Ndërlidhjet

Mubaraku ikën, ushtria merr kontrollin

  • RFE /RL

Egjiptianët mbajnë flamuj me datën e fillimit të protestave kundër Mubarakut

Egjiptianët mbajnë flamuj me datën e fillimit të protestave kundër Mubarakut

Zëvendëspresidenti i Egjiptit Omar Sulejman, tha se presidenti Hosni Mubarak është tërhequr nga detyra duke ia dorëzuar pushtetin ushtrisë.

Deklarata e Omarit e bërë në televizionin shtetëror po shoqërohet me thirrje gëzimi në rrugët e Kajros. "Populli e rrëzoi regjimin", thërrisnin qindra mijëra protestuesit në sheshin Tahrir të kryeqytetit egjiptian. Njerëzit qajnë, valëvisin flamujë dhe përqafojnë njëri-tjetrin në shenjë fitoreje.

Raportet e mëhershme tregojnë se Mubaraku dhe familja e tij janë larguar nga Kajroja drejt Sharm el Sheikut.

Nuk ka detaje të tjera për mënyrën e qeverisjes në këtë periudhë tranzicioni. Gjatë ditës ushtria ka deklaruar se do të garantojë zbatimin e reformave dhe i bëri thirrje qytetarëve që t'i kthehen jetës normale.

*****************
Ushtria egjiptiane tha se do të garantojë zbatimin e reformave, por ka kërkuar kthimin e jetës normale pas më shumë se dy javë protestash anti-qeveritare.

Deklaratat e Këshillit Suprem vijnë pas fjalimit të së enjtes të Mubarakut, në të cilin ai përsëriti se do të largohet vetëm pas zgjedhjeve presidenciale të shtatorit.

Mubaraku, që është edhe drejtues i Këshillit Suprem nuk drejtoi mbledhjen e së premtes, e cila u kryesua nga ministri i Mbrojtjes, Husein Tantaui.

Pritjet se Mubaraku do të njoftonte largimin nga posti në fjalimin e së enjtes ishin shumë të madha. Gjasat që kjo të ndodhte ishin artikuluar dhe nga shefi i CIA-s, Leon Paneta. Ajo çfarë bëri Mubaraku ishin disa ndryshime kushtetuese dhe kalimi i disa përgjegjësive te zëvendëspresidenti Omar Sulejman.

Deklarata e Këshillit Suprem u lexua në televizion pak para faljes së të premtes.

“Këshilli ka garantuar zbatimin e rezolutës së mëposhtme: t’i japë fund shtetit të gjendjes së jashtëzakonshme kur rrethanat aktuale të mos jenë më, të vendosë përmes gjykatës lidhur me lëndët që kanë të bëjnë me zgjedhjet parlamentare, të kryejë ndryshimet e nevojshme legjislative dhe të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme bazuar në ndryshimet kushtetuese”.


Deklarata e lexuar në televizionin shtetëror, nuk i bindi masat të shpërndaheshin. Korrespondentët e pranishëm në sheshin Tahrir raportojnë se protestuesit nuk e lejuan një përfaqësues të ushtrisë që të lexojë deklaratën e Këshillit Suprem.

Protestuesit zgjeruan gjeografinë e tyre në Kajro. Mijëra vetë janë mbledhur gjatë ditës para televizionit shtetëror dhe pallatit presidencial.
Në ditën e 18 të protestave raportohet rritje e tensioneve dhe e trazirave sociale.

“Protestuesit po marshojnë nga sheshi Tahrir drejt pallatit presidencial në rrugën Al-Oroba. Tani njerëzit kanë arritur përreth pallatit presidencial si dhe kanë rrethuar ndërtesën e radios dhe televizionit shtetëror”,
raporton Abdul Rauf Haraui, korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Kajro.

Ushtarët me armatim të rëndë ishin në të gjitha rrugët që të çonin drejt televizionit dhe pallatit presidencial, por nuk i kanë penguar protestuesit.
Tensionet në Egjipt janë shtuar pas fjalimit të mbrëmshëm të Mubarakut.

Përfaqësues të ushtrisë me deklaratat se protestuesit do të marrin çfarë kërkojnë, kishin rritur pritshmërinë se Mubaraku të enjten do të deklaronte largimin e menjëhershëm.

Pasi kjo nuk ndodhi lumi i protestuesve në sheshin Tahrir hidhte këpucë në drejtim të ekraneve ku shfaqej Mubaraku.

Në mesin e protestuesve në sheshin Tahrir gjendej dhe ish-anëtari i parlamentit, Zakaria Ganaini.

“Mubaraku ofendoi gjyqtarët dhe gjithë juristët. Ai ofendoi edhe shoferët e kamionëve. Ai ofendoi gjithë popullin e Egjiptit, nga bujqit në ferma, të varfër e të pasur. Askush në Egjipt nuk dëshiron që ky regjim të mbetet, me përjashtim të atyre që kanë përfituar direkt prej tij”
, thotë Ganaini.

Për shumë nga protestuesit veprimet e Mubarakut kanë vetëm një qëllim, shkatërrimin e Egjiptit.

“Atij nuk i bëhet vonë për popullin e Egjiptit. Ai gjithmonë na trondit. Mbrëmë mbajti një fjalim të korruptuar. Mubaraku dëshiron ta shkatërrojë Egjiptin”,
tha Khalid Salah, një nga mijëra protestuesit që mëngjesin e së premtes ishte në sheshin Tahrir.

Ngjarjet e 24 orëve të fundit kanë shtuar spekulimet për një ndarje mes ushtrisë dhe qeverisë në Egjipt, e madje për ndarje edhe brenda sferave më të larta të ushtrisë.

Ky moment më shumë se gjithçka duket të jetë një provë për ushtrinë, pasi protestuesit kërkojnë prej armatës të ndërhyjë kundër Mubarakut.(i.b.)
XS
SM
MD
LG