Ndërlidhjet

Decentralizimi – sukses apo dështim?!


Decentralizimi, i pranuar si kompromis për pavarësinë e mbikëqyrur nga ana e shqiptarëve të Kosovës, me gjithë përfitimet për serbët, nuk po zbatohet në veri.

Zyrtarë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) thonë se zbatimi i këtij procesi do të jetë sfidë e madhe për qeverinë e ardhshme.

Besnik Osmani, sekretar i përgjithshëm në këtë ministri, e cila është e ngarkuar për zhvillimin e procesit të decentralizimit, mendon se formimi i komunës së veriut është problem.

“Ne e shohim si sfidë të rendit përgjithësisht veriun e Kosovës, me theks të veçantë themelimin e komunës në veri të Mitrovicës, por edhe bashkëpunimin në tri komuna të tjera në veri, që është shumë i varfër”.

“Mbetet shqetësuese edhe gjendja e sigurisë atje, por edhe kualiteti i shërbimeve që këto komuna u ofrojnë qytetarëve”,
deklaron Osmani.

Megjithatë, ai thotë se procesi i decentralizimit në pjesë të tjera të Kosovës ka shënuare rezultate konkrete.

“Konsiderojmë se ka qenë një sukses i mirë që kemi themeluar katër komuna të reja me shumicë serbe, si dhe kemi bërë zgjerimin e komunës së Novobërdës”, thotë Osmani.

Por, ish-ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami, konsideron se institucionet e Kosovës nuk mund të mburren me procesin e deritanishëm të decentralizimit, derisa ai proces nuk ka arritur ndonjë rezultat në veri të Mitrovicës.

“Vonesat në themelimin e institucioneve në veri të Kosovës e komprometojnë procesin e decentralizimit, i cili ka qenë pjesë e pakos së pavarësisë së Kosovës".

"Nuk mund të mburremi me suksesin e këtij procesi në pjesët e tjera të Kosovës, ku janë themeluar komunat e reja, nëse nuk kemi arritur që në veri ta funksionalizojmë Pakon e Ahtisarit dhe të themelojmë komunën e veriut të Mitrovicës”,
thekson Bajrami.

Aktualisht, thonë zyrtarët e MAPL-së, në Mitrovicën e veriut nuk ka ambient të duhur për fillimin e implementimit të decentralizimit.

Sekretari i kësaj ministrie, Besnik Osmani, thotë se në atë pjesë të Kosovës janë disa grupe të caktuara që pengojnë përpjekjet për implementimin e procesit.

“...natyrisht se ato paraqesin probleme për zhvillimin normal të punës së ekipit përgatitor komunal. Ne kemi edhe raste ekstreme, kur është penguar aktiviteti i tyre, janë sulmuar anëtarët e ekipit përgatitor, janë sulmuar familjet e tyre, janë sulmuar pronat e tyre”, shprehet Osmani.

Tashmë janë themeluar komuna e Graçanicës, Ranillugut, Parteshit dhe Kllokotit - komuna këto me shumicë serbe. Edhe komuna e Novobërdës ka përfituar duke e zgjeruar territorin e saj.

Gradimir Mikiq, kryetar i komunës së formuar të Ranillugut, vlerëson se procesi i decentralizimit deri tash ka pasur sukses, por jo edhe në veri të Mitrovicës. Megjithatë, sipas tij, procesi në tërësi ende nuk ka përfunduar.

“Kjo vetë tregon se decentralizimi nuk ka përfunduar ende. As nëpër komunat që janë decentralizuar, decentralizimi ende nuk ka përfunduar. Janë edhe disa gjëra që duhen të ndodhin për ta arritur atë decentralizim siç është në letër”, thotë Mikiq.

Njohësit e procesit të decentralizimit thonë se decentralizimi funksional në Kosovë është i rrezikuar për të dështuar, pasi që pushteti lokal është forcuar në letër, por jo edhe në praktikë. Siç vlerësojnë ekspertët, ende ka probleme dhe vështirësi për të gjeneruar qëndrueshmëri dhe zhvillim lokal.
XS
SM
MD
LG