Ndërlidhjet

Kajro: Zbrazet e rimbushet sheshi


Sheshi Tahrir, 14 shkurt 2011

Sheshi Tahrir, 14 shkurt 2011

Egjiptianët janë kthyer në sheshin Tahrir të Kajros, vetëm disa orë pasi policia ushtarake ka larguar protestuesit e mbetur nga zona.

Qindra policë, të cilët kanë thënë se duan të shprehin mbështetjen e tyre për revolucionin, u mblodhën në shesh – në epiqendrën e protestave 18-ditëshe, që çuan në largimin e presidentit Hosni Mubarak.

Qindra punëtorë kanë protestuar para Bankës së Aleksandrisë në Kajro, ndërsa të paktën 500 veta u mblodhën jashtë televizionit shtetëror, duke bërë thirrje për paga më të larta.


Zbrazet sheshi Tahrir

Policia e Egjiptit i ka larguar edhe protestuesit e fundit nga sheshi Tahrir në Kajro, qendra e protestave 18 ditëshe.

Mijëra vetë më herët ishin larguar nga ky shesh, pasi ushtria pezulloi Kushtetutën dhe shpërndau parlamentin.

Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura të Egjiptit nëpërmjet një kumtese në televizion, tha se do të qëndroj në pushtet për gjashtë muaj, ose derisa të mbahen zgjedhjet e ardhshme.

Qeveria e nominuar muajin e kaluar nga Hosni Mubaraku, i cili u përmbys më 11 të këtij muaji, pas 18 ditëve të protestave masive, do të vazhdojë të qeverisë, por tash raporton tek shefat e ushtrisë.

Kjo kumtesë ishte mirëpritur nga protestuesit, të cilët Parlamentin dhe Kushtetutën e Egjiptit i shohin si të korruptuara nga Mubaraku.

Agjencia Reuters citon Hasan Alaydin, banor i Kajros, të ketë thënë:

“Ajo që ka vendosur komanda supreme ushtarake, ta propozojë Kushtetutën e re dhe ta shpërndajë Parlamentin, është pra për ta filluar një jetë të re me standardet më të larta të lirisë. Egjipti e ka filluar këtë dhe ende po lëvizë në rrugën e drejtë me qetësi dhe besim. Kjo është ajo që ata që kishin dalur në rrugë e dëshironin”, tha banori i Kajros, Hassan Alaydi.

Megjithatë, disa demonstrues kanë kërkuar që ushtria ta kalojë autoritetin tek administrata civile.

Disa protestues e kanë organizuar të ashtuquajturin Këshill të Besimit për t’i mbrojtur qëllimet e revolucionit dhe për ta mbajtur presionin ndaj armatës.

Shumë egjiptianë i janë kthyer jetës normale. Shumë dyqane në kryeqytetin Kajro përsëri janë hapur, ndërsa pronarët e bizneseve shpresojnë për përfundimin e trazirave, që shumë biznese i sollën në situatë të vështirë.

Kryeministri Ahmet Shafiq, tha se pritoritet kryesor i qeverisë është “ripërtritja e sigurisë dhe lehtësimi i jetës së përditshme për shtetasit” e Egjiptit.

Administrata e re tha se po zhvillonte hetime për akuza kundër disa ish ministrave të lartë të regjimit të Mubarakut.

Poashtu, ka përpjekje, për ta kthyer një pjesë të parave, që kontrollohej nga anëtarët e qeverisë së Mubarakut.

Revolta që e përmbysi Mubarakun, ka shkaktuar një varg protestash dhe grevash nga ana e punëtorëve, që tash kanë marrë guxim të kërkojnë kushte më të mira dhe ndalje të korrupsionit të madh.

Qindra punëtorë janë tubuar afër degës së Bankës së Aleksandrisë në Kajro, duke kërkuar që shefat e tyre të tërhiqen.

Punëtori i bankës, Samir Mohamed el-Sayed, tha:

“Ne i kemi paraqitur këto kërkesa për vite të tëra, por hynin në një vesh e në tjetrin dilnin. Nëse dikush prej nesh ankohej, ata e përjashtonin atë person. Ka dallime të mëdha në rroga ndërmjet punëtorëve të vjetër, që e bëjnë gjithë punën, dhe punëtorëve të rinjë, që janë angazhuar me kontrata me rroga të larta. Është një dallim astronomik në rroga”, tha punëtori i bankës, el-Sayed.

Bankat ende janë të mbyllura, pasi të martën në Egjipt shënohet një festë kombëtare.

Punëtorët nga transporti publik dhe Organizata shtetërore e të rinjëve dhe e sportit, i kanë mbajtur dy tubime të ndara në kryeqytet dhe kanë kërkuar rroga më të mira.

Protestë kanë mbajtur edhe afro 150 punonjës të turizmit, afër Piramidës së Madhe, jashtë Kajros. (f.b.)
XS
SM
MD
LG