Ndërlidhjet

logo-print

Kadriu: Raportet ndëretnike, të përkeqësuara


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Komiteti i Helsinkit në Maqedoni i vlerëson të tensionuara raportet ndëretnike në Maqedoni, për shkak të projekteve mono-entike që po realizohen nga Qeveria. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Komitetit, Osman Kadriu, thotë se në Maqedoni shumë pak respektohen të drejtat e njeriut nga ana e pushtetit gjyqësor.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kadriu, si i komentoni zhvillimet e fundit në Maqedoni, në veçanti ato që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike që duken të tensionuara pas realizimit të disa projekteve mono-etnike, si projekti “Shkupi 2014”, dhe së fundi ndërtimi i një kishe në Kalanë e Shkupit?

OSMAN KADRIU
Prej kur është miratuar projekti, ”Shkupi 2014”, kishte vlerësime dhe indikacione se ky projekt, përveç tjerash, do të reflektohet edhe në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, të cilat edhe ashtu nuk janë në nivelin e duhur, pra janë të brishta. Tani kur filloi të realizohet projekti dhe kur filluan të realizohen disa ndërtime konform këtij projekti, ato në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikuan në përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

Rasti i fundit është me Kalanë e Shkupit. Nëse punohet për kishë apo për monument tjetër, për të cilin edhe më parë kam deklaruar se këto projekte nuk kanë për qëllim përmirësimin e marrëdhënënieve ndëretnike, por diçka tjetër, që është në dëm të demokracisë, kjo nuk është në rregull. Me këtë shtrembërohet historia dhe faktet relevante e juridike të zhvillimit të shtetit dhe të të gjitha entiteteve që jetojnë në Maqedoni.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është vlerësimi i Komitetit të Helsinkit sa i përket të drejtave të njeriut në Maqedoni? Cilat janë ato sfera ku më së shumti ka shkelje?

OSMAN KADRIU
Sot, ne në Maqedoni kemi fusha, kemi sfera të marrëdhënieve shoqërore, në të cilat vvërehet mosrespektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Një prej tyre është sfera e pushtetit gjyqësor. Edhe më parë, edhe tani, ka shumë vërejtje se kur qytetarët paraqiten para gjyqësorit, përballen me shkeljen e të drejtave të tyre.

Pra, aty ka shkelje flagrante të të drejtave edhe në lëmin civil edhe në atë penal. Në atë penal, vërehet shkelja e dy të drejtave fundamentale, pa të cilat nuk mund të flasim për të drejtat tjera që garantohen me Kushtetutë, ato janë e drejta e jetës dhe e drejta e lirisë. Ne në këtë drejtim kemi shkelje flagrante.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, cili është vlerësimi juaj sa i përket fushave tjera?

OSMAN KADRIU
Edhe në administratën publike kemi raste kur shkelen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sidomos nëse kemi parasysh faktin se gjendemi para një administrate krejtësisht të politizuar dhe kur shumë persona të angazhuar në administratën publike nuk i plotësojnë kushtet konkrete, për të cilat ata pranohen.

Mosprofesionalizmi i tyre, moskualiteti i vendimeve që merren nga ana e tyre, ndërlidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

RADIO EVROPA E LIRË
Të gjitha anketat që realizohen, si shqetësim kryesor të tyre nxjerrin edhe korrupsionin nëpër institucione. Sa arrini të regjistroni apo të shqyrtoni të gjitha ankesat që vijnë nga qytetarët lidhur me shkeljen e të drejtave të tyre?

OSMAN KADRIU
Ne, në Maqedoni, kemi një rrjet të ushtrimit të kriminalitetit të organizuar. Shpërdorimi i detyrave nga funksionarët, e thuajse të gjitha niveleve po ashtu ka lidhje të ngushtë me shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Komiteti i Helsinkit me vëmendje të veçantë i përcjell këto dukuri dhe natyrisht se në kuadër të kompetencave të tij, njofton gjithë opinionin, por edhe organet përkatëse.

RADIO EVROPA E LIRË
Po sa merren në konsideratë nga institucionet vërejtjet e Komitetit të Helsinkit?

OSMAN KADRIU
Institucionet në mënyrë deklarative gjithmonë pranojnë se ka shkelje dhe se i kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, por më duhet të theksoj se këto zotime ngelen vetëm në formën deklarative, por jo edhe në masa efektive. Kështu që Komiteti, edhe për këtë çështje, ka vlerësime se sa realizohen këto të drejta dhe ne institucioneve u kemi dhënë notën mjaftueshëm, 2.
XS
SM
MD
LG