Ndërlidhjet

Kriza politike – pengesë për çështjen e emrit


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Kriza e krijuar politike në Maqedoni pas braktisjes së Parlamentit nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare, ndikon në masë të theksuar në kapërcimin e dallimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, vlerësojnë analistët politikë.


Diplomatët e vendeve të BE-së dhe SHBA-së, pas krizës së krijuar politike, më shumë do të fokusohen në zhbllokimin e dialogut politik, thonë autoritetet në Maqedoni.

Me këtë rast, situata e krijuar, për një kohë të caktuar do ta shpërqendrojë vëmendjen nga kontesti për çështjen e emrit, thekson ish-ministri i Punëve të Jashtme, Lubomir Fërçkoski, duke komentuar dhe takimin e kreut të Qeverisë së Maqedonisë me zyrtarët e lartë amerikanë.

"Uashingtoni do të fokusohet në çështjet e brendshme politike, ngase për momentin, administrata amerikane do të jetë më e interesuar t’i zgjidhë problemet, me të cilat përballet Maqedonia, siç është liria e mediave, kapacitetet demokratike të institucioneve të vendit, si dhe vlerësimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme", thotë Lubomir Fërçkoski.

Sipas Fërçkoskit, është më se e qartë se Maqedonia tashmë një kohë të gjatë nuk reflekton vullnet politik për të zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, me këtë t`i hapë rrugë procesit të integrimit.

Ndërkohë, Mersel Bilalli, analist politik, vlerëson se “Qendrat Vendosëse janë të vetëdijshme për hilet që i bën kreu shtetëror, për të mos e zgjidhur çështjen e emrit, së fundi duke krijuar dhe krizën politike”.

" Nëse edhe kësaj radhe udhëheqësia e Maqedonisë vazhdon të bëjë obstruksion duke premtuar dhe duke mos e realizuar të njëjtën, jam i bindur se ato (Qendrat Vendosëse) Maqedoninë do ta lëshojnë në vetvete dhe praktikisht do të jetë e detyruar t’i zgjidhë të gjitha pasojat, ose të mos i zgjidhë, Maqedonia e lënë vetë. Tani unë pres një fokusim të amerikanëve në drejtim të presionit që do të ushtrohet ndaj Qeverisë së Gruevskit që përfundimisht problemi i emrit të zgjidhet"
, thekson analisti Billalli.

Sipas Bilallit, mbajtja e zgjedhjeve të pakohshme edhe më shumë do ta dramatizojë situatën rreth zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë.

"Sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve eventuale të pakohshme, situata edhe më shumë do të dramatizohet, madje edhe sikurse nga ato zgjedhje të dalë fituese pjesa e pushtetit, atëherë opozita maksimalisht do ta dramatizojë situatën duke u thirrur në manipulimin e mediumeve, keqpërdorimin e fondeve publike, presionet nga institucionet shtetërore. Kështu që situata mund të dalë jashtë kontrollit", shprehet Billalli.

Procesi i integrimit të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike hyn në një fazë të errët, pa pasur një rrugë të qartë se ku dëshiron të mbërrijë Maqedonia, konsideron Lubomir Fërçkoski, ish-diplomat, duke komentuar vërejtjet e faktorit ndërkombëtar se me këtë politikë të qeverisë së Maqedonisë duke ndërtuar mure ideologjike, thellohet hendeku mes qytetarëve në vend, njëherësh acarohen dhe raportet me vendet fqinje.

“Tani që gjithnjë e më shumë flitet për zgjedhje të parakohshme, askush nuk do të marrë guximin të prekë seriozisht çështjen e zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë, meqë ajo është shndërruar në një zonë të minuar", p
otencon Frërçkoski.

Ndryshe, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në muajin mars ka rezervuar kohë për debat publik, për padinë e Maqedonisë kundër Greqisë për thyerjen e Marrëveshjes së përkohshme dypalëshe me pengimin e pranimit të Maqedonisë në NATO në Samitin e Bukureshtit.
XS
SM
MD
LG