Ndërlidhjet

Goditje ndaj bizneseve dhe ekonomisë


Mungesa e preferencave autonome tregtare për Kosovën, të cilat me vendimin e Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian janë ndërprerë që nga fillimi i këtij viti, do t’i godasë bizneset më të shëndosha të Kosovës dhe ekonominë kosovare në përgjithësi, vlerësojnë përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve dhe ekspertët e çështjeve ekonomike.

Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Bizneseve thotë se pamundësia që produktet kosovare të eksportohen në tregun e Bashkimit Evropian pa iu nënshtruar tarifave doganore dhe kufizimeve të sasisë, i vë në pozicion mjaft të vështirë prodhuesit apo bizneset në Kosovë.

“Këtu janë goditur bizneset, të cilat janë të shëndosha, që kanë eksport dhe që kanë cilësi dhe sasi për eksport. Kosova nuk mund të jetë konkurrente në Evropë pa këto preferenca tregtare që i ka gëzuar deri në fund të vitit të kaluar".

"Kjo i godet bizneset, individualisht dhe përgjithësisht në Kosovë. Mund të jenë miliona euro. Kosova, në vitin e kaluar, ka pasur një eksport në bashkimin Evropian, disa miliona euro”,
thotë Shahini.

Shahini ka shtuar se bizneseve të Kosovës tashmë i janë hequr mundësitë që të tregojnë aftësitë e tyre konkurruese në tregun e Bashkimit Evropian, ndërkohë që ato janë të rrezikuara edhe për shkak të politikave ekonomike dhe financiare në Kosovë.

“Dihet se në Kosovë politikat e biznesit janë të shtrenjta, politikat ekonomike dhe ato financiare dhe Kosova nuk do të mund të jetë konkurrent karshi shumë konkurruesve të tjerë që takohen në tregun e Bashkimit Evropian".

"Institucionet e Kosovës duhet të jenë më këmbëngulëse dhe menjëherë të bisedojnë dhe assesi Kosova të mos jetë jashtë preferencave tregtare të Bashkimit Evropian. Këto preferenca i ka gëzuar Kosova duke tentuar që ta ngritë ekonominë vendore”,
pohon Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Musa Limani, ekspert për çështje të ekonomisë nga Instituti Ekonomik i Kosovës, vlerëson se pa preferencat autonome tregtare, bizneset të cilat kanë pasur treg në vendet e Bashkimit Evropian, do të jenë mjaft të goditura.

“Çdo pengesë e plasmanit të mallrave, çoftë në tregun Ballkanik apo Evropian, do t’i kushtojë shumë ekonomisë së Kosovës, për arsye se tregu i saj, si i tillë, është i vogël për bizneset e mëdha".

"Prandaj, çdo kufizim i plasmanit të mallrave tona ose shërbimeve tona në tregun evropian do të shprehet negativisht. Do të thotë, do të ketë reperkusione shumë të mëdha negative ekonomike dhe politike”,
tërheqë vërrejtjen Limani.

Ndryshe, zyrtarë të qeverisë në dorëheqje të Kosovës, ditë më parë kanë deklaruar se arsyet e mos vazhdimit të preferencave autonome tregtare për Kosovën nga Bashkimi Evropian janë politike.

Por, Limani thotë se një nga arsyet është edhe mospërmbushja e standardeve të kërkuara për kualitetin e mallrave që eksportohen në tregun e Bashkimit Evropian nga prodhuesit kosovar.

“Unë mendoj se plasmani i produkteve tona në tregun evropian nuk e ka vetëm efektin ekonomik, por edhe politik. Prandaj, në këtë drejtim, duhet të mendojnë Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministria përkatëse, që të përgatisë dhe të krijojë kushte që biznesi jonë të depërtojë në tregun evropian".

"Së bashku me te, edhe Oda Ekonomike (e Kosovës) dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve duhet të punojnë shumë që të përgatisin bizneset, në kuptimin që ato t’iu përgjigjen elementeve dhe faktorëve, si dhe kushteve, të cilat i kërkon tregu i përbashkët evropian”,
thotë Limani për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, preferencat autonome tregtare, për Kosovën kanë skaduar më 31 dhjetor.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës patën deklaruar se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje zyrtare nga autoritetet përgjegjëse të Bashkimit Evropian, lidhur me arsyet e mos vazhdimit të këtyre preferencave.
XS
SM
MD
LG