Ndërlidhjet

logo-print

Rënia e demokracisë dhe lirisë së mediave


Foto ilustruese

Foto ilustruese

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut thonë se tre vjet pas pavarësisë, Kosova nuk mund të mburret se ka garantuar liritë dhe të drejtat civile. Për këtë fajësohet jo vetëm pushteti vendës, por edhe misionet ndërkombëtare.


Pothuaj tre vjet pas pavarësisë, Kosova sipas Freedom House vazhdon ta ketë statusin “pjesërisht të lirë” sa i përket gjendjes së lirive politike dhe të drejtave të njeriut.

Në indeksin e mediave ka rënë në renditje, ndërsa është vlerësuar si vend me shkallë të lartë korrupsioni nga ana e Transparency International.

Por, nuk janë vetëm organizatat ndërkombëtare që japin vlerësime negative. Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, vlerëson se Kosova, tre vjet pas pavarësisë, nuk mund të mburret me garantimin e lirive dhe të të drejtave civile.
Kosova është në një situatë ku nuk mund të flitet për një përparim të dukshëm në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Kosova në vitin e tretë pas pavarësisë është në një situatë ku nuk mund të flitet për një përparim të dukshëm në fushën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut".

"Institucionet e Kosovës kanë krijuar një mekanizëm të mirë, me të cilin rregullohen të drejtat e njeriut, ku të gjitha konventat ndërkombëtare janë të përfshira në Kushtetutën e Kosovës... Por, prej përfshirjes deri te zbatimi është një rrugë bukur e gjatë”,
thotë Shala.

Në anën tjetër, gazetari Halil Matoshi shfaq shqetësimin për pengesat në lirinë e mediave. Ai thotë se asnjë pushtet që nga paslufta nuk ka arritur të kuptojë rëndësinë e medias së lirë.
Qeveritë që kanë ardhur pas luftës ende nuk e dinë peshën dhe rëndësinë e medias së lirë.

“Është një paradoks... pushtetet dhe qeveritë pas luftës në Kosovë ende nuk e dinë, nuk e njohin lëmin e medias dhe fjalës së lirë, sepse në Kosovë ende kemi të bëjmë me një demokraci shumë të brishtë, ose ende njihet vetëm si koncept".

"Në Kosovë ende nuk ekziston një demokraci funksionale dhe të gjitha qeveritë që kanë ardhur pas luftës ende nuk e dinë peshën dhe rëndësinë e medias së lirë për ndërtimin e demokracisë kushtetuese”,
shprehet Matoshi.

Komisioni Evropian ka konstatuar në raportin e fundit vjetor të progresit se në Kosovë në praktikë nuk është e garantuar liria e shprehjes, se gazetarët shpesh janë viktimë e kërcënimeve për shkak të punës së tyre dhe se ata kanë problem edhe me qasjen në dokumentet zyrtare.

Drejtori i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Imer Mushkolaj, thotë se aspak nuk është vështirë të vërehet që politika ka ndikim të madh në mediat kosovare.
Shumica e pronarëve të mediave në Kosovë i mbajnë mediat e tyre pikërisht për interesa politike, por edhe biznesore.

“Fatkeqësisht, shumica e pronarëve të mediave në Kosovë i mbajnë mediat e tyre pikërisht për interesa politike, por edhe për interesa biznesore. Pavarësisht se publikisht nuk thonë se i takojnë një krahu politik, apo një krahu tjetër, megjithatë ata janë të përfshirë në politikë në një formë, apo në një formë tjetër".

"Kjo shihet shumë lehtë, nëse me kujdes i vërejmë ta zëmë programet televizive të X televizioneve, apo i lexojmë X gazetat”,
thotë Mushkolaj.

Për këtë situatë në fushën e mediave, por edhe të lirive civile, për të cilën Kosova ka marrë kritika nga organizatat me renome ndërkombëtare, Behxhet Shala thotë se nuk janë fajtore vetëm institucionet vendëse, por edhe ato ndërkombëtare.

Kanë mundur edhe ndërkombëtarët, të cilët vazhdimisht i kanë identifikuar këto probleme, të bëjnë presion dhe t’i detyrojnë edhe vendorët që të punojnë më tepër. Por, duket se për shkak të një oportuniteti politik, nuk kanë dashur të merren me to, nuk kanë dashur të bëjnë presion, kështu që fajësia është e të gjithëve", thotë Shala.

Por, Halil Matoshi, megjithatë, fajëson më tepër institucionet vendëse, për, siç thotë ai, ngufatjen e fjalës së lirë.

“Sot kemi një situatë tjetër, kur Kosova është e lirë dhe shtet i pavarur, por trysnia ndaj mediave dhe fjalës së lirë është jashtëzakonisht e madhe, për arsye se pushteti dëshiron që me kontrollin e medias, ta kontrollojë edhe mendësinë e shoqërisë kosovare dhe votën e secilit kosovar që ka të drejtë vote”, thekson Matoshi.

Kushtetuta e Kosovës përmes dispozitave të saj garanton të drejtat dhe liritë e njeriut, sikurse edhe të fjalës së lirë. Autoritetet përdorin si mjet mbrojtës kushtetutën, kur kritikohen për gjendjen jo të mirë të lirive dhe të drejtave civile. Por, analistët thonë se kushtetuta duhet të zbatohet edhe në praktikë, nëse dikush dëshiron që Kosova të ecë përpara.
XS
SM
MD
LG