Ndërlidhjet

logo-print

Egjipt: Gëzim i madh pas largimit të Mubarakut


Egjiptianët e gëzuar pas dorëheqjes së Mubarakut

Egjiptianët e gëzuar pas dorëheqjes së Mubarakut

Egjiptianët hynë në një kaptinë të re të historisë së vendit të tyre, pas përmbysjes së Hosni Mubarakut, i cili me grusht të hekurt e mbajti pushtetin për 30 vjet.

Falja e mëngjesit në sheshin Tahrir të Kajros, që ishte qendra e protestave pothuajse trejavëshe kundër qeverisë, u bë pas një nate të festimeve të hareshme.

Zërat e gëzimit dhe të haresë së madhe u dëgjuan në shumë rrugë të Kajros.

“Revolucioni i të rinjve e detyroi Mubarakun të largohet”, është titulli i gazetës Al-Ahram, në faqen e parë, ndërsa e përditshmja zyrtare Al-Gomhuria, shkruan se “Revolucioni i 25 janarit fitoi. Mubaraku u largua dhe armata e mori pushtetin”.

Hareja e madhe pati shpërthyer në mbarë Egjiptin, kur u dëgjua lajmi se Mubaraku është larguar nga zyra. Mijëra shtetas në Kajro, në Aleksandri dhe në qytetet e tjera, dolën në rrugë për të festuar. Ata brohorisnin “Lamtumirë, lamtumirë” dhe i valëvisnin flamujt e Egjiptit. Janë hedhur edhe shumë fishekzjarrë.

Në këtë mënyrë populli e festonte rënien e regjimit, për të cilin thonë se këtij vendi i solli varfëri dhe shtypje për tri dekada.

Raportohet se Mubaraku dhe familja e tij janë larguar nga Kajroja dhe kanë shkuar në pushimoren Sharm el-Sheki, ku ai e ka shtëpinë verore.

Egjiptin tash e sundon Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura, që është organi më i lartë ushtarak, i përbërë nga gjeneralët dhe i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes, Muhamad Hosein Tantaui.

Një zëdhënës i paidentifikuar ushtarak u paraqit në televizionin shtetëror dhe premtoi se ushtria nuk do të veprojë si zëvendësuese e qeverisë, por po përgatiste hapat e ardhshëm të nevojshëm për “arritjen e ambicieve të vendit tonë të madh”.

Regjimi 30-vjeçar i Mubarakut u përmbys pas 18 ditësh të protestave. Ajo që filloi si lëvizje e të rinjve më 25 janar, së shpejti u zhvillua në lëvizje popullore, pa liderë. Por, në të morën pjesë egjiptianët e të gjitha moshave, të të gjitha kategorive sociale, të fesë myslimane dhe të krishterë, e të tjerë.

Të gjithë ata qëndruan krah për krah së bashku.

Demonstruesit për 18 ditë ishin këmbëngulës, pavarësisht sulmeve të orkestruara nga banditët proqeveritarë, nga të cilat vlerësohet se mbetën të vrarë afro 300 vetë. Demonstruesit, po ashtu ishin rrahur dhe burgosur nga shërbimet e sigurimit.

Në Uashington, presidenti amerikan, Barak Obama, tha se duke u tërhequr, Mubaraku i është përgjigjur zërit të popullit. Ai premtoi se Shtetet e Bashkuara do të “vazhdojnë të jenë mik dhe partner i Egjiptit”.

Obama e lavdëroi ushtrinë e Egjiptit për “veprim të përgjegjshëm” dhe për kujdestari të shtetit.

Ai bëri thirrje që të sigurohet mbrojtja e të drejtave të popullit, që gjendja e jashtëzakonshme të tërhiqet dhe të përcaktohet rruga e qartë për zgjedhje të lira dhe korrekte.

“Jam i sigurt se do të ketë ditë të vështira përpara dhe se shumë pyetje mbeten pa përgjigje. Por, besoj se populli i Egjiptit do t’i gjejë përgjigjet dhe këtë do ta bëjë në mënyrë paqësore, konstruktive dhe në frymën e unitetit, që i kishte definuar këto tri javët e fundit”
, theksoi Barak Obama.

Reagime pati edhe nga liderët e tjerë botërorë. India tha se e mirëpret dorëheqjen e Mubarakut, “duke i respektuar dëshirat e popullit të Egjiptit” dhe “përkushtimin nga liderët ushtarakë për ta ndërtuar një kornizë të hapur dhe demokratike të qeverisjes”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, po ashtu e mirëpriti vendimin e Mubarakut për të dhënë dorëheqje dhe tha se vendimi i tij për ta kaluar autoritetin te komandantët e lartë ushtarakë, ishte “ndryshim historik”.

Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, i përgëzoi egjiptianët dhe shtetasit e vendeve të tjera arabe, që ishin shprehur “me trimëri dhe paqësisht për ndryshim në vendet e tyre”.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, i ofroi Egjiptit ndihmë.

“E përgëzoj popullin e Egjiptit për veprim të matur, paqësor dhe trimërues, me ç’rast ata i shfrytëzuan të drejtat e tyre legjitime. U bëj thirrje të gjitha palëve të vazhdojnë në këtë frymë. Kombet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë në proces”
, tha Ban Ki-mun. (f.b.)
XS
SM
MD
LG