Ndërlidhjet

logo-print

Kur dhe si do të privatizohet Brezovica?


Brezovica

Brezovica

Autoritetet kompetente në Kosovë ende nuk tregojnë ndonjë periudhë kohore se kur mund të privatizohet Qendra Turistike “Brezovica”. Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, thonë se tashmë janë në përgatitje të një konference me investitorët potencialë. Ndërkaq, njohës të çështjeve ekonomike, shprehin nevojën e privatizimit të këtij kompleksi.


Agjencia Kosovare e Privatizimit në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare në Kosovë, janë duke bërë përgatitjet e nevojshme për privatizimin e kompleksit turistik “Brezovica”, që gjendet në komunën e Shtërpcës - rajon ky i banuar me shumicë serbe.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, nuk tregon kohën se kur mund të privatizohet ky kompleks, por thotë se tashmë janë duke i bërë përgatitjet për konferencën me investitorët potencialë.
Duhet të ruhet baraspesha në mes të privatizimit të aseteve të ndërmarrjes shoqërore dhe zhvillimit të zonës së re turistike...

“Master - plani ka përfunduar dhe tani Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, si dhe komuna, janë në përgatitje të konferencës me investitorë, e cila kërkon një periudhë kohore më të gjatë për t’u organizuar në mënyrë sa më serioze”.

“Duhet të ruhet baraspesha në mes të privatizimit të aseteve të ndërmarrjes shoqërore dhe zhvillimit të zonës së re turistike dhe duhet të arrihen afatet kohore në mes të gjitha palëve”
, bën të ditur Kaloshi.

Por, zyrtarë në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, në një përgjigje përmes postës elektronike, thonë se kjo konferencë do të mbahet në fund të vitit 2011.

Fjolla Çeku, nga kjo zyrë, thotë se Komisioni Evropian do ta përkrahë ekzekutivin e vendit në organizimin e konferencës duke ofruar dokumentacion dhe reklamim të këtij kompleksi, me qëllim tërheqjen e investitorëve më të suksesshëm.

Udhëheqës të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, në fund të muajit të kaluar kanë prezantuar një master-plan për rikuperim ekonomik të kompleksit “Brezovica”.

Thelbi kryesor i këtij master-plani, sipas zonjës Çeku, është që kompleksi “Brezovica” të bëhet atraktive për investitorët e huaj dhe në të njëjtën kohë të mbahet baraspesha ndërmjet objekteve ekzistuese dhe investimeve.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike shprehin nevojën e privatizimit të këtij kompleksi.

Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se një ndër burimet më premtuese për zhvillimin ekonomik të vendit është privatizimi i qendrës turistike “Brezovica”.
Është kërkesë e të gjitha palëve të interesit, përfshirë këtu edhe komunitetin e biznesit që të ndodhë privatizimi i atij kompleksi turistik...


“Është kërkesë e të gjitha palëve të interesit, përfshirë këtu edhe komunitetin e biznesit që të ndodhë privatizimi i atij kompleksi turistik, duke pasur parasysh se është një ndër burimet më premtuese për zhvillimin ekonomik - e sidomos tani kur kemi një plan shumë konkret të përgatitur nga Komisioni Evropian, i cili besoj se do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të atij rajoni”,
thotë Zeka.

Por, ajo që ende mbetet e paqartë në këtë proces, është fakti se me çfarë metode do të privatizohet ky kompleks, pasi sipas ligjit të AKP-së, forma e privatizimit me spin-off special më nuk aplikohet.

Lidhur me këtë, Ylli Kaloshi thotë se Bordi i Drejtorëve i AKP-së do të vendosë për kushtet e privatizimit, pasi që ky privatizim, sipas tij, ka rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës.

Përgatitjet për privatizimin e këtij kompleksi kishin filluar që nga viti 2006, nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të, siç është thënë, ndërhyrjes së Beogradit zyrtar dhe pakënaqësive të banorëve të asaj ane.

Lexoni edhe këto:

Privatizimi i Brezovicës - histori në vazhdime...
Privatizimi në 2010: Sukseset dhe dështimet
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG