Ndërlidhjet

logo-print

Takimi Thaçi-Pacolli, pa marrëveshje


(Foto arkiv)

(Foto arkiv)

Ka përfunduar pa marrëveshje rreth koalicionit të ardhshëm qeverisës takimi ndërmjet liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli.

Posti i presidentit të Kosovës mbetet ende vija ndarëse ndërmjet këtyre dy partive politike.

Strukturat udhëheqëse të PDK-së kanë preferuar që këtë post ta mbajë ushtruesi i tanishëm i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi. Por, të njëjtat pretendime i ka edhe AKR-ja për liderin e saj, Behxhet Pacolli.

Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin në dorëheqje, Hashim Thaçi, Pacolli tha se bisedimet janë të vështira, por ato do të vazhdojnë.

“Është në pyetje posti i presidentit tani, por deri te posti i presidentit ka edhe shumë pyetje tjera për t’u definuar... Presidenca normalisht është pjesë e fushës, hapësirës, të cilën ne e synojmë”, tha Pacolli.

Në interesimin e gazetarëve nëse ai ka zbutuar qëndrimet e tij rreth postit të presidentit, Pacolli tha se ky post mbetet në kuadër të hapësirës së veprimit të AKR-së në institucionet e reja.

“Unë s’kam qenë as i fortë e as i zbutur. Unë jam një person shumë vertikal prej fillimit dhe kështu do të jem”, theksoi Pacolli.

Takimet ndërmjet PDK-së dhe AKR-së do të vazhdojnë edhe nesër. Nënkryetarja e parë e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila, gjatë një konference për gazetarë, tha se nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje, ajo duhet të jetë e shkruar dhe PDK-ja duhet ta respektojë AKR-në, pavarësisht se bëhet fjalë për një parti më të vogël.

“Janë dëgjuar kohëve të fundit disa deklarata të zyrtarëve të PDK-së lidhur me përqindjen e fituar nga AKR-ja në zgjedhjet e fundit dhe legjitimitetin e kërkesës për postin e presidentit e kështu me radhë”.

“Ne konsiderojmë se duhet të ekzistojë një respekt i ndërsjellë. Në kuadër të bisedimeve duhet të respektohet si partner që mund të kontribuojë për një zhvillim të qëndrueshëm, për përmirësimin e imazhit dhe funksione të qëndrueshme e demokratike“,
tha Kusari-Lila.

Negociatat për qeverinë e re po analizohen edhe nga organet drejtuese të Partisë Demokratike. Pas takimeve të shumta të drejtuesve të PDK-së, nënkryetari i saj, Hajredin Kuçi, tha se bisedimet me AKR-në po vazhdojnë.

“Ne do të vazhdojmë të negociojmë me AKR-në. Besojmë se në ditët në vijim do të jenë pak më konkretë edhe ata. Momentalisht, PDK-ja e ka qëndrimin që e ka pasur. Do t’i bëjmë institucionet me kohë edhe të mira”, theksoi Kuçi.

Bazuar në një deklaratë të kryeministrit në dorëheqje, Hashim Thaçi, pjesë e koalicionit të ardhshëm do të jetë edhe Lista Ibrahim Rugova, edhe pse ky subjekt politik përfaqësohet vetëm me një deputet në Kuvend. Po ashtu, pjesë e koalicionit pritet të jenë të gjitha komunitetet pakicë.

Pas pozicionimit të LDK-së, Vetëvendosjes dhe AAK-së për opozitë, tani PDK-së, si fituese e zgjedhjeve, përveç pakicave, e vetmja parti parlamentare që i ka mbetur në dispozicion për bisedime rreth koalicionit të ardhshëm qeverisës, është AKR-ja.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG