Ndërlidhjet

Kosova përballë barrierave nga BE


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Rrjeti i rreth 200 organizatave joqeveritare “Koalicioni për Demokraci”, shpreh shqetësim lidhur me bllokimin e shkëmbimit tregtar me vendet e Bashkimit Evropian.

Po ashtu, ky rrjet kritikon institucionet e Kosovës për mosreagim ndaj këtij problem.

Sejdi Demiri, drejtues i koalicionit, kërkon nga institucionet që të reagojnë dhe të sillen konform përgjegjësive kushtetues dhe qytetare.

“Është e padenjë, joreale dhe absolutisht e padrejtë që Kosovës, veç mospërfshirjes në procesin e liberalizimit të vizave, këto ditë t’i bllokohet edhe e vetmja arterie e komunikimit me Evropën – ajo e shkëmbimit tregtar”.

“Dëmi material, por edhe moral që po i bëhet prodhuesit dhe, mbi të gjitha, qytetarit të Kosovës, është i pakompensueshëm dhe paraqet problem serioz”
, thotë Demiri.

Ai shton se edhe pse në Kosovë me vite ekziston prezenca evropiane, si EULEX-i, ashtu edhe Zyra Civile Ndërkombëtare, është e padrejtë që qytetarët të përballen me barriera si mungesa e lëvizjes së lirë në BE dhe shkëmbimi tregtar.

“Pyetja që me të drejtë shtrojmë është se, si ka mundësi që Evropën ta kemi në Kosovë, ndërsa ne të mos kemi as më të voglën qasje në Evropë?
”, thekson Demiri.

Drejtuesit e këtij koalicioni shprehen të përkushtuar që të kontribuojnë në përmirësimin e imazhit, siç thonë ata, tashmë të rrënuar të Kosovës.

Që nga fillimi i këtij viti Kosova nuk i gëzon preferencat tregtare, të cilat i vendos Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Komisioni Evropian i kishte vendosur këto masa për të gjitha vendet që janë pretendente për t’u futur në bllokun 27-anëtarësh, në mënyrë që të mbështesin integrimin ekonomik me BE-në, ta forcojnë stabilitetin politik dhe përparimin ekonomik në mbarë rajonin

Ndërsa, tashmë produktet kosovare nuk mund të eksportohen në vendet e Bashkimit Evropian pa iu nënshtruar tarifave doganore apo kufizimeve për sasitë.

Flamur Keqa, zyrtar për marrëdhënie me jashtë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë thotë për Radion Evropa e Lirë, se lidhur me këtë vendim, kanë reaguar në Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë dhe në Bruksel. Sipas Keqës, ky vendim ka konotacione politike

“Megjithatë, neve na është thënë se ndërprerja apo mosvazhdimi i këtyre masave tregtare preferenciale, ka ndodhur për shkaqe politike dhe aspak nuk ka pasur të bëjë me aspektin ekonomik, sepse edhe po qe se vendosen taksat doganore ndaj eksportuesve kosovarë, atëherë BE-ja, mund të themi se asgjë nuk përfiton në aspektin material”,
shprehet Keqa.

Keqa pranon se ndërprerja e preferencave tregtare, do t'i dëmtojë rëndë bizneset kosovare, të cilat synim kanë tregun e Bashkimit Evropian.

“Është e vërtetë se një pjesë mjaft e mirë e bizneseve kosovare, të cilat kanë treg në Bashkimin Evropian, do të humbin në aspektin e tregut, po do të humbin edhe aspektin e menaxhimit me bizneset e tyre”, t
regon Keqa.

Ndryshe, rrjeti i rreth 200 organizatave joqeveritare “Koalicioni për Demokraci”, ka paralajmëruar një protestë të qetë për të martën, që ka synim hapjen e përshpejtuar të procedurave për liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
XS
SM
MD
LG