Ndërlidhjet

Krasniqi: Me dëshirë do ta pranoja postin e presidentit


Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

Nëse është edhe vullneti i partive tjera politike në Kuvend që unë ta ushtroj atë pozitë (pozitën e presidentit), unë do ta pranoja me dëshirë, i tha Radios Evropa e Lirë, Jakup Krasniqi, ushtrues detyre i presidentit të Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është vendosur të mbahet më 24 shkurt. Ju, më herët, keni deklaruar se Kosova para shënimit të përvjetorit të tretë të pavarësisë, do t’i ketë institucionet e reja. Pse erdhi deri kjo shtyrje?

JAKUP KRASNIQI
Në rend të parë vërtet është fakti se u vonua certifikimi i deputetëve të partive politike, në anën tjetër, realisht ende nuk kanë përfunduar bisedimet për formimin e një koalicioni qeverisës për faktin se asnjë subjekt politik nuk ka fituar vende të mjaftueshme që ta bëjë qeverinë. Prandaj, të gjitha këto na kanë çuar që data 24 t’i japë hapësirë të krijimit të koalicionit qeverisës.

Në anën tjetër, ne kemi pasur mbledhje me të gjitha partitë politike ose grupet parlamentare që kanë dalë nga këto zgjedhje, të pozitës dhe të opozitës dhe ishte kërkesë edhe e dy grupeve të komuniteteve, atij serb dhe komunitetit turk dhe boshnjak, që kanë nevojë t’i bëjnë disa bisedime mes vete, prandaj ne e shtymë edhe për një javë.

Ndoshta është pak tepër, por ne konsiderojmë që pasi ishte kërkesë e tyre dhe ekzistonte konsensusi për datën e caktuar, mendojmë se kemi bërë një zgjidhje mjaft të mirë dhe një zgjedhje që të mund t’i krijojmë institucionet, ta konstituojmë Kuvendin dhe menjëherë të shkojë në zgjedhjen e presidentit dhe të kabinetit qeveritar.

RADIO EVROPA E LIRË
Partia Demokratike e Kosovës po udhëheqë bisedimet për formimin e koalicionit të ardhshëm qeveritar. Duket se ka telashe për shkak se gati të gjitha partitë, përveç AKR-së, e kanë përjashtuar mundësinë për të hyrë në koalicion me PDK-në. A mund të thuhet se kjo është një prej arsyeve për shtyrjen e konstituimit të Kuvendit?

JAKUP KRASNIQI

Po, sigurisht edhe kjo është një vështirësi. Megjithatë, duhet një kohë për të biseduar për një koalicion. Fundja, nuk është qëllimi vetëm ta konstituojmë Kuvendin dhe ta bëjmë një zgjedhje të shpejtë të presidentit dhe Qeverisë, por që të bëjmë një zgjedhje sa më të qëndrueshme për faktin se Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme dhe institucione që marrin përgjegjësi në rend të parë për të mirëqeverisur me vendin, për ta zhvilluar vendin, për të ngritur sundimin e rendit dhe ligjit, por edhe për t’i marrë përgjegjësitë, siç janë bisedimet, liberalizimi i vizave dhe integrimi drejt Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa konsideroni se do të jetë i qëndrueshëm koalicioni i ardhshëm?

JAKUP KRASNIQI
Është e ditur se koalicioni sa më shumë numra që të ketë, është më i fuqishëm. Por, jo gjithherë numrat e përcaktojnë fuqinë e një koalicioni. Edhe përcaktimi i njerëzve në vendet e caktuara, korrektësia dhe niveli i marrëveshjes mes subjekteve politike të koalicionit janë ato që përcaktojnë ndoshta më së miri fuqinë politike qeverisëse dhe stabilitetin e një kabineti qeveritar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, thuhet se një pjesë e madhe e anëtarësisë së PDK-së kanë propozuar që ju të jeni president i Kosovës. E dëshironi ju këtë post?

JAKUP KRASNIQI
Realisht, unë mendoj që nuk është kërkesë vetëm e anëtarësisë së Partisë Demokratike. Unë mendoj se nga puna që kam bërë gjatë tërë këtyre viteve në skenën politike në Kosovë, e në mënyrë të veçantë nga udhëheqja në Kuvend, kam krijuar mbështetës edhe jashtë Partisë Demokratike të Kosovës.

Megjithatë, përcaktues është vendimi që del nga organet e PDK-së, një vendim është marrë në kryesinë e PDK-së. Do të thotë, është përsëritur fakti që kandidat për kryeministër është kryetari i partisë, zoti Hashim Thaçi, dhe kandidat i PDK-së për postin e presidentit është sekretari i përgjithshëm, që në këtë rast jam unë.

Nuk e kundërshtoj nëse është vullneti. Kjo nuk varet vetëm nga Partia Demokratike, në fakt, kjo varet edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës se fundi i fundit kjo pozitë, ky post, duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës dhe nëse është edhe vullneti i partive tjera politike në Kuvend që unë ta ushtroj atë pozitë, unë do ta pranoja me dëshirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Është raportuar për mosmarrëveshje në kuadër të PDK-së për ndarjen e posteve kryesore. Sa janë të vërteta këto njoftime?

JAKUP KRASNIQI
Ju e dini që në fund të vitit të kaluar Partia Demokratike e ka mbajtur Kongresin dhe mendoj që ka qenë një unitet i plotë. Pastaj është mbajtur konventa për kryeministrin dhe aty nuk ka pasur asnjë kundërshti.

Në demokraci, sigurisht që ka edhe debat, ka ndonjëherë edhe kundërthënie, por vendimet janë unanime. Pra, edhe rasti i djeshëm që është marrë si vendim i Kryesisë së PDK-së, ka qenë me konsensus, do të thotë nuk ka pasur asnjë kundërshti, asnjë pakënaqësi të brendshme nga asnjë palë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çdo herë e më shumë kërkohet nga Kosova që të nisë sa më parë bisedimet me Serbinë. Kur mendoni se duhet të ndodhin dhe a keni ndonjë strategji?

JAKUP KRASNIQI
Unë mendoj që bisedimet nuk mund të fillojnë pa u konstituuar të gjitha institucionet e Kosovës, pastaj pa u bërë një përgatitje më e detajuar për këtë çështje. Ju e dini që te ne ka ekzistuar në vazhdimësi gatishmëria për të biseduar, sepse pas konflikteve është periudha e bisedimeve dhe gjithnjë kemi qenë të gatshëm për këtë. Ajo që unë dua të them është se Kosova me Serbinë ka shumëçka për të biseduar.

Ne kemi biseduar edhe gjatë këtyre viteve për të pagjeturit, dokumentet kadastrale që janë marrë nga Serbia, regjistrat civilë, gjithashtu që janë marrë nga Serbia, pastaj sigurisht se lëvizja dhe qarkullimi i lirë i njerëzve në të dy anët e kufirit është një problem që duhet të bisedohet dhe të zgjidhet.

Po ashtu, edhe tregtia e lirë është një problem që duhet të bisedohet dhe zgjidhet, çështjet e energjetikës, ato të ambientit... Pastaj ka edhe çështje tjera, për të cilat do të duhej të bisedojë në çdo rrethanë Kosova me Serbinë. Në fund, ne, si Kosovë, jemi të gatshëm të japim kontributin tonë për ta ndryshuar kualitetin e jetës së qytetarëve të saj.

Në fakt edhe Serbia është e obliguar që ta ngrejë kualitetin e jetës për qytetarët e vet atje, nëse Serbia kërkon që qytetarët serbë të kenë një jetë më të mirë - është gjë e natyrshme dhe ne e akceptojmë - edhe Serbia duhet të akceptojë se edhe në Serbi ka shqiptarë, se edhe ata duhet ta bëjnë një jetë më të dinjitetshme, se Serbia gjithçka çfarë ka kërkuar për qytetarët serbë në Kosovë, duhet të jetë e gatshme t’u ofrojë edhe qytetarëve shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG