Ndërlidhjet

Gjykatat në veri - teknikisht gati në prill


Salla gjyqi në gjykatat në Mitrovicë (Foto arkiv)
Salla gjyqi në gjykatat në Mitrovicë (Foto arkiv)
Përfaqësues të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë thanë se me rinovimin e objekteve të gjykatave të veri të vendit, do të jenë përmbushur kushtet teknike për rikthimin e gjykatësve e prokurorëve vendorë në ato institucione. Zgjidhja për të mundësuar këtë kthim, sipas tyre, duhet të gjendet në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ekspertët për çështje të drejtësisë u shprehën pesimistë se në kuadër të bisedimeve politike mund të gjendet një zgjidhje jopolitike për gjykatat.


Pa një marrëveshje politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duket se nuk mund të flitet për ndonjë zgjidhje eventuale për rikthimin e gjykatësve vendorë në gjykatat në veri të Kosovës.

Pavarësisht përpjekjeve të mekanizmave përgjegjës për të rifunksionalizuar në tërësi këto institucione, as në prag të trevjetorit të shënimit të pavarësisë që shkaktoi uzurpimin e gjykatave në veri nga protestuesit serb, në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, e në EULEX, nuk kanë ndonjë informatë se kur mund të ndodhë rikthimi i punonjësve shqiptarë e serbë në gjykatat në veri.

Objektet e këtyre institucioneve aktualisht janë duke u rinovuar, ndërsa gjykatësit dhe prokurorët evropianë përkohësisht janë dislokuar në zyra të tjera në jug të Mitrovicës.

Në EULEX thonë se pas renovimit - teknikisht gjithçka do të jetë gati për rikthimin e gjykatësve e prokurorëve kosovarë. Zëdhënësi i EULEX-it, Hans Kristian Klasing, shpjegoi:

Natyrisht se kthimi i gjykatësve e prokurorëve vendorë është një çështje politike, e cila duhet të zgjidhet ndërmjet komuniteteve, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Sidoqoftë, një nga efektet e këtij renovimi do të jetë që do të ketë mjaft hapësirë dhe mjaft zyra që të kthehen të gjithë gjykatësit dhe prokurorët vendorë”.

“Kushtet teknike do të vihen kur të jetë kryer renovimi. Pra, nuk do të ketë më arsye teknike që ata të mos iu bashkëngjiten kolegëve të tyre ndërkombëtarë, por natyrisht se kjo është një çështje politike, e cila kalon mundësitë e misionit për sundimin e ligjit - EULEX”
, tha Klasing.

Ai bëri të ditur se, sipas planeve, rihapja e objekteve të rinovuara të gjykatave në veri do të mund të ndodhë kah muaji prill.

Mirëpo, njohësit e çështjeve ligjore në Prishtinë e quajtën të pamjaftueshëm krijimin e kushteve teknike.

Analistja për çështje të sundimit të ligjit në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Ariana Qosaj-Mustafa tha se puna e deritashme e EULEX-it, por edhe e mekanizmave të tjerë përgjegjës për këtë çështje, nuk jep arsye për të pritur rezultate pozitive.

“Krijimi i kushteve teknike që përmendet tash para procesit të dialogut - të shohim se si do të shkojë. Por, me atë çfarë ka treguar ky mision në tri vitet e fundit, së bashku me misionet e tjera ndërkombëtare, ka qenë diçka shumë e dobët. Natyrisht se do të jemi mjaft skeptikë dhe do të presim se a do ta realizojë misioni i EULEX-it atë që po premton tash me krijimin e kushteve teknike”,
u shpreh Qosaj-Mustafa.

Ajo tha se për shkak të funksionimit të pjesshëm të gjykatave në veri, vështirësohet sundimi i mirëfilltë i ligjit në atë pjesë të vendit. Bisedimet politike, sipas Qosaj-Mustafajt, do të mund të ndryshojnë mënyrën e funksionimit të organeve të drejtësisë, të cilat, siç u shpreh ajo, do të duhej të ishin jopolitike.

“Nga aspekti ligjor, nuk do të ketë shumë vështirësi, mirëpo aspektet politike do të ndikojnë shumë dhe tani të gjitha këto tema do të varen shumë nga dialogu që thuhet se do të jetë teknik. Mirëpo, shihet se do të jetë një dialog politik, sepse shumë gjëra që i përkasin veriut e që nuk kanë të bëjnë vetëm me çështjen e gjykatave, do të duhet të vendosen në këtë dialog”,
vlerëson Qosaj-Mustafa.

Pavarësisht krijimit të kushteve teknike, ofertat e tyre për t’u kthyer në gjykatat në veri të Kosovës i kanë tërhequr kohë më parë dy kandidatet potenciale serbe, Ruzica Simiq dhe Millena Xheriq.

Kërcënimet e vazhdueshme nga serbët e veriut thuhet se kanë qenë arsyeja kryesore për anulimin e rikthimit të tyre.
XS
SM
MD
LG