Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Në Egjipt u dëgjua zëri i popullit

  • RFE /RL

Në Kajro u festua largimi i Mubarakut.

Në Kajro u festua largimi i Mubarakut.

Egjiptianët kanë festuar gjatë gjithë natës largimin e presidentit Hosni Mubarak, pas 30 vjetësh në pushtet.

Presidenti 82-vjeçar dha dorëheqje pas 18 ditësh protesta kundër varfërsisë, korrupsionit dhe shtypjes. Mubarak është udhëheqësi i dytë arab që përmbyset nga kryengritja popullore brenda një muaji.

Zëvendëspresidenti Omar Sulejman tha se këshilli ushtarak do të marrë drejtimin e vendit tani për tani.

Liderë dhe zyrtarë të lartë të globit kanë mirëpritur largimin e Mubarakut. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se presidenti i përmbysur ka dëgjuar zërin e popullit:

“Ka shumë pak momente në jetën tonë kur ne kemi privilegjin të jemi dëshmitarë të historisë. Ky është njëri nga ato momente. Populli egjiptian ka folur, zëri i tij është dëgjuar dhe Egjipti nuk do të jetë kurrë më si më parë”, ka thënë Obama.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, ka vlerësuar kurajën e popullit të Egjiptit.

“E përgëzoj popullin egjiptian për mënyrën e rregullt dhe paqësore që ka zgjedhur për të ushtruar të drejtat legjitime. U bëj thirrje të gjitha palëve të vazhdojnë në të njëjtën frymë. Kombet e Bashkuara janë të gatshme për të ndihmuar në këtë proces”, ka thënë shefi i OKB-së.

Largimin e presidentit Hosni Mubarak e kanë mirëpritur edhe Brukseli, Gjermania, Britania e Franca. Ato i kanë bërë thirrje Kajros të ndërmarrë hapa në drejtim të zgjedhjeve të lira. (v.t.)


Mubaraku ikën, ushtria merr drejtimin

Presidenti egjiptian, Hosni Mubarak, dha dorëheqjen dhe zyra e tij kërkoi nga ushtria që të marrë në dorë drejtimin e vendit.

Lajmi u bë i ditur përmes një deklarate të shkurtër nga zëvendëspresidenti Omar Sulejman.

“Bashkëqytetarët e mi, në këto kohë të vështira, nëpër të cilat po kalon vendi, presidenti Hosni Mubarak ka vendosur të largohet nga posti i presidentit. Ai ka ngarkuar Këshillin Suprem të ushtrisë të marrë në dorë çështjet e shtetit. Zoti na mbroftë”, tha Sulejman.

Lajmi bëri që qindra mijëra protestuesit të shpërthenin në brohoritje, përqafime e lot. “Populli e rrëzoi regjimin”, thërrisnin protestuesit në sheshin Tahrir pak minuta pasi Sulejman lexoi në televizionin shtetëror deklaratën e largimit të Mubarakut.

Fituesi i çmimit Nobel për Paqe dhe një nga figurat e opozitës egjiptiane, Mohamed el Baradai, tha pas lajmit për largimin e Mubarakut se “kjo ishte dita më e mirë e jetës” së tij.

“E kemi pritur këtë ditë me dekada. Të gjithë presim të bashkëpunojmë me ushtrinë për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme. Pres me padurim këtë periudhë tranzicioni ku pushtetin do ta ndajnë ushtria dhe populli”, tha El Baradei.

Vael Ganim, një nga drejtuesit e kompanisë Google për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, i njohur për rolin e tij në këto protesta, veçanërisht për organizimin në rrjetet sociale deklaroi:

“Jam krenar të jem egjiptian. Nga thellësia e shpirtit “Urime gjithë egjiptianëve”. Dua të them “Mirëserdhe Egjipt!”

Agjencitë e lajmeve raportojnë se Këshilli Suprem do të shpërndajë kabinetin dhe do t'i pezullojë të dyja dhomat e Parlamentit dhe do të bashkëqeverisë me kreun e Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një deklarate të lexuar në televizion Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura, i drejtuar nga ministri i mbrojtjes, Husein Tantaui, tha se po merren masat për tu përmbushur aspiratat e ligjshme të popullit. Tantaui përshëndeti edhe turmat që po festonin përpara pallatit presidencial në Kajro.

Mubaraku, së bashku me familjen, është larguar nga Kajroja drejt Sharm el Sheikut, qytetit bregdetar që është dhe rezidencë për drejtuesit e shtetit. Ai e shtoi ndjeshëm zemërimin e protestuesve me fjalimin e së enjtes, ku përsëriti se do të mbetet në presidencë deri në shtator, kohë kur do të mbaheshin zgjedhjet e reja presidenciale.(i.b.)
XS
SM
MD
LG