Ndërlidhjet

Rritet prania e misioneve të sigurisë në veri


Foto arkivi

Foto arkivi

Shqiptarët dhe serbët e veriut të Kosovës kanë mendime të ndryshme për nevojën e një plani të veçantë të mekanizmave të sigurisë për situatën në këtë pjesë të territorit të vendit. Në EULEX thonë se një plan i tillë ka nisur qysh kohë më parë dhe se aktualisht ky mision, në bashkëpunim me atë të KFOR-it dhe Policinë e Kosovës, është në fazën e shtimit të veprimeve në veri.


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit është në fazën e rritjes së dukshmërisë dhe të veprimeve në veri të Kosovës, thonë përfaqësues të këtij misioni.

Ditë më parë, EULEX-i, në bashkëpunim me KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, nisi hartimin e një plani të veçantë për të koordinuar veprimet e përbashkëta në veri, me qëllim të përmirësimit të situatës së sigurisë atje.

Zëdhënësi i EULEX-it, Ane Blanksma, nuk dha detaje për veprimet e ardhshme të EULEX-it në veri të Mitrovicës, por tha se shtimi i patrullave të pjesëtarëve të policisë evropiane tashmë ka nisur.

“Sipas një rregulli të përgjithshëm, ne nuk komentojmë mbi specifikat e operacioneve tona, por ajo që mund të them është se jemi në fazën e rritjes së dukshmërisë dhe veprimeve në veri”, u shpreh Blanksma.

Që nga nëntori i vitit të kaluar, EULEX-i ka në funksion Iniciativën për Veriun e Mitrovicës, në përbërjen e së cilës janë 10 deri në 20 hetues të policisë së EULEX-it, ata të doganave dhe prokurorëve të këtij misioni, të cilët bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës.

Mirëpo, pas incidenteve të javëve të fundit në veri të Kosovës, krerët e EULEX-it, të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës nisën një raund të takimeve për hartimin e një plani specifik, për të mbajtur nën kontroll situatën në veri të vendit.

Banorët serbë dhe ata shqiptarë të veriut kanë mendime kontradiktore kur bëhet fjalë për nevojën e zbatimit të një plani të tillë. Njëri nga politikanët serb të veriut të Kosovës, Marko Jakshiq, i quajti të panevojshme veprimet e përbashkëta të tri misioneve vendore e ndërkombëtare të sigurisë në veri.

“Sa i përket aspektit të sigurisë, duke pasur parasysh që në veri jetojnë me shumicë serbët, ne jemi të kënaqur me sigurinë që e kemi. Ndërkaq, ajo që po provojnë të bëjnë EULEX-i, KFOR-i dhe Policia e Kosovës, më tepër është okupim i veriut të Kosovës sesa dëshirë që të përmirësohet gjendja e sigurisë. Fundja, qëllimi është që kjo pjesë të vihet nën çizmen e Prishtinës”, tha Jakshiq.

Mirëpo, përfaqësuesi i banorëve shqiptarë të “Lagjës së Boshnjakëve” në veri të Mitrovicës, Adem Mripa, vlerësoi se tani ka ardhur koha e fundit për të vepruar edhe ndaj strukturave paralele në veri.

Mripa shfaqi shpresën që me zbatimin e planit operacional të EULEX-it, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës do të mund të rikthehet rendi në zonat në veri të lumit Ibër.

“Deri tash, strukturat paralele serbe dhe serbët janë shikuar me një sy pak më të butë dhe nuk janë marrë masa adekuate. Do të thotë, është bërë një tolerancë ndaj nacionalitetit serb”.

“Unë besoj se është koha e fundit që të arrihet paqja në këtë pjesë, që të funksionojë gjyqi dhe të merren masa ndaj atyre delikuenteve dhe strukturave paralele në këtë pjesë të Kosovës”,
tha Mripa.
XS
SM
MD
LG