit është shprehur se me interes të veçantë për të ardhmen e Maqedonisë mbetet realizimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit dhe aderimi i vendit në strukturat euro-atlantike.

Ndërkohë, lideri i opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski, tha se me diplomatin amerikan ka diskutuar për krizën e krijuar politike.

Biseduam për të gjitha çështjet që janë aktuale, me ç’rast u inkurajuam që përmes dialogut politik të zgjidhen problemet", tha Cëvenkoski.

Ai theksoi se nuk e ka ndërmend t’i kthejë deputetët e partisë së tij në Parlament, përderisa nuk realizohen pesë kërkesat e parashtruara, prej të cilave vetëm dy janë përmbushur, ndërkohë që mbeten të paharmonizuara qëndrimet rreth ndryshimeve të Kodit zgjedhor, si dhe kërkesa që të miratohet një ligj i veçantë që do të mundësojë shpërndarjen proporcionale të mjeteve të buxhetit në mediat private.

Pas përfundimit të vizitës së tij në Maqedoni, Kantrimen gjatë ditës së premte do të qëndrojë në Prishtinë për t’u takuar me zyrtarët kosovar, pasi që, siç sqaroi, vizita e tij të mërkurën në Prishtinë ishte anuluar për shkak të kushteve të këqija atmosferike.
XS
SM
MD
LG