Ndërlidhjet

Egjipti frymëzon protestat në botën arabe

  • RFE /RL

Protestat në kryeqytetin Sana të Jemenit, 13 shkurt 2011.

Protestat në kryeqytetin Sana të Jemenit, 13 shkurt 2011.

Derisa Egjipti po shkon drejt të ardhmes së pasigurt pas përmbysjes së presidentit Hosni Mubarak, janë rritur shqetësimet në botën arabe.

Policia i shtypi me dhunë të shtunën protestuesit në Jemen dhe Algjer, ndërkohë që kryengritja popullore në Egjipt vazhdon t’i frymëzojë vendet tjera.

Mijëra demonstrues kërkuan reforma në rrugët e kryeqyteit të Algjerisë, përkundër ndalesës zyrtare të protestave.

Ata bënë thirrje për dorëheqjen e presidentit Abdelaziz Butefika, i cili është në pushtet prej vitit 1999.

Më pas, policia e shpërndau turmën mbi bazën e ligjit për gjendje të jashtzakonshme, i cili është në fuqi afro dy dekada.Megjithatë, organizatorët e protestës pohuan fitore, duke thënë se sfidimi i ndalesës shënoi pikë kthese.

Javën e kaluar, Butefika tha se në “një të ardhme të afërt” mund të hiqet gjendja e jashtëzakonshme, e cila u vendos pasi kryengritja brutale islamiste la rreth 200 mijë të vrarë në vitet e 1990-ta.

Gjetkë, në kryeqytetin Sana të Jemenit, të shtunën po ashtu mijëra vetë dolën në protestë për të kërkuar largimin e presidentit Ali Abdallah Saleh, i cili është në pushtet mbi tre dekada.

Ngjarjet dramatike në Egjipt vazhdojnë të dërgojnë drithërima në mbarë Lindjen e Mesme.

Demonstrantët marshuan drejt sheshit kryesor të qytetit, përpara se të zbrapseshin nga një grup më i madh i përkrahësve të qeverisë, të armatosur me thika dhe shufra.

Ashtu si protestuesit egjiptianë që u frymëzuan nga Tunizia, ku revolta popullore e rrëzoi regjimin e presidentit Zine El Abidine Ben Ali, revolucioni në Egjipt e ka lëkundur botën arabe, duke nxitur demonstrata kundër regjimeve autoritare në Algjeri dhe Jemen, si dhe thirrje për protesta në Siri dhe Marok.

Të shtunën në Jemen, Ahmed Omar tha se shpreson që ngjarjet në Kajro dhe Tunis ishin lajmëtarë të asaj që do të vijë.

Ajo që duam është që të kemi të drejtën e të gjithë popujve për të përmbysur regjimin. Presidenti duhet të largohet, ashtu si Hosni Mubaraku dhe presidenti i Tunizisë”, tha ky protestues.

Ngjashëm pohon dhe studenti Abdurahman Abdullah, i cili thotë se lideri i Jemenit i ka shkaktuar “dhembje” popullsisë.

“Ata duhet të ikin, kjo është kërkesa e parë dhe e fundit. Ne duam të themelojmë një shtet modern demokratik, i cili i pëfshin të gjithë njerëzit në Jemen”, thotë Abdullah, gjithashtu pjesëmarrës në protesta.

Presidenti i Jemenit, Saleh, i cili e sundon vendin më të varfër arab, ka premtuar të largohet në vitin 2013 dhe ka ftuar grupet opozitare që të formojnë qeveri të unitetit. Është e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë nëse protestat vazhdojnë të përhapen.

Në Bahrein, aktivistët kanë bërë thirrje për protesta të hënën, më 14 shkurt, kundër mbretit Hamd bin Isa Al Halifa, i cili të premten shpalli se do t’i japë nga 1.000 dinarë (2.650 dollarë) çdo familjeje në Bahrein.

Efektet e kryengritjes në Egjipt janë ndjerë edhe në Iran, i cili e krahasoi revoltën me Revolucionin Islamik të vitit 1979, që i solli në pushtet radikalët islamistë.

Por, raportet nga Irani thonë se qeveria i ka ndërprerë komunikimet me celularë dhe e ka ngadalësuar shpejtësinë e internetit, për t’i minuar protestat e caktuara për të hënën.
Televizioni satelitor gjithashtu është bllokuar, ndërsa lajmet nga Egjipti janë censuruar.

Në Tunizi, vendin ku nisi vala e protestave, ka pasur turbullira që kur presidenti Ben Ali u largua në janar. Italia shpalli gjendje emergjente humanitare pasi atje, në disa ditët e fundit, mbërritën afro 3.000 tunizianë. (v.p.)

XS
SM
MD
LG